Nëse shekulli XXI, do ketë një Luftë të Ftohtë, Perdja e re e Hekurt do të bjerë në…

0
244

Në Narva, qyteti i Estonisë në kufi me Rusinë shumë banorë janë pro-Putinit. Ndodhemi në vendin e BE-së më të ekspozuar ndaj rrezikut të një lufte “hibride”, me të cilën Moska mund të provojë sërish operacionin “Ukraina”. Vetëm se këtu janë trupat e NATO-s. Dhe kjo përbën një dallim shumë të madh. Për të gjithë ne.

Nëse shekulli XXI, do ketë vërtet një Luftë të Ftohtë, Perdja e re e Hekurt do të fillojë pikërisht këtu, në këtë qytet dhe mbi këtë lumë. Është kufiri mes Perëndimit dhe botës së Vladimir Putinit. Sot nuk ka tela me gjemba dhe tanke. Por një vijë e kuqe është në mendjen e të gjithëve. Narva, Estoni, vend i ftohtë në kufirin ekstrem, pak kilometra nga Gjiri i Finlandës, që është ‘goja’ e Shën Petërsburgut dhe Rusisë në Detin Baltik.

Dhe lumi i saj, që gjithashtu ka të njëjtin emër, 80 kilometra që shënojnë ndarjen mes dy universeve dhe që në netët pa gjumë të NATO-s, mund të jetë porta e depërtimit rus në vendet Balltike dhe Evropë. Narva, ashtu si Donjecku, qyteti ukrainas që është zemra e luftës zvarritëse në Donbas, Ukraina e masakruar e Lindjes? Narva dhe Donjecku, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, ashtu si vendet e tyre janë binjakëzuar me njëra-tjetrën.

Për një pakt të vjetër, por ndoshta edhe një çështje fati. Dhe si në Donjeck, edhe në këtë qytet vetëm formalisht estonez prej 50.000 banorësh, shumica e popullsisë është ruse, 82 përqind, pasojë e Luftës së Dytë Botërore, kur për ta çliruar Ushtria e Kuqe e rrafshoi me tokën; pastaj Stalini e “ripopulloi” me dhjetëra mijëra emigrantë rusë. Ditën që Kremlini do të dojë të vërë nën presion Estoninë dhe vendet balltike, apo t’i ndajë ato, mund të gjejë në Narva qytetin për ta bërë këtë, me konsensusin popullor që do t’i duhej.

Jo shumë kohë më parë, drejtori i komunikimit të qeverisë estoneze, Ilmar Raag, thuhet se u ka kërkuar të rinjve të qytetit se cilin konsideronin udhëheqësin e tyre. Vladimir Putin, ishte përgjigja. Po, Narva mund të bëhet një Donjeck në të ardhmen. Edhe pse me një ndryshim të madh: Estonia është pjesë e NATO-s, Ukraina jo. Nëse sulmohet (por duhet kuptuar më parë se çfarë nënkuptohet me sulm), do të hyjë në fuqi detyrimi për vendet anëtare të vendeve të Aleancës Atlantike – Neni 5 – për ta mbrojtur kolektivisht.

Këtu, në vitin 2015, NATO zhvilloi një stërvitje ushtarake me sfilatën e tankeve në qytet, 300 metra larg nga kufiri rus. Por shumë në Perëndim, nuk duket se janë të gatshëm të ndërhyjnë nëse gjendja përshkallëzohet:”Të vdesim për Narvan?”, është pyetja cinikisht ironike që dëgjohet shpesh. Ndryshim qëndrimi. Është në fakt e pamundur, që ushtarët rus të kapercejnë kufirin me flamujt e shpalosur, në ndonjë pikë të 80 kilometrave lumë që shënojnë kufirin me Estoninë. Putini e di këtë dhe e ka thënë:vetëm një i çmendur do të mendonte të sulmonte NATO-n.

Problemi, në mendimin e shumë evropianëve dhe amerikanëve, nuk është faktikisht rreziku i një pushtimi të drejtpërdrejtë. Është e ashtuquajtura “luftë hibride” ajo që shqetëson, e ngjashme me atë që po zhvillohet në Ukrainë:ushtarë pa flamuj dhe shpesh të maskuar, por të mbështetur nga Moska, dizinformim i vazhdueshëm, organizim i aktiviteteve politike propruse dhe separatiste, spiunazh, provokimeve, sulme. Kaos.

Disa shenja tashmë ekzistojnë: në shtëpitë e Narvas, televizorët stacionohen tek televizoni rus që nuk kursehet në propagandë dhe fabrikimin e historive të ndryshme; zyrtarët publikë denoncojnë qeverinë e kryeqytetit – Talin, nga këtu më larg në krahasim me Shën Petërsburgun – pse neglizhon dhe penalizon popullatën me origjinë ruse. Bazat për të formuar një kolonë të pestë brenda Estonisë ekzistojnë:në rast se Putini vendos, mund ta bëjë.

Ndër të tjera, situata politike estoniane është kthyer në favorin e tij. Në 20 nëntor, pas një krize qeveritare që solli rrëzimin e kryeministrit properëndimor, Taavi Roivas, kryeministër i ri u emërua Juli Ratas nga Qendra, një parti proruse. Zyrtarisht, Ratas ka siguruar besnikërinë e tij ndaj BE-së dhe NATO-s, dhe po e drejton lëvizjen e tij në pozicione më pak të afërta me Kremlinin:megjithatë ndryshimi i qeverisë shqetëson strategët perëndimorë.

Pra në këtë cep të verilindjes së Bashkimit Evropian, mund të jetë i mundur në të ardhmen e afërt një konflikt i ashpër:i ngjashëm ndoshta me atë ukrainas, por shumë, shumë më i rrezikshëm dhe i aftë të destabilizojë BE-në. Në Berlin, shqetësimi është shumë i madh. Disa javë më parë, Presidenti Federal Joakim Gauck u takua me homologun estonez, Kersti Kaljulaid.

“Ne duhet të punojmë bashkë në gjirin e aleancës me partnerët tanë kundër luftës dhe konflikteve, por edhe kundër forcave përpjekjeve të Rusisë për pushtet”- tha Gauk, që në politikën e jashtme në përgjithësi është në të njëjtën linjë me Angela Merkelin. Për të shtuar më pas: “Edhe kur duhet të sigurohet stabiliteti i shteteve baltike, Gjermania qëndron në krah të Estonisë”.

Po cila është frika e gjermanëve, dhe madje edhe vendeve skandinave? Bindja e Frau Merkelit, e maturuar pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë, është se Putini dëshiron të destabilizoj BE-në, të ndajë evropianët dhe t’i shkëpusë ata sa më shumë të jetë e mundur nga aleanca me Amerikën. Në thelb, kërkon neutralizimin e NATO-s: në këtë kuptim, ndërhyrja me një formë të luftës hibride në një vend të NATO-s, dhe vërtetimi se perëndimorët s’kanë guxim të vënë në zbatim nenin 5 të mbrojtjes kolektive, do të ishte për Moskës një triumf ushtarako-diplomatik, që modifikon skenarin evropian të raporteve të forcës.

Kjo do t’i mundësonte Kremlinit të niste rivendosjen e zonave ruse të ndikimit mbi një seri vendesh, të cilat Moska nuk pushon së cilësuari si satelite të saj:Ukraina, Bjellorusia, shtetet balltike, Gjeorgjia, Moldavia, disa shtete të Ballkanit. Narva mund të jetë preludi i dominimit.

Për disa javësh, shqetësimi në NATO dhe tek shumë vende të BE-së, është në rritje. Kjo për shkak se Donald Tramp, është shprehur i gatshëm të arrijë një marrëveshje të re me Putinin. Dhe presidenti rus reagoi pozitivisht.

Frika e një distancimi, qoftë edhe të pjesshëm, nga Evropa nga ana e presidentit të ri amerikan që mund t’i hapë rrugën iniciativave, pikërisht në logjikën e sferave të ndikimit, është bërë akute. Sidomos nëse të dy presidentët do të mendojnë për një lloj Jalte të re. A mundet Estonia dhe shtetet e tjera balltike, ta gjejnë papritmas veten jo më nën mbrojtjen e NATO-s, dhe në atë pikë një shenjestër e lehtë për hegjemoninë ruse?

“Nuk jam i sigurtë nëse do të rrezikoja shkaktimin e lufte bërthamore, për një vend që është periferi e Shën Petërsburgut”- ka thënë Tramp gjatë fushatës zgjedhore lidhur me Estoninë. Balltikët ndjejnë rrezikun e kthimit në viktima të një ndarjeje pushteti, pasi kanë besuar se mbroheshin nga umbrella e NATO-s. “Kjo është një dëshmi, se historia nuk përfundon asnjëherë”- thotë Juri Luik, ish-ministër estonez i Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes.

Raketa dhe propagandë. Në frontin lindor të Evropës, pikat e krizës mund të jenë të shumta. Për shembull në tetor, Moska vendosi raketat Iskander, të afta për të hedhur mbushjet bërthamore, në enklavën e Kaliningradit, territor i mbyllur ndërmjet Polonisë, Lituanisë dhe Detit Balltik. Dhe në nëntor, vendosi edhe lëshuesit e raketave Bastion. NATO e denoncoi këtë akt si një “sjellje ushtarake agresive”.

Dhe zona të tjera të tensionit do të hapen ndoshta në muajt e ardhshëm, ndërsa gradualisht aleanca perëndimore forcon, sikurse ka vendosur të bëjë, mbrojtjen e saj në 3 shtetet balltike dhe Poloni, dhe kur avionët ushtarakë rusë vazhdojnë të fluturojnë mbi Balltik. Përveç kësaj, Moska vazhdon të ndërhyjë në punët e brendshme të Evropës.

Për shembull, shërbimet gjermane të sigurisë, kanë paralajmëruar se vendi duhet t’i druhet sulmeve kibernetike gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare vjeshtën e ardhshme. Rubla do të vazhdojë të furnizojë lëvizjet nacionaliste në vendet e Evropës Perëndimore, që simpatizojnë njeriun e fortë të Kremlinit. Propaganda e mjeteve ruse të komunikimit, duke filluar nga rrjeti televiziv ‘Russia Today’, do të insistojnë tek dezinformimi. Për të ndarë dhe fuqizuar të ashtuquajturit “Kuptues të Rusisë” në Perëndim, ose ata që shprehen se i kuptojnë arsyet e Moskës:qofshin qeveritë që udhëhiqen nga pragmatizmi dhe interesi, si ato të Italisë, Francës dhe Finlandës; qofshin identitetarë, si dy milionë banorët me origjinë ruse në Gjermani dhe pakicat e forta etnike në shtetet baltike; qofshin partitë autoritare, si Jobbik në Hungari, Alternativa për Gjermaninë në Gjermani, Lega Nord në Itali dhe Frontit Kombëtar në Francë.

Megjithatë kufiri i parë i të mundshmes, një Luftë e re e Ftohtë, do të jetë ai që fillon nga Gjiri i Finlandës, zbret përgjatë lumit Narva, në kufirin mes Letonisë dhe Rusisë, dhe më tej ndërmjet Lituanisë dhe Bjellorusisë. Në kështjellën mesjetare të Narvas, sot valëvitet flamuri i Estonisë. Përtej lumit, në kështjellën e shekullit XVI të Ivanogradit, qytetit përballë, triumfon flamuri rus. Njëri prej tyre mund të valëvitet më gjatë. /“Sette” – bota.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here