Kodheli: Në rast fitojmë zgjedhjet e 2017-ës do të ishte mirë që dikush tjetër të vinte te Mbrojtja
“Kemi evituar, ngjarj të papëlqyeshme edhe brenda vendit tonë, të planifikuar për të ndodhur tek ne”
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli nuk e përjashton mundësinë për të qenë Presidente e ardhshme e vendit. Në një intervistë për Top Channel, e pyetur nëse do të kandidonte për Presidente, ministrja e mbrojtjes nuk dha një përgjigje direkte, por as nuk e hodhi poshtë këtë ide. “Vetëm fakti që ju më pyesni ma përkëdhel sedrën dhe ndërkohë e ritheksoj e marr këtë si kompliment. Ka shumë burra dhe gra që denjësisht mund të jenë president të Shqipërisë dhe shqiptarëve,” – deklaroi Kodheli. Duket se Partia Socialiste pas përpjekjeve të vazhdueshme për t’i besuar Presidencën, aleatit Ilir Meta, dhe pas refuzimit indirekt të kryeparlamentarit, ka vendosur të mbajë vetë postin e Kreut të Shtetit. Deri tani, një tjetër emër i lakuar vazhdimisht për postin e presidentit, ka qenë edhe deputeti socialist Pandeli Majko. Megjithatë nuk do të ishte çudi, që kryeministri Rama, i cili jo pak herë ka vendosur në poste drejtuese kyçe, politikane femra, t’i besojë këtë herë, Presidencën, Ministres Kodheli. Me gjithë dëshirën, për të bërë të vetën Presidencën, PS duhet të dakortësohet edhe me aleatin, Lëvizjen Socialiste për Integrim, që duket se negociata për këtë post nuk i ka në plan të parë, pasi siç ka deklaruar kryetari Meta, ende ka një president në detyrë. Në anën tjetër, pak javë më parë, kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi hapur mbështetjen e Partisë Demokratike për Presidentin Bujar Nishani, në rast se ky i fundit do të garojë për një mandat të dytë, si President.
Qëndrimi
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, gjatë intervistës së djeshme, foli edhe për takimin me drejtorin e CIA – s. Kodheli bëri me dije se në bashkëpunim me Agjencinë e Shërbimit të Inteligjencës së Ushtrisë është bërë i mundur parandalimi i ngjarjeve terroriste duke iu referuar , sulmit të planifikuar gjatë zhvillimit të ndeshjes Shqipëri – Izrael. “ Të gjitha këto e bëjnë Shqipërinë një vend interesant dhe pse jo edhe të vizitueshëm nga një ndër njerëzit më të pushtetshëm në botë siç është drejtori i CIA-s, me të cilin kam ndarë probleme serioze, por kam ndarë edhe falenderimet që ai ka sjellë për shkak të punës së mirë të bërë nga Agjencia e Shërbimit te Inteligjencës së Ushtrisë dhe ndarja e informacionit që kemi pasur me struktura të tjera të ngjashme, ku kemi evituar, këtë e them me përgjegjësi të plotë dhe me seriozitet, ngjarje shumë të papëlqyeshme edhe brenda vendit tonë, të planifikuar për të ndodhur tek ne,” – u shpreh ministrja. Ndërkaq Kodheli u shpreh se në rast se e majta fiton zgjedhjet e 2017 – ës ajo nuk do të mbajë më portofolin e Ministrisë së Mbrojtjes. “Do të ishte mirë që dikush tjetër të vinte dhe të jepte një frymë të re drejtimit të një institucioni që realisht ja vlen të vlerësohet për atë cka bën, përgjigjia është jo,” – theksoi ministrja Kodheli.