Lejoi barnat e paçertifikuara/ PD kallëzon sot në Prokurori ministrin e Shëndetësisë: Beqaj ndërhyri në tender

0
164

 

“Në vitin 2014 me një udhëzim, Beqaj i ka hapur rrugën e abuzimeve me miliarda lekë duke i dhënë mundësinë klientit të tij, “Delta Farma”, të futet në tregun e ilaçeve, me barna që mund të dëmtojnë rëndë shëndetin e qytetarëve”

Partia Demokratike do të depozitojë ditën e sotme në Prokurori një kallëzim për ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, me pretendimin se  ka ndërhyrë në tenderin e barnave dhe ka ndryshuar kriteret, duke i hapur rrugë barnave të paçertifikuara. Lajmin e bëri publik ditën e djeshme, zëdhendësja e demokratëve Ina Zhupa, e cila deklaroi se në vitin 2014, ministri i Shëndetësisë me anë të një udhëzimi i ka dhënë mundësinë “Delta Farma”, të hyjë në tregun e ilaçeve, me barna që dëmtojnë shëndetin e qytetarëve. Zhupa theksoi se 10 ditë pas shpalljes së tenderit, Beqaj ka urdhëruar ndryshimin e dokumenteve për procedurën e  prokurimit. “ Ilir Beqaj, ka ndërhyrë në tender, ka ndryshuar kriteret, dhe ka lejuar futjen e barnave të paçertifikuara. Ka vetëm një rast kur Ministri i Shëndetësisë mund të fusë në vend barna të paçertifikuara, vetëm kur vendi përballet me situata emergjente. Po cila ishte situata emergjente. Ua themi ne. Emergjenca e Ilir Beqës për të vjedhur. Në vitin 2014 me një udhëzim, Beqaj i ka hapur rrugën e abuzimeve me miliarda lekë duke i dhënë mundësinë klientit të tij, “Delta Farma”, të futet në tregun e ilaçeve, me barna që mund të dëmtojnë rëndë shëndetin e qytetarëve. Pasi e ka shpallur një tender publik, për blerjen e barnave spitalore me 11 mars, dhjetë ditë më pas, me shkresën nr. 1668/4 Prot, me këtë shkresë këtu, Ministri i Shëndetësisë urdhëron ndryshimin e dokumenteve të tenderit për procedurën e prokurimit,” – tha zëdhendësja e selisë blu.

Qëndrimi

Në deklaratën për media, zëdhendësja e PD-së, deklaroi se shkelja e ligjit nga ana e ministrit qëndron në faktin se Beqaj i hoqi detyrimin “Delta Farma” për dokumentat e vërtetimit të regjistrimit të medikamenteve dhe autorizimit nga prodhuesi. “Ilir Beqaj, i hapi rrugën klientit të tij për ta bërë fitues, duke hequr detyrimin për këto dokumenta:-Vërtetim për regjistrimin e medikamenteve të ofertuar ose çertifikatë regjistrimi nga QKKB.-Autorizim nga prodhuesi nëpërmjet të cilit konfirmohet se operatori ka të drejtën e tregtimit të barnave.Këto ndërhyrje të Beqës janë në shkelje flagrante të nenit 11, 47 dhe 18 të ligjit nr. 9323, datë 25.11.2004 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” i cili përcakton që: “Barnat që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë duhet të jenë të regjistruara.”Në shkelje të ligjit, por në përputhje të plotë me interesin personal,” – u shpreh zëdhendësja e demokratëve. Sipas të djathtëve, në përputhje me interesin personal, ministri ka favorizuar Delta Farma dhe nga ky biznes në treg kanë hyrë barna dëmtuese për jetën e qytetarëve. “ Kështu iu hap rruga mikut të Beqës, Delta Farma, që siç shihet nga ky dokumenti këtu ka bërë kërdinë me kontratat që i ka dhënë Ilir Beqaj. Ky biznes bëri që të hyjnë barna të pasigurta dhe dëmtuese për jetën e qytetarëve, siç janë rastet e bëra publike të Avastinës, që rezultoi i falsifikuar. Ilir Beqaj është përgjegjës për këtë aferë kriminale.Partia Demokratike, do të dorëzojë nesër një kallëzim penal në Prokurori për këtë çështje,” – theksoi zëdhendësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa. Ky është kallëzimi i dytë  i Partisë Demokratike ndaj ministrit të Shëndetësisë. Në muajin nëntor, deputetja demokrate, Albana Vokshi në emër të selisë blu depozitoi në Prokurori kallëzim penal për ministrin Beqaj nën akuzën e shpërdorimit të detyrës për abuzime me koncesionin e kontrollit shëndetësor bazë, i njohur i Check Up.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here