Kalendari i datave/ Nga sot nis ndarja e shpërblimeve për pensionistët. Skemë e re për pensionin social

0
242

 

Gjatë një takimi me pensionistët kryeministri Rama ka thënë se me skemën e re të pensioneve edhe ata që nuk kanë derdhur asnjë kontribut shteti do tu japë pension social

 

Sejrie Baleta

 

Duke filluar nga e sot  të gjithë pensionistët do të marrin se bashku me pensionin edhe shpërblimin e fundvitit të caktuar nga qeveria. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nënshkruar marrëveshje me postën e cila do të bëjë shpërndarjen e parave. Pensionistët që marrin pensionin nëpërmjet shërbimit postar, do të marrin në të njëjtën mënyrë edhe shpërblimin. Sakaq, për ata pensionist të cilët e kanë kaluar ditën e pensionit, është hartuar një grafik  për ditët në të cilën do të marrin shpërblimin e fundvitit.  Shpërndarja e parave do të behët në bazë të një grafiku. Posta Shqiptare dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore  tashmë kanë vendosur datat ku pensionistët mund të tërheqin shpërblimet, pa shkaktuar radhë. Astrit Hado drejtori i përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore deklaroi se shpërndarja e shpërblimit në këtë mënyrë është bërë traditë. Majlind Lazimi, drejtori i postës, deklaroi se shpërndarja e shpërblimeve do të realizohet edhe për pensionistët që nuk kanë mundësi të lëviznin nga shtëpia, por do të jenë punonjësit e postës që do t’ju çojnë shpërblimin në shtëpi.  Pra prej ditës së sotme pensionistët do të kenë mundësi të tërheqin në zyrat e Postës Shqiptare shpërblimin e fundvitit prej 6 mijë lekësh të rinj. “ Instituti i Sigurimeve Shoqërore janë siguruar të gjitha fondet e marra nga Thesari i Shtetit. Janë transferuar pranë drejtorive rajonale dhe filialeve të Postës në tërë Republikën dhe sot në mëngjes me hapjen e zyrave postare të gjithë pensionistët që kanë datën e tërheqjes përveç këstit mujor do të tërheqin edhe shpërblimin” tha Hodo.  Ndërsa nga ana tjetër Drejtori i Postës Shqiptare, Majlin Lazimi njoftoi se deri në datën 29 dhjetor Posta do të punojë me dy turne. “Duke filluar që nesër nga ora 7 e gjysmë e mëngjesit deri në 8 të darkës, Posta Shqiptare do të punojë me dy turne, përfshirë edhe ditën e shtunë dhe të hënën, pavarësisht se janë ditë pushimi” tha Lazimi. Për 150 mijë pensionistët që e marrin pensionin me shërbim në shtëpi, tha se ky shërbim për ndarjen e shpërblimeve do të jetë falas.  “Shpërblimi i mbi 150 mijë pensionistëve në shtëpi që sot ne e kryejmë si shërbim çdo muaj, ky shërbim do të jetë falas. Besoj se kjo do të jetë kartolina më e mira që Posta mund t’u bënte pensionistëve “ tha Lazimi. Posta Shqiptare dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi përmes së cilës kanë përcaktuar kalendarin e ndarjes së shpërblimeve. Të gjithë ata që nuk do të mund të tërheqin këtë shpërblim deri në datën 30 dhjetor, do të mund ta marrin atë bashkë me tërheqjen e pensionit në muajin janar e në vazhdim.
Marrëveshja

 

“Mbështetur në VKM nr. 885, datë 16.12.2016 “Për shpërblimin e pensionistëve për festat e fundvitit, 2016”, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare sha, nënshkruan dje marrëveshjen, ku Posta Shqiptare merr përsipër të kryejë pagesën e shpërblimit të festave të fundvitit pensionistëve, në qendrat e saj paguese, duke organizuar punën sipas një grafiku të veçantë, të miratuar për këtë qëllim, me orar veprimi nga ora 07.30 deri në orën 20.00, çdo ditë, duke filluar nga data 21.12.2016. Pagesat e shpërblimit evidentohen me listë pagesë të veçantë. Listë pagesat do jenë ato që përdoren për pagesat e pensioneve. Në rastet e pagesave për persona të autorizuar, dokumentet e identifikimit do të shërbejnë edhe për pagesën e pensionit. Më poshtë do të keni grafikun e shpërndarjes së shpërblimit për pensionistët. Pagesa e shpërblimit do të kryhet në qendrat paguese të pensioneve në të gjithë vendin, duke filluar nga data 21 – 30.12.2016. Grafiku i shpërndarjes së pagesave është pjesë e marrëveshjes midis ISSH dhe Postës Shqiptare sha. Të gjithë ata që nuk do të mund ta tërheqin këtë shpërblim deri më 30 dhjetor do të mund ta marrin atë bashkë me tërheqjen e pensionit në Janar e në vazhdim”,  thuhet në njoftim.

 

Rama: Asnjë kontribut, shteti do t’u japë pension social

 

Dje kryeministri Rama ishte i pranishëm në një takim me pensionistët tek “Pallati i Kongreseve”. Gjatë takimit me ta ai u shpreh se me skemën e re të pensioneve të gjithë ata që nuk kanë paguar kontribute, do të marrin pension social  nga  shteti. “Kushdo që është në pension por nuk ka dhënë asnjë kontribut, shteti do t’u japë pension social. Me skemën e vjetër do kishim të moshuar lypsa, sepse mos të harrojmë që ka dhe pensionistë pa fëmijë që t’i ndihmojnë. Ka dhe të vetmuar. Ku të gjenin para ata pastaj? Kështu i dënoi politika e vjetër,” tha kryeministri.  Rama gjithashtu shtoi se me reformën dhe skemën e re që qeveria ka ndërmarrë, pensionet janar rritur me 17.7% “Volumi me para që shteti kontribuon për pensionet është rritur 17.7% falë reformës dhe skemës së re të sigurimeve shoqërore. Do t’i japim mundësi pensionistëve ta përcaktojnë vetë pensionin e tyre, për ata që janë në punë sot, ose për ata që dalin pas reformës dhe t’i japin mundësi qeverisë të investojnë më shumë në shkolla e çerdhe etj. Çfarë kemi bërë nuk mjafton, jemi të vetëdijshëm. Unë prapë përësëris jam i pakënaqur me atë që kemi bërë. Ne do rrisim pensionet duke filluar nga 1 marsi ”, tha Rama në takimin me pensionistë.

 

Rriten kontributet

 

Të pranishëm në takimin me pensionistët ishin dhe ministri i Mirëqëniës Sociale dhe Rinisë Blendi  Klosi dhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj.  “Vetëm  në dy vite kemi shtuar 20% më shumë kontribute. Kjo është e vërteta. Kjo është ajo që kemi kërkuar të bëjmë gjatë gjithë këtyre muajve. Në skemën e re hoqëm pension tavan nga 24 mijë lekë që ka shkruar 37 mijë lekë. Ulëm moshën në pension për minatorët dhe tashmë po e bëjmë edhe për naftëtarët. Sot janë shumë më shumë pensionistë që duhet të përfitojnë. Ne reduktuam dyfish numrin e atyre që ankohen në zyrat e pensioneve. Sot falë një serë vendimesh kemi arritur të përgjysmojnë numrin e ankesave në sistemet gjyqësore”, tha Klosi. Por nga ana tjetër ministri Klosi deklaroi se Arkiva Qendrore e Sigurimeve shoqërore po dixhitalizohet ndërsa theksoi se fokusi i kësaj qeverie është që pensionistët përveçse të marrin pensionin duhet të jetojnë në mirëqenie. “Arkiva Qendrore e Sigurimeve shoqërore po dixhitalizohet. Sistemi vinte nga një kaos i pafund dokumentesh”, u shpreh ministri. Ndërsa ministri i financave, Arben Ahmetaj deklaroi se: “Fondi i fundvitit është 40 milionë dollarë, fondi i rritjes së pensioneve vitin tjetër është 36 milionë dollarë. Vetëm në 4 muaj Qeveria akordon për moshën e tretë 76 milionë dollarë”.

Edi Rama u tregon bërrylin kritikëve për shpërblimet e fundvitit

 

Në takimin me pensionistët ku i njohu me shpërblimin për festat e fundvitit në kuadër të paketës së solidaritetit që ka parashikuar qeveria, kryeministri Rama iu përgjigj edhe kritikave në adresë të tij. Ai tha se vërtet qeveria e tij nuk ka bërë dot sa duhet, por ata që flasin nuk kanë bërë asgjë. Dhe për të thënë këtë Rama s’u mjaftua me fjalë por e ilustroi me shenja, duke treguar bërrylin. “Nuk bëjmë dot sa duhet por ama çdo gjë që mundemi ne do ta bëjmë për ju dhe gjithë shqiptarët. Dhe ata që flasin të flasin sa të duan por për të bërë këtë kanë bërë (tregon bërrylin) dhe vetëm këtë mund të bëjnë për shqiptarët”, tha Rama.

 

 

 

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here