PS amniston ndërtuesit pa leje dhe vjedhësit e energjisë, përfitojnë personat e dënuar me burg deri në 3 vjet. Manjani: Me dy vjet e një ditë nuk është kundravajtje por krim
Ambrozia Meta
Prania e opozitës në Komisionin e Ligjeve dhe propozimet e reja të Partisë Socialiste sollën një sërë ndryshimesh në amnistinë e përpiluar nga Ministria e Drejtësisë dhe të miratuar nga qeveria dy javë më parë. Propozimet e socialistëve dhe demokratëve, të miratuara ditën e djeshme, ndryshojnë listën e kategorive që përfitojnë nga amnistia. Me kërkesë të Partisë Demokratike, nga lista e përfituesve do të përjashtohen kultivuesit e drogës dhe personat e dënuar për shitblerje vote. Demokratët megjithëse e cilësuan alogjike përsëritjen e amnistisë çdo vit, kërkuan përfshirjen në amnisti edhe për personat që janë dënuar me kundravajtje apo gjobë. “Është alogjike që amnistitë të bëhen vit për vit. Te hiqen kritere lejuese siç kanë ato që lejojnë drogën. Nese do të ketë një rishikim të tyre opozita do ta votojë këtë amnisti. Për ata që kanë marrë një gjobë, që kanë marrë një kundravajtje. Me amnisti për Prengën nuk jemi ne,” – u shpreh deputeti demokrat Eduard Halimi. Edhe Partia Socialiste ishte në një mëndje me demokratët për amnistinë e personave që janë dënuar me gjobë apo dënime të tjera alternative.
Dsikutimi
Relatori, Ulsi Manja prezantoi edhe ndryshimin tjetër thelbësor të propozuar nga PS, sipas së cilit nga amnistia përfitojnë personat e dënuar deri në 3 vjet burg, ndryshe nga propozimi i Ministrisë që parashikonte amnisti për dënime deri në 2 vite. Partia Socialiste amnistoi personat që janë dënuar për ndërtime pa leje dhe vjedhje energjie deri në 10 dhjetor të vitit 2016. “Amnistohen personat e dënuar të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim deri ne 3 vjet ose çdo lloj dënimi më të butë duke përfshirë gjobën ose çdo lloj tjetër dënimi alternativ,” – deklaroi Manja. Por, propozimi i Socialistëve, nuk gjeti mbështetjen e ministrit të Drejtësisë, i cili shtrirjen e amnistisë tek persona të dënuar me 3 vite burg, e cilësoi jo më si kundravajtje, por krim. “ Me dy vjet e një ditë nuk është kundravajtje por krim. Ideja është që të amnistojmë dhe krimin është tërësisht përgjegjësi e parlamentit,” – tha Numri Një i Drejtësisë. Nga kategoritë përfituese të amnistisë u përjashtuan edhe personat me dëmtime fizike dhe të sëmurit terminalë, pasi një pjesë e deputetëve deklaruan se këto kritere janë natyrë e faljes së dënimit, nga Presidenti i Republikës. Merakun e Demokratëve për një amnisti të mundshme për Armando Prengën i cili është dënuar për plagosje me dashje, e hoqi përfundimisht propozimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. LSI, përmes deputetit Petrit Vasili kërkoi përjashtimin nga amnistia për të gjithë ish -zyrtarët publikë nën hetim. “Krahas formulimit që ka sjellë Ministria e Drejtësisë, unë mendoj që është e domosdoshme të ketë një përcaktim shumë më të qartë të mëtejshëm dhe do ti propozoja Komisionit të merrte në konsideratë shtesën e një pike 3 nënë nenin 6. Pika 3 është: Nuk përfitojnë nga ky nen të gjithë personat të cilët mbajnë apo kanë mbajtur një funksion publik dhe që janë subjekt i ligjit numër 138, viti 2015, për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen dhe ushtrojnë funksione publike, i ndryshuar, – deklaroi Vasili, duke prezantuar propozimin e LSI. Amnistia u miratua me votat e mazhorancës dhe pavarësisht se demokratët votuan pro për disa nene, në parim ata abstenuan për projektligjin e amnistisë.
Në bazë të ndryshime të reja nga amnistia:
Do të përfitojnë të gjithë personat që janë dënuar me vendim të formës së prerë deri në 3 vite
Përjashtohen nga amnistia të gjithë personat e dënuar për kultivim të kanabisit, për shitblerje vote, të sëmurët terminalë dhe vjedhësit
Nga amnistia nuk përfitojnë ish – zyrtarët publikë të cilat janë nën hetim
Në fillim të vitit do të lirohen nga burgjet, personat që janë dënuar me vendim të formës së prerë për ndërtime pa lejë dhe për vjedhje energjie deri në 10 dhjetor të 201
Falen dënimet me gjobë
Propozim i LSI –së
Nuk përfitojnë nga amnistia ish-zyrtarët publikë që janë nën hetim
Lëvizja Socialiste për Integrim, propozoi ditën e djeshme një shtesë në nenin 3, sipas të cilës, nga amnistia nuk do të përfitojnë ish – zyrtarët që kanë mbajtur poste publike dhe janë nën hetim, ose në proces shqyrtimi nga gjykatat. Deputeti i LSI – së, Petrit Vasili propozoi këtë shtesë, në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve. “ Nuk përfitojnë nga ky nen të gjithë personat të cilët mbajnë apo kanë mbajtur një funksion publik dhe që janë subjekt i ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtojnë funksione publike”, i ndryshuar. Personat funksionarë publike të cilët ndiqen penalisht për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre për veprat penale të kryera deri në 30 nëntor 2016, do të vazhdojnë t’i nënshtrohen ndjekjes penale duke u hetuar dhe gjykuar, pavarësisht parashikimeve të këtij neni,” – thuhet në propozimin e LSI-së.
Debati
Halimi: Po bëhet amnisti vit për vit. Hysi-Xhafaj: Nuk është humane o Fatmir!
Eduard Halimi: Pikë së pari qëndrimi që po mban qeveria dhe po bën amnisti vit për vit. Argumenti i mbipopullimit nuk vlen. Nuk ka logjikë nëse marrim edhe shifrat për amnistitë që janë bërë që nga viti 1991. Ndërkohë që ne bëjmë vit për vit amnisti. Ne si opozitë gjykojmë se nëqoftëse do bëhet një amnisti duhet të jenë ata që janë për dënime alternative, ata që janë dënuar me gjobë. Vendi është kthyer në Kolumbi dhe kur vjen puna amnistojmë tani drogën.
Fatmir Xhafaj– Ju jeni apo nuk jeni për amnisti?
Eduard Halimi: Është alogjike që amnistitë të bëhen vit për vit. Te hiqen kritere lejuese siç kanë ato që lejojnë drogën. Nëse do të ketë një rishikim të tyre opozita do ta votojë këtë amnisti. Për ata që kanë marrë një gjobë, që kanë marrë një kundravajtje. Me amnisti për Prengën nuk jemi ne.
Arben Ristani: Kundër jemi sepse mendojmë qe nuk duhen amnistuar njerëzit që blejnë vota, njerëzit e drogës, njerëzit që kanë plagosur me dashje. Jemi në prag të zgjedhjeve dhe në momentin që japim amnisti për blerjen e votës, kemi dhënë një mesazh shume të keq.
Eduard Halimi: Bëhet për të liruar disa eksponentë droge nga Shqipëria e Mesme. Aktet janë gati dhe opozita do t’i publikojë.
Eduard Halimi: Nuk është fare në natyrën e amnistisë as ka qenë ndonjëherë në Shqipëri. Këto kritere janë natyrë e faljes së Presidentit. Janë tek ligji i faljes.
Fatmir Xhafaj: Presidenti ka pune me shortin e KLD.
Vasilika Hysi: U ftoj te shikoni si jetojnë në burgje persona që janë 80–vjeç, të gjymtuar dhe në ditët e fundit të jetës. Nuk është humane o Fatmir.
Tahiri Muhedini: Nuk duhet të mbahen më në burgje, nuk kanë çfarë të japin më aty.
Ulsi Manja: Çështja e të sëmurëve terminale të dënuar me vendim të formës së prerë duhet konstatuar hap pas hapi. Për secilin nga rastet duhet të shprehet në Gjykatë.
Fatmir Xhafa: Ose do shprehim një qëndrim humanist njerëzor, a mund ta bejmë a mund te mos ta bëjmë është tjetër gjë.