Një ditë pas grabitjes së një banke të nivelit të dytë pranë zonës së “21 dhjetorit” në Tiranë, policia ka zbuluar imazhin e njërit prej autorëve. Nga filmimet e kamerave të sigurisë, dallohen dy grabitësit e armatosur dhe të maskuar, të cilët u larguan me motor.
Nga verifikimi i materialeve, rezulton se grabitësit u larguan pasi në bankë ra alarmi pa mundur të hapin kasafortën. Në videon e publikuar nga “News 24”, duket momenti kur grabitësit largohen me shpejtësi në një rrugicë në pjesën e pasme të bankës.
Në video dallohet se njëri prej grabitësve mban të veshur një xhup të kuq, ndërsa tjetri të zi.
Në momentin e hyrjes në bankë ata mbanin shall dhe kapele për të mos u identifikuar, ndërsa brenda bankës kanë lënë edhe pistoletën me të cilën kërcënuan rojën e bankës.
Dy grabitësit morën paratë e kasës, pa mundur të arrinin te kasaforta, ndërkohë që harruan brenda edhe një armë.