Para, pushtet, klientelë. Loja e “duarve të lidhura” të kryeministrit me ligjin e bixhozit
Rama sfidën e ka të hapur: ose ti japë fund lojës taktike e të dalë publikisht në krah të shtyrjes së ligjit ose ti dalë në krah f(illim)undit të marrëzisë, por pjesës teorike të tij, pasi zbatimi rezultoi një dështim
Në fillim tetorin e vitit 2013, kur mazhoranca e majtë kishte vetëm një muaj që kishte marrë pushtetin, qeveria në bashkëpunim me policinë nisi aksionin e koduar si “fundi i marrëzisë”. Ky aksion në aspektin ideues pati në drejtim kryeministrin Rama, i cili i kishte vendosur në qendër të fushatës së tij elektorale lojërat e fatit dhe basteve sportive, ku kritikonte vazhdimisht qeverinë parardhëse për dhënien e lejeve të tyre për t’u hapur në qendra të banuara. Në qendër të këtij aksioni u vendos informaliteti tek lojërat e fatit, ku synohej sekuestrimi i të gjitha makinerive të cilat ishin të palicencuara si edhe bllokimi i atyre pikave që kishin licencë por nuk kishin paguar detyrimet tatimore. Në aksionin e 2013-ës u angazhuan më shumë se 6 mijë forca policore në të gjithë vendin dhe në fund u deklarua se u sekusetruan më shumë se 1 mijë biznese. Por të dhënat e sakta të asaj kohe vërtetuan se aksioni më shumë se sa i arrirë, rezultoi si një “show i madh” i një qeverisjeje që kërkonte të linte gjurmë medoemos që në nisjen e mandatit të saj. Nga aksioni u tkurr vetëm 3.8 % e tregut të lojërave të fatit dhe sipas të dhënave të INSTAT vetëm 25 biznese të fushës e mbyllën aktivitetin në vitin pasardhës, pra në 2014-ën.
E ndoshta kjo shije e hidhur e një aksioni të nisur me bujë e të përfunduar me dështim risolli edhe një herë në vitin 2015 përqendrimin e qeverisë tek lojërat e fatit. Në atë kohë u përpilua një ligj i cili detyronte të gjitha subjektet që në respekt të distancave të reja brenda datës 31 dhjetor 2016 organizatorët e lozhave të fatit duhet të marrin masat për ndryshimin e vendndodhjes. Distancat ndërmjet subjekteve të lojërave të fatit nga institucionet e parashikuara ligj duhet të jenë jo më pak se, 100 metra në vijë ajrore në të gjitha drejtimet. Me këtë nismë qeveria synote sipas saj të largonte sa më shumë lojërat e fatit nga qendrat e banuara. Po ashtu përmes këtij ligji u synua ndalimi i zhvillimit të aktivitetit të lojrave të fatit pranë institucioneve fetare, institucioneve të arsimit parauniversitar dhe institucioneve të arsimit të lartë. Gjithashtu ligji synonte ndalimin e nxitjes për të marrë pjesë në lojërat e fatit.
Por cfarë ndodhi?
Një muaj para hyrjes në fuqi të ligjit që parashikonte zhvendosjen e kazinove dhe lojërave të fatit në periferi të qytetit dhe qëndrimin e basteve sportive me distancë 200 metra larg shkollave e institucioneve të kultit, 6 deputetë të maxhorancës kërkuan që kufizimi i lojërave të fatit të ndodhte pas 2 vjetësh. Në arsyetimin e tyre të fillim dhjetorit 2016 deputetët e majtë shikonin si problem kryesor kontratat e qirave dhe vështirësitë që mund të hasin operatorët e lojërave të fatit nëse zhvendosen apo paratë që do të humbiste buxheti. Në kërkesën për shtyrje duket se ishin lënë në harresë pasojat sociale të vesit të keq që ishin trumbetuar më parë tek aksioni “Fundi i marrëzisë”. Në argumentimin e tyre deputetët e mazhorancës përcillinin si shqetësim se nëse nuk mbrohej tregu i brendshëm i licencuar, fitimet nga biznesi i bixhozit do të shkonin në xhepat e operatorëve ilegalë ose do të shtonin buxhetin e pronarëve të kazinove në Maqedoni dhe Mal të Zi. Vetë Ministri Ahmetaj argumentoi në diskutimet e shtyrjes së ligjit në Komisionet kuvendore se nisma vinte sipas tij për të shmangur efektet negative në ekonomi. Gjatë debateve në Kuvend, Ministria e Financave i nisi një letër Komisionit të Ekonomisë si përgjigje për kërkesën e 6 deputetëve për të shtyrë hyrjen në fuqi të ligjit edhe me dy vite. Në parim, Financat ishin dakord me deputetët dhe po ashtu legjitimonin kërkesën e tyre se nuk janë publikuar ende aktet normative që të bëjnë të zbatueshëm ligjin. Pra logjika që mbizotëroi në gjithë këtë diskutim ishte se aplikimi i ligjit që parashikon mbylljen e këtij aktiviteti nuk ishte i mundur aktualisht, pasi prishja e kontratave dëmtonte buxhetin dhe do të prekte direkt të punësuarit e këtij sektori!
Prapaskenat
Ajo që vihej në re në kërkesën e 6 deputetëve të mazhorancës për shtyrjen me dy vjet të ligjit ishin edhe disa pretendime të përfshira underground në tekst. Kështu në përmbajtjen e akteve jurdike të ligjit që lidhen me me pikën 1 të nenit 71 të ligjit dhe ndryshimit të pikës 2 dhe 3 të këtij neni me fjalët deri në 31 dhjetor 2018 kuptohet se ligjvënësit propozues kërkonin që dy kontratat që Ministria e Financave kishte lidhur me Regency Casino dhe Lotarinë Kombëtare, të mos ishin pjesë e përjashtimit të këtij ligji. Deputetët kërkonin shtyrjen me dy vite të tjera të ligjit, dhe në momentin që do të hynte në fuqi, të gjithë subjektet e ligjit të zhvendoseshin në resorte brenda zonave turistike. Por ministria e Financave nuk ishte dakord me një pjesë të kërkesës, pasi ajo pranonte që ligji për lojrat e fatit të shtyhej, por që të mos prekej pjesa që kishte lidhje me Regency Casino dhe Llotarinë Kombëtare, ku të parës i përfundon kontrata në vitin 2020, ndërsa të dytës në 2023.
Por krahas këtij aspekti ishin edhe të shumë kërkesat për të bërë të pamundur zbatimin e ligjit i cili nëse nuk do ishte shtyrë do kishte nisur zbatimin në 31 janar të 2017-ës. Kështu aktet nënligjore të ligjit kishin afatin e fundit për tu përfunduar në muajin mars të 2016-ës dhe askush nuk mbajti përgjegjësi se pse u shkel ky afat. Pa aktet nënligjore ligji ishte i pazbatueshëm për pjesën e ndërtimit të kazinove në resorte, pasi nuk ishte e përcaktuar infrastuktura e tyre, dhe po ashtu nuk bëhej ndarja si duhet e pikave të basteve në largësi ajrore 100 metra nga njëra – tjetra, objektet fetare, bankat dhe shkollat. Në të njëjetën linjë mund të theksohet se ligji i ri për disiplinimin e kësaj kategorie të lojrave të fatit, jo vetëm që nuk hyri në fuqi, por nuk u zbatua as fryma e tij. Aty përcaktohej qartë që deri në implementimin përfundimtar Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit nuk duhet të liçensonte asnjë kazino apo pikë basti të re. Por vitet e fundit numri i tyre është shtuar, duke punuar kundër logjikës së ligjit të ri që synonte të mbyllte përfundimisht kazinotë dhe më shumë se gjysmën e pikave të llotos.
Loja e kryeministrit
Pasi kishte vendosur firmën për shtyrjen e ligjit të lojërave të fatit, deputetja socialiste Blerina Gjylameti u ankua për përmbajtjen e draftit në një ndër mbledhjet e grupit parlamentar socialist pak para vendimmarrjes së fundivitit në Parlament. Madje ajo foli në atë kohë për falsifikim firme, në kuptimin sipas të cilit ajo kishte firmosur për një tjetër draft ndryshe nga ai që ishte përcjellë për votim në Kuvend. “Unë do ta tërheq emrin tim nga ky propozim për mungesë informacioni” deklaroi ajo në atë kohë. Por ndryshe veproi faktikisht. Megjithatë deklarimi i Gjylametit, një deputeteteje që njihet për devotshmërinë ndaj kryeministrit, kundër një nisme të mazhorancës la jo pak hije dyshimi. Në fakt veprimi i saj ishte i fundit që ajo mund të merrte për të shpëtuar publikisht nga etiketimi si një deputete që kërkonte shtyrjen e afatit të aktivitetit të lojrave të fatit. Vetë kryeministri nuk ishte përfshirë aspak në këtë histori deri në datën 30 dhjetor kur u pyet në konferencën e fundiviti. Por para se të arrijmë këtu, duhet të analizojmë përfshirjen ose jo të kryeministrit në nismën për shtyrjen me dy vite të ligjit për lojërat e fatit.
Ajo që bie në sy tek grupi aktual parlamentar socialist, sidomos pas përjashtimit të Blushit e Hafizit, është fakti se zërat kritikë janë thuajse të shuar. Qëndrimet e kryeministrit dhe njëkohësisht kreut socialist si në qeveri ashtu edhe brenda partisë kanë kohë që nuk marrin as të paktën një vërejtje. Madje nismat e ndërmarra nga grupi parlamentar socialist nuk kalojnë për shyqrtim nëse më parë nuk kanë marrë firmën e kryetarit.
Në këto kushte janë të pakta shanset, për mos thënë zero, që deputët socisalistë ta kishin ndërmarrë vetë nismën për shtyrjen e ligjit dhe më pas ministria e Financave ta mbështeset atë në disa pjesë, pa marrë më parë mbështetjen e kryeministrit. Askush nuk do guxonte nga ligjvënësit socialist të ndërmerrte një iniciativë që shkonte ndesh me një nga premtimet më kryesore të kryeministrit Rama. Në këto kushte, duket qartë se kreu i qeverisë nuk ka mundur të dalë e të mbrojë vetë nismën e ligjvënësve të mazhorancës, pasi kazua e “fundit të marrëzisë” do të binte e tëra. Nisur nga kjo, ai ka preferuar të qëndrojë në hije gjatë diskutimeve me debate të forta të ligjit, duke u munduar ta përcjellë në publik si një nismë vetjake të 6 deputetëve të mazhorancës. Në këtë formë kryeministi shpëtonte nga akuzat për kapjen e tij nga lobet e kumarit e në të njejtën kohë ja hidhte peshën e fajit gjashtë ligjvënësve të majtë që kërkuan shtyrjen e ligjit. Një lojë taktike e mirë studiuar!
Por kjo lojë nuk u ndal me kaq. Në konferencën e fundvitit me mediat, kryeministri kur u pyet lidhur me nismën e votuar në Parlament për shtyrjen me dy vite të ligjit për lojërat e fatit që parashikonte zhvendosjen e tyre jashtë zonave urbane dha një përgjigje dribluese. Duka vazhduar lojën e mëparshme taktike, kreu i qeverisë u mundua sërish ta përcillte në publik si një nismë që nuk varej prej tij. Madje kryeminstir arriti deri aty sa kryqqëzoi aleatët qeveritar, duke theksuar se nuk kihste imponuar bindje tek mazhoranca për ndaljen e lojërave të fatit. “Nuk jam unë kontrollori i lojrave të fatit. Nuk ia kam dalë të imponoj këtë bindje në një maxhorancë parlamentare që është e përbërë nga bindjet e tyre. Kemi arritur të bëjmë një disiplinim, të ndalojmë hemoragjinë e tmerrshme që vinte nga informaliteti dhe abuzimet masive por nuk ja kemi dalë. Unë jam që në Shqipëri nuk duhet të ketë salla lojrash por në këtë pozicion nuk jam unë shumicë e mjaftueshme për ta bërë ndryshim’, pohoi kryeministri.
Mirëpo këtë lojë duket se e kuptoi qartë aleati i Ramës, Lëvizja Socialiste për Integrim. Kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili foli një ditë pas deklaratës së kryeministrit për ligjin e lojërave të fatit duke garantuar se kjo forcë parlamentare do të jetë pro mbylljes. Vasili nënvizoi se kreu i qeverisë mund ta sjellë ligjin për lojërat e fatit që në seancën e parë të janarit dhe të gjitha votat e LSI-së do ishin pro mbylljes. Një sfidë kjo që duket se e nxorri jo pak zbuluar lojën taktike të kryeministrit me ligjin e lojërave të fatit. Po ashtu Vasili kishte pohuar se edhe nëse një deputet i vetëm i LSI-së, nuk do ta votonte draftin për mbylljen e lojërave të fatit do të përjashtohet nga grupi. “Bixhozi kjo sëmundje e rëndë shoqërore e ka të qartë shërimin dhe çrrënjosjen . Problemi eshte shume i thjeshte per sa i takon LSI. Kryeministri mund ta sjelle ligjin per mbylljen e bixhozit qe ne seancen e pare te janarit. Te gjitha votat e grupit te LSI do te jene pro mbylljes. Neqoftese nje deputet i vetem i LSI nuk do ta votonte ai do te perjashtohej nga grupi. Anetar i grupit te LSI qe s’voton do te behej anetar i bixhozit. Besoj qe deri ne mbledhjen e pare te parlamentit te janarit Rama do t’i beje bashke te gjitha votat e grupit te PS. Ne pak jave i japim pra fund nje here e mire problemit të bixhozit”, kishte theksuar Vasili. Rama sfidën e ka të hapur: ose ti japë fund lojës taktike e të dalë publikisht në krah të shtyrjes së ligjit ose ti dalë në krah f(illim)undit të marrëzisë, por pjesës teorike të tij, pasi zbatimi rezultoi një dështim.