Janë rreth 230 milionë euro borxhe që kompania Kurum, e cila shpalli kërkesën për faliment me qëllim ristrukturimi në shkurt 2016, u ka të tretëve, kryesisht banka vendase dhe të huaja. Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës ka përcaktuar zyrtarisht se cilët do të jenë kreditorët që do të njihen si të tillë nga procesi i falimentimit për riorganizimin e Kurum, një prej eksportuesve më të mëdhenj në vend. Janë rreth 27 subjekte që u është njohur pretendimi, ndërsa është përjashtuar nga kjo e drejtë për shumën e rreth 149 milionë lekëve, IFC-ja. Kreditori më i madh është Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) me 55 milionë euro, por kjo kredi është e siguruar. Më pas vjen Banka e Detit të Zi, me 30.5 milionë euro, edhe këto të siguruara. Nga bankat vendase, kreditori më i madh është Raiffeisen, me 21 milionë euro, nga të cilat vetëm 5.2 mln euro janë të siguruara. I dyti është Banka Kombëtare Tregtare, ndaj të cilit Kurum ka një hua të pashlyer prej rreth 10.2 milionë eurosh, gjysma e së cilës është e siguruar. Më pas janë Societe Generale me 5 milionë euro, NBG me 3.6 milionë euro dhe Pro Credit me 500 mijë euro. Totali i kredisë që Kurum ka në bankat shqiptare është 42 milionë euro (kredi + interesa). Shtimi i huasë së Kurum në listën e kredive me probleme ishte një nga faktorët kryesorë që rriti treguesin e NPL-ve përgjatë 2016-s. Ndaj kompanive vendase, detyrimet që ka Kurum janë rreth 600 mijë euro, ku pjesa më e madhe i përket A&V GAS, me rreth 506 mijë euro. Kurum ka kredi të mëdha edhe ndaj bankave turke e të tjera, me rreth 85 milionë euro.