Miodrag Soric/ DW
Vetëm disa orë pas marrjes së postit, Donald Trump do t’i “anulojë” përmes “executive orders” pjesë të sigurimit shëndetësor të njohur si “Obamacare”, tha zëvendëspresidenti i caktuar prej tij, Mike Pence. Si rrjedhojë, kongresistët demokratë janë të alarmuar. Edhe më tepër duhet të jenë të alarmuar miliona amerikanët, të cilët nuk kanë pasur sigurimë shëndetësore para miratimit të Obamacare. Sepse dekrete të tilla Presidenti amerikan mund t’i nxjerrë pa përgatitje të gjatë dhe pa miratimin e Kongresit.
Presidenti ende në detyrë, Barack Obama diskuton tani me mbështetësit e tij në Kongres se si mund të hedhin megjithatë rërë në motorin republikan. Demokratët duhet të refuzojnë dhe të mos i ndihmojnë në asnjë mënyrë republikanët që të reformojnë reformën shëndetësore të Obamas, këshillon Obama. Kjo në një kohë kur Trump ka bërë të ditur disa herë se ai i vlerëson pa dyshim pjesë të Obamacare dhe ka ndër mend t’i mbajë ato: njerëzit që kanë sëmundje duhet të mbeten edhe më tej të siguruar. Të rinjtë do të mbeten të mbrojtur nga sigurimi shëndetësor i prindërve, deri në moshën 26 vjeçare. Megjithatë, të gjitha këto kushtojnë para. Dhe ajo që ka premtuar para së gjithash Trumpi dhe republikanët, është që ta bëjnë më të lirë sigurimin shëndetësor. Se si mund të bëhet kjo, këtë nuk e ka shpjeguar askush në mënyrë të qartë. Turbull republikanët kanë bërë të ditur se do të fusin më shumë konkurrencë në sistem. Një reformë përkatëse madje mund të zbatohet edhe me mbështetjen e demokratëve.
Kursi i konfrontimit vazhdon
Por deklarata e sotme e zëvendëspresidentit të caktuar të Trumpit, Mike Pence tregon megjithatë se ky nuk është objektivi i republikanëve. Këtë ata as nuk e kanë të nevojshme, sepse që prej 20 janarit, Grand Old Party (GOP) nuk ka vetëm shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, por ka edhe Presidentin.
Po ta shohësh me mendje të qetë, arrin në përfundimin se republikanët nuk mund të ndërmarrin shumë gjëra në javët e para të presidencës së Trumpit. Sepse me dekret mund të anulohen vetëm elementë të caktuar. Që të reformohet rrënjësisht reforma shëndetësore, për këtë nevojitet miratimi i Kongresit. Por deri atje republikanët ende nuk kanë avancuar. Ata nuk kanë në sirtar plane konkrete reformuese, për të cilat të kenë rënë dakord. Në fund të fundit, shumë prej tyre vjeshtën e kaluar as nuk e besonin se ata do të merrnin kaq shpejt përgjegjësi politike në Uashington. Ai që kërkon të qeverisë, ai duhet të jetë konkret. Për deklarata bosh të fushatës elektorale tani nuk ka më nevojë askush.