Dr. Ndriçim Mehmeti
Në prag të ndërrimit të viteve Ministria e Arsimit dhe Sportit u dhuroi publikut një video që do ta kishin zili edhe kompanitë më të mëdha e më të njohura të promocioneve dhe reklamave. Në pak minuta shpaloset një ndërtesa e Ministrisë, e cila i ngjan më shumë një vile luksoze, sesa një institucioni shtetëror në shërbim të publikut.
Po përse MAS e kishte të nevojshme të prezantonte vilën luksoze?
Jo thjesht për të prezantuar vilën e re ku janë strehuar hierarkët e shtetit më të varfër ndër vendet që aspirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian, por edhe për të treguar se më shumë se çdo gjë tjetër, MAS ka interes parësor ka luksin sesa nevojat e arsimit. Duhet pranuar pa asnjë rezervë se videoja promocionale, ishte shumë e sinqertë dhe tepër e gjetur.
Ndërkohë që mësuesit trokisnin dhe sorollateshin prej Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Financave për shpërblimin e fund vitit, i munguar prej 4 vitesh, pronarja e vilës nr.23 në rrugën e Durrësit, ju kundërpërgjigj kërkesave të sindikalistëve me arrogancën që e ka shoqëruar atë vetë dhe qeverinë në qëndrimin dhe sjelljet ndaj mësuesve. Shëtitja në korridoret dhe zyrat e ngritura me taksat e shqiptarëve, të linte përshtypjen se personat që u paraqiten në video, dukeshin si agjentë imobilarë dhe jo nëpunës të shtetit. Nuk di dhe nuk ma merr mendja se ka ndonjë vend, ku ministrja dhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, të vetë regjistrohen në kamera me një kujdes të veçantë që të duken zyrat sa më bukur dhe ata vetë. Por ama jemi të sigurt se përse duhej kjo video sa arrogante, indinjuese dhe pa asnjë kuptim, në prag të ndërrimit të viteve. Ministria e Arsimit nuk ka asnjë gjë tjetër të paraqes si sukses përveç luksit të zyrave. Dështimet e kanë shoqëruar Ministrinë e Arsimit nga njëri muaj në tjetrin. Reforma e teksteve shkollore, tashmë njihet si reforma e përftimit të miqve të MAS.
Matura Shtetërore e Rilindjes, ishte një dështim i plotë, në organizim, mënyrën e administrimit të provimeve e deri tek pranimet në institucionet e arsimit të lartë publik. MAS zvarriti procesin deri në ekstrem, duke e lënë në rënie të lirë pranimin në IAL, deri në degjenerim, sërish për të kënaqur interesat e klientëve të saj. Portali i “Mësues për Shqipërinë”, alias Portali “Mësues për Partinë”, prodhon vende pune të paqena dhe punëson kush e ka radhën nga lista e partive që qeveria vendin. Shkollat e reja, laboratorët, librat për pasurimin e bibliotekave të shkollave po ashtu kanë vite që janë fshirë nga prioritetet e MAS. Për shkolla të reja as që bëhet fjalë. Akreditimi i institucioneve të arsimit të lartë i premtuar prej kryeministrit se do të përfundonte në vitin 2014, nuk përfundon dot as në 2017. Fuqizimi i shërbimit psikologjik, shtimi i punonjësve social, mësuesit ndihmës mbetën premtime në letër që nuk kanë për t’u realizuar kurrë. Natyrisht që gjatë këtij ka patur edhe “ngjarje për tu shënuar”.
Shkolla e drejtorëve të emëruar prej koalicionit qeveritar, Konferenca për trajnimin e mësuesve në Pallatin, darkat e shtruar për mësuesit me “shumë dashuri”, prej kryeministrit, ministrit të brendshëm, të arsimit e gjithkush, që kishte mundësinë të bënte një promovim të vetes. Në këto evente të ngrënies, hedhjes së valleve popullore, videove dhe selfijeve, drejtuesit e shtetit shqiptar kërkonin t’i mbushnin mendjen vetes, se sa shumë e duna arsimin. Gjithsesi qeveria dhe ministrja e arsimit, nuk na treguan në asnjë moment se çfarë ndryshuan në prag të përfundimit të mandatit të saj. Prandaj këtë vit ishte një gjetje interesante video promocionale e vilës luksoze nr. 23.
Mundet për një çast të mendojmë se është e tepruar të merresh më një video urim, për një ndërtesë “dinjitoze” të shtetit shqiptar?
Do të doja të besoja se kjo mund të ishte e tepruar, por ka argumente të thjeshtë e rrëzojnë këtë hipotezë. Si mund t’i lejoj vetes një institucion i drejtuar nga një femër, dikur mësuese, të provoj veten e saj dhe ndërtimin e një ndërtese shtetërore, me paret e popullit si një sukses? Si është e mundur që për një moment nuk mendoi se mashtroi, përdhosi, injoroj, nëpërkëmbi, ata që dikur i kishte kolege dhe koleg?
A është e mundur që një grua ministre, të jetë kaq cinike, e pandjeshme dhe pa asnjë ndjenjë përgjegjësie në raportin mes saj si drejtuese e institucionit më të lartë të arsimit dhe mësuesve, të cilëve u ka mohuar pa as një shpjegim të drejtën e shpërblimit të fund vitit? Këto dhe pyetje të tjera të cilat mund të ngrihen nga kushdo, të shtyjnë të shkruash, të flasësh e po të kesh mundësi të ulërasësh, pavarësisht se kush dëgjon. Një kashirllëk i tillë me publikun në tërësi dhe me mësuesit nuk mund ta bëj askush tjetër por vetëm ata që nuk e kuptojnë rëndësinë e arsimit, i urrejnë mësuesit dhe që më shumë i shohin këta të fundit si hambar i votave, për të përligjur pushtetin e tyre mediokër.
Natyrisht që në këtë rast qeveria dhe MAS, kanë gjetur në politikën e tyre aleatë të shkëlqyer: Publikun apo popullin thënë më shkoqur, mediat, të ashtuquajtura OJF, që merren me arsimin, etj. Gjithkush bën sa mundet që t’i ndihë qeverisë në rrugën që ka marrë. Populli nuk pipëtin fare. Një urë, ca stola me ngjyra, një kolovajse për kalamajtë vlen më shumë se arsimimi i tyre. Mediat janë gati njëzëri në heshtje ndaj veprimeve të MAS. Ka shuam rëndësi për to që të ketë emisione ku ftohen kushdo të flas për gjokse, buzë të fryra, tradhtinë bashkëshortore, përgjohemi ose jo, bie breshër në Sahara, sa do të zgjas dashuria e re e Kim Kardashian, ku shkoi për pushime Bleona, a e do qenin e vet x këngëtar etj. Madje gjen edhe emisione famoze për këmishët me dorë, verën e panjohur shqiptare dhe rrushin që piqet vetë. Po për arsimin nuk guxon të flas kush.
Madje pronarët e pjesës më të madhe të mediave, kanë urdhëruar censurë sa i takon shkrimeve që atakojnë ministren e arsimit dhe politikat arsimore të qeverisë. Natyrisht që ato janë shumë të kujdesshme për të dhënë në mënyrë sa më të kuruar takimet e kryeministrit Rama, me nxënësit, në shkolla, me maturantë, për të treguar se shefi i qeverisë e ka shumë xhan arsimin. Madje e ka kaq shumë xhan sa mburret me tre stadiume të reja të ndërtuar, kundjet asnjë shkolle. Në fund të fundit mediat kanë si detyrim të shprehin shqetësimet e publikut, ndërkohë që për publikun arsimi dhe edukimi për më tepër i fëmijëve të tyre, nuk ka rëndësi të dorës së parë. Varfëria e justifikon në një afër mase këtë mpakje të opinionit.
Ndërkaq OJF-të apo edhe gupe interesi që kanë të lidhur jetën e tyre me arsimin, janë më të interesuar për fondet e MAS, apo bashkëpunimet që mbushin xhepat e tyre, sesa për problematikat e arsimit shqiptar. Në një këndvështrim pragmatist, duket sikur të gjithë kanë të drejtë. Ministrja 4 vjet është, të marri ç’të marri së bashku me bashkëpunëtorët e saj. Mediat nuk pse e prishin me qeverinë, që t’ju bëjë gjëmën e t’u sjelli taksidarët tek dera. Fundja edhe ata kanë nevojë për ndonjë qokë të vogël. Jo ndonjë vend për drejtor shkolle, pedagog, ndonjë titull shkencor etj. Në fund të fundit një jetë kanë e duan ta jetojnë sa më në luks. E këtë e ka kuptuar më mirë se kushdo tjetër pronarja e vilës nr.23 në Rrugën e Durrësit.