Pas sulmit terrorist natën e Vitit të Ri në klubin e natës në Ortaköy të Stambollit, ku mbetën të vdekur 39 persona, Turqia ka nisur hakmarrjen ndaj militantëve të ISIS. Aeroplanët luftarakë dhe tanket turke kanë ndërmarrë një operacion ku synohet objektivat e ISIS në Siri.
Në pamjet nga ajri të publikuara nga mediat ndërkombëtare shihen aeroplanët luftarakë duke goditur çerdhet e ISIS afër qyteteve siriane, al-Bab, Tadif dhe Bzagah, duke vrarë të paktën 22 ekstremistë dhe duke shkatërruar disa ndërtesa.
Policia turke ka zbuluar foton e të dyshuarit që kreu sulmin, i cili mendohet të jetë nga Turkestani Lindor ose nga Afganistani. Inteligjenca turke beson se ai është anëtar i filialit të ISIS në Turkestanin Lindor. Ekipet e Departamentit për Luftimin e Terrorizmit në Stamboll kanë nisur një hetim pas arratisjes së terroristit që kreu sulmin, ndërsa po punojnë për kapjen e tij.