Kam ardhur 10 ditë para Festivalit në Tiranë, e kam ndenjur 5 ditë kot në hotel, duke mos pasur në dorë asnjë material. Nuk shkuan gjërat ashtu siç mendova. Nuk kalova një provë të vetme të lidhur nga fillimi deri në fund. Skenarin, dy netët e fundit e kam marrë në dorë 2 orë para shfaqjes”. Këngëtarja Ledina Çelo vjen në intervistën e saj të parë pas mbylljes së Festivalit të 55-të të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, ku ajo ishte prezantuese dhe një ndër emrat më të përfolur të tij. Eventi më i rëndësishëm muzikor në vend, në të cilin më herët ka qenë edhe fituese, i rezervoi Ledinës jo vetëm komente në rrjetet sociale.
Nga prezantimi, te fustani i tejdukshëm që mbante veshur një nga tri netët, Ledina Çelo në intervistën e saj për “GSH”, jep sqarimin e saj. Këngëtarja shprehet se fustani për të cilin u përfol, nuk ishte qëllim në vetvete dhe se e gjithë zhurma erdhi për shkak të një fotoje me blic, çka nënkupton sipas saj se pa blic dhe me ndriçimin e skenës ai nuk do dukej siç u duk.
Mandej, ajo jep përgjigje për pse-të e ngritura, duke theksuar se nuk do të justifikohet. Këngëtarja shton se çfarë do të kishte dashur të ishte ndryshe dhe pse shumë ide të sajat nuk u realizuan.
– Ledina, sapo mbylle përvojën si drejtuese e Festivalit të 55-të të Këngës në RTSH. Si ishte për ty? Do ta përsërisje sërish nëse do të ta kërkonin?
Në radhë të parë falënderoj TVSH-në për ftesën, duke më vlerësuar mua për të drejtuar një eveniment të përmasave të tilla, aty ku dhe nisi rrugëtimi im, e që më lidh me kujtime e emocione nga më të bukurat. Në momentin që m’u ofrua ky projekt, të jem e sinqertë, e mora me rezervë, për faktin se isha shkëputur nga angazhimet e mia artistike për një kohë relativisht të gjatë (prej ardhjes në jetë të dy fëmijëve të mi). Por dëshira e madhe për t’u takuar me publikun dhe magjia e asaj skene, më bëri të mos i rezistoja tundimit.
– Çfarë nuk shkoi mirë?
Nuk shkuan gjërat ashtu siç mendova. Dua të përmend vetëm një fakt, që nuk kalova një provë të vetme të lidhur nga fillimi deri në fund me artistët pjesëmarrës. Më saktë, do të thosha që nuk u bë qoftë edhe një provë gjenerale. Gjithashtu, skenarin, dy netët e fundit e kam marrë në dorë 2 orë para shfaqjes. Nuk e them këtë për t’u justifikuar, por kjo është e vërteta. Kam ardhur 10 ditë para Festivalit në Tiranë, e kam ndenjur 5 ditë kot në hotel, duke mos pasur në dorë asnjë material. Dhe, shumë ide të miat që i kisha menduar në pikën time më të fortë të këndimit, ishte e pamundur të realizoheshin.
– Cili ishte momenti më i bukur për ty?
Momenti më i bukur ishte muzikali i këngëve ndër vite dhe hologrami i Vaçe Zelës. Sigurisht, edhe pjesëmarrja e artistes botërore Inva Mula, skenografia për mua ka qenë madhështore… Do doja që atij kolazhi t’i renditeshin më shumë emra që i kanë dhënë asaj skene, si motrat Libohova, Manjola Nallbani, Ardit Gjebrea, Sabri Fejzullahu, Kozma Dushi, Bashkim Alibali, Frederik Ndoci etj., ose të vendoseshin në monitor të gjithë këta artistë, po për limit kohe nuk mund të këndoheshin më shumë në një kolazh.
– Çfarë mund të na thuash për fustanin që bëri namin në rrjetet sociale?
Ndër vite, veshjet e mia kanë qenë ekstravagante. Ashtu siç të gjitha veshjet e stiluara aq bukur dhe aq stil nga “Geraldina Sposa”. Dua të përmend që ai fustan i zi që u përfol aq shumë, nuk ishte si qëllim në vetvete, por një foto e vjedhur me blic për qëllime dashakeqe në drejtim të atij evenimenti. Kurrë nuk kam dashur të keqkuptohem e të ofendoj spektatorin dhe ato figura emblematike që i kanë dhënë atij festivali.
– Je penduar që e veshe?
Unë e vesha me dëshirën time atë fustan, pasi edhe ndriçimi në atelie, ishte në parametrat e skenës kur bëmë provën. Gjithçka, siç e thashë edhe më lart, ishte efekti surprizë i fotos së vjedhur me blic. Dua të shtoj edhe këtë: shoh një konkurrencë të pisët nëpërmjet kanaleve konkurrente. Ne artistet japim mesazhe, dhe unë ndër vite me këngët e mia, i kam kënduar dashurisë, mirësisë, kundër urrejtjes e emancipimit të gruas, që fatkeqësisht lë për të dëshiruar.
– Kur do të vish sërish në Shqipëri?
Ndoshta në pushimet verore. Dhe, pse jo, atëherë edhe me një bashkëpunim.
– Çfarë u uron shqiptarëve për Vitin e Ri?
Shqiptarëve u uroj sa më tepër dashuri e pozitivitet./GSH