Gjykata ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Astrit Kotaj, ish – Drejtorin e burgut të qytetit të Durrësit. Kotaj u arrestua mbrëmjen e së mërkurës, pas hetimeve për lirimin me kusht të kreut të “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha.
Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë, rezulton se Drejtori i Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (burgut) dhe juristi i këtij institucioni, Tedi Labi, kanë llogaritur në mënyrë të jashtligjshme kohën e qëndrimit në burgim të Berishës.
Në bazë të shqyrtimit të dosjeve përkatëse të burgut Durrës, Prokuroria ka arritur në konkluzionin se i dënuari Lulzim Berisha duhej të kryente edhe të paktën 2 vjet e 7 muaj burgim, para se të mund të përfitonte nga parashikimet ligjore për lirimin me kusht.
Prokuroria e Durrësit ka krijuar dyshime të arsyeshme se zyrtarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementet e veprave penale të “Shpërdorimi i detyres” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.