Projektligjet me karakter ekonomik duket se do të dominojnë axhendën e sesionit të ri parlamentar. Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet të hënën e tretë të janarit me seancën e parë plenare për vitin 2017.
Fillimisht, do të miratohet kalendari i punimeve dhe më pas do të përcaktohet axhenda e projektligjeve të mbetura pa u votuar nga viti që shkoi. Akti normativ i miratuar nga qeveria për ndryshimet në buxhetin e vitit 2016 pritet të jetë votimi i parë për këtë sesion.
Performanca buxhetore e vitit të kaluar krijoi hapësirën e rishpërndarjes së fondeve, pa cënuar zbatimin e politikave të planifikuara. Qeveria akordoi një fond në masën 4 miliardë lekë për dhënien e shpërblimeve për festat e fundvitit, me argumentin se performanca buxhetore e vitit 2016, krijoi hapësira për rishpërndarjen e fondeve.
Kategoritë që përfituan nga ky vendim ishin:
-pensionistët – në masën 6.000 LEK
-personat që përfitojnë pagesën e paaftësisë – në masën 2.000 LEK
Familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike – në masën 2.000 LEK etj.
Në axhendën e Kuvendit janë edhe projektligjet “Për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit”, projektligji “Për ndryshime në ligjin “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, projektligji “Për ndryshime në ligjin e ankandit publik”, si dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve me vendet e rajonit e më gjerë.