Tenori Agim Hushi/ “Politika në opera për këto 4 vjet ishte dështim. Qindra milionat për koncertin e Dolit të padrejta”

0
242

 

 

Qeleshet mu dukën shumë qesharake të them të vërtetën, edhe rakia natyrisht. Mua më dhemb që artistët e operës më shkruajnë çdo ditë dhe më tregojnë tmerret e mjerimet e tyre artistik e profesional

agimhushi2tt

 

 

Më 2 janar të këtij viti zbriti në Pallatin e Kongreseve Shkëlzen Doli bashkë me 36 artistë vienezë për të performuar para publikut shqiptar përreth 1 orë e 30 minuta. Padyshim kjo ngjarje nuk mund të mos cilësohet si një ngjarje madhështore dhe pasuri në jetën kulturore shqiptare. Por gjithashtu nuk mund të mos mungonin dhe kritikat rreth këtij koncerti për sa i përket shpenzimeve që u bënë për të. Një koncert që në tërësi kushtoi sa një vit buxhet artistik për gjithë Teatrin e Operës dhe Baletit, por jo vetëm pasi lista e buxheteve që do të mbulonte kjo shifër do të ishte e gjatë. Ndërkohë që buxheti i Shqipërisë nuk e ka mundësinë ekonomike, për të paguar për një koncert të vetëm në Tiranë 180.000 euro. Zërat kritikues qenë të shumtë. Në një intervistë për gazetën “Standard” tenori Agim Hushi vjen për të na rrëfyer mendimin e tij kritik për sa i përket këtij koncerti, por jo vetëm. “Mund të them që kishte shkelje në të gjitha drejtimet. Për mua ishte një tallje dhe nuk mendoj se e meritojnë shqiptarët që të tallen kaq shumë”, është shprehur Hushi. Tenori  flet ndër të tjera edhe për gjendjen sot të TKOB-së dhe se çfarë ka nevojë që të ndryshojë aty. Agim Hushi rrëfen gjithashtu që është shumë afër marrjes së valixheve për t’u larguar nga Shqipëria.

 

 

 

Intervistoi: Irini Meçe

 

 

Ka vetëm pak ditë që u mbyll viti 2016 dhe viti i ri në jetën kulturore nisi me një shfaqje që u cilësua si një ngjarje e madhe dhe madhështore. E kam faljën për koncertin e Shkëlzen Dolit bashkë me 36 artistë nga Vjena. Si e patë ju këtë koncert dhe çfarë komenti keni për të  bërë në lidhje me këtë?

 

Për fat të keq unë koncertin nuk e pashë sepse ndodhesha larg Tiranës, por gjithsesi jam i bindur që artistët vienezë dhe Shkëlzen Doli kanë performuar në mënyrën më të bukur të mundshme.

 

Pavarësisht se është cilësuar si një ngjarje e madhe, nuk kanë munguar dhe zërat kritikues ndaj këtij koncerti, ku janë ndalur më shumë se sa u shpenzua për këtë koncert. Si mendoni ju a ja vlejtën gjithë ato shpenzime dhe çfarë mendimi keni rreth kritikave që i është bërë këtij koncerti?

 

Mendoj se ka dy anë medalja. Së pari një koncert i tillë e nderon dhe e zbukuron jetën artistike shqiptare. Por për sa i përket anës që u luajt në prapaskenë nëse mund të themi kështu jam pak skeptik që ta komentoj, por natyrisht kam dhe unë opinionin tim. Në gjykimin tim, po të isha në pozitat e atyre që drejtojnë sot kulturën, natyrisht do ta mendoja shumë gjatë për të paguar atë shumë për koncertin aq të kushtueshëm. Ashtu siç do ta mirëprisja dhe do të bëja maksimumin që t’i nderoja këta artistë të mrekullueshmë nëse ata do të kishin iniciativë private për të performuar. Mund ta pranoja një koncert të tillë si donacion ose si një dhuratë  të ambasadës austriake, ose dhe një angazhim profesional të një agjencie artistike që sjell artistë, ku me fitimet e skenës të koncertit, të biletave luhet dhe karta financiare. Por që të paguajë Ministria e Kulturës një shumë të tillë marramendëse më duket e dhimbshme për artistët shqiptarë, aq më tepër ku një koncert i tillë mund të ishte bërë me yjet shqiptarë të muzikës, interpretues që mund të mblidhnin një koncert të organizuar me këto yje. Viti i ri shqiptar mendoj se duhet të luhet me muzikë shqiptare. Ne kemi kompozitorë dhe muzikë klasike të shkëlqyer. Nëse Ministria e Kulturës do të kishte një imazh të tillë që tani po luhet me kartën e evropianizimit apo të patriotizmit të madh të ministrisë tonë, patriotizmi fillon me Shqipërinë. Ato qeleshet m’u dukën shumë qesharake të them të vërtetën, edhe rakia natyrisht. Por duhet ta dini që pavarësisht këtyre unë padyshim kam një vlerësim maksimal për Shkëlzen Dolin si artist e çmoj pamasë, por këtë pakt financiar e përjetoj me dhimbje si artist që i njoh dhe nga afër artistët e tjerë shqiptarë, sidomos ata të operës, artistët klasikë. Ishte një fshehje e të vërtetës nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe për këtë unë mendoj që ajo duhet të mbaj përgjegjësi për fondet, për mënyrën se si u menaxhuan.

 

Gjithashtu do të shtoja që artistët shqiptarë janë ndjerë të fyer nga shteti i tyre, jo vetëm ata që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, por edhe ata nëpër botë. Ajo që më bëri përshtypje ishte që grupi zyrtar i Shkëlzenit u organizuan për të ardhur në Shqipëri. Këta 36 artistë mund të organizoheshin në mënyrë të tillë që të kombinoheshin me artistët e Filarmonisë që erdhën apo dhe me ato që donin të vinin personalisht sepse mesa di unë Filarmonia nuk e jep firmën për një aktivitet që e organizon shteti shqiptar. Filarmonia është një brend i madh dhe natyrisht nuk duhet që të abuzohet as me emrin dhe interpretuesit e saj. Është si puna e atyre kontratave që ne si artistë i njohim mjaft mirë, lidhjet menaxheriale dhe kontraktuale me institucionet artistike kulturore. Kështu që mund të them që kishte shkelje në të gjitha drejtimet dhe mund të ishte bërë një grumbullim artistësh shqiptarë dhe të dilte një shfaqje mbarëshqiptare ku pse jo Shkëlzen Doli të bëhej dhe dirigjent gjë që e bëri për herë të parë në jetë në Tiranë. Në djeninë time Shkëlzeni Doli nuk ka qenë kurrë  solist i orkestrës të Filarmonisë së Vjenës, ai ka qenë një pjestar i saj, as i pari as i dyti. Unë e njoh shumë mirë ambientin vjenez si dhe drejtuesit e politikës kulturore këtu në Shqipëri, jam shef i Katedrës së Operës në Konservatorin e Vjenës dhe e di se çfarë solli Vjena. Mua njerëzit po më kërkonin bileta për koncertin dhe u tremba. Dua të thkesoj se unë mora në mbrojtje Shkëlzen Dolin sepse mendova që me atë sinqeritetin e tij artistik dhe duke mos njohur ambientin mund të binte pre e ndonjë loje elektorale, fushatore. Nuk mendoj se e meritojnë shqiptarët që të tallen kaq shumë. Për mua ishte një tallje pavarësisht se aty u treguan fustane, këpucë të shtrenjta, qilima të kuq. Kemi nevojë dhe për këto, por mendoj që mund të bëhën në mënyrë dinjitoze me shqiptarë dhe artistë dinjitozë,. Por që të paguhen qindra miliona për këtë koncert kur shuma që u dha për këtë koncert ishte më e madhe se vet buxheti që ka TKOB-ja për mua ishte e padrejtë dhe ato që drejtojnë institucionet kulturore duhet ta gjejnë vet shpjegimin që duhet t’i japin popullit shqiptar për këtë ngjarje.

 

Nga ana tjetër artistët e TKOB-së këtu në Shqipëri janë shprehur nuk kanë marrë rrogën e 2016 dhe shpërblimin e vitit. Ku mendon se qëndron problemi tek mungesa e buxhetit apo tek keqmenaxhimi?

 

Politika në opera për këto 4 vjet ishte e shkruar që të ishte një dështim, që u shënua me dorëheqjen e mjeshtrit Ilir Kernit, i cili vuri shpirtin e tij,por gjeti një ambient që ai me dinjitetin e tij dhe idealizmin profesional nuk mund ta përballonte. Por zgjedhja në krye të TKOB-së e një të ricikluare ishte ajo që unë absolutisht jo vetëm që nuk pajtohem, por si shqiptar dhe artist ndihem i indinjuar, i fyer, i përdhosur. Për mendimin tim nuk ka një vlerësim të duhur për artistët shqiptarë dhe jo se nuk ka fonde. Artistët janë dhunuar dhe më vjen keq për këtë.

 

Le të ndalemi pak në statusin që keni publikuar para pak ditësh. Ju në statusin tuaj keni shkruar që milionat kalojnë në xhepat e të mësuarve me abuzimet dhe për tendera të Ministrisë së Kulturës. Mund të na shpjegoni konkretisht më qartë se për çfarë e keni patur fjalën?

 

Nuk e kam deklaruar,por kam thënë që miqtë e mi më kanë dhënë informacione që unë i kam mbledhur si qytetar dhe natyrisht që unë nuk mund t’i pranoj si të mirëqëna deri në momentin që ato do të gjykohen dhe për këtë ua kam dërguar miqve të mi që të merren dhe ta shohin profesionalisht nëse këto akuza qëndrojnë apo jo. Por mund të them që janë tronditëse këto fakte dhe shpresoj shumë që të mos jenë të vërteta. Aty shihet qartë që në xhepat e këtyre njerëzve kalojnë miliona ndërkohë që artistët nuk kanë paratë e rrogës së tyre.

 

Sipas jush si paraqitet sot gjendja e TOB-së?

 

Ka një shkëlqim mediatik, një përmirësim të PR-it në çdo fushë, rrugët janë shtruar, janë bërë punë të mrekullueshme, Shqipëria ka ndryshuar, por mbrapa atyre reklamave fshihet një realitet për fat të keq krejt ndryshe, që unë kam disa muaj që po e përjetoj dhe vetë. Klasa politike duhet të investojë shumë në moral. Ka shumë gjëra që duhen bërë. Vëtëm këtu në Shqipëri ndodh që njeriut t’i pritet e drejta, të rinjve t’ju pritet shpresa. Dhe unë personalisht tani jam para një dileme se  përse nuk iu duhem unë këtu shqiptarëve dhe nuk më lejojnë kur jam me 3 universitete, ku unë jam vlerësuar shumë jashtë dhe kam shkëlqyer në Austri, Gjermani, Francë etj, çka do të thotë që unë jam dikush, por vij këtu në Shqipëri dhe e gjej veten askush.

 

Ju keni qënë një ndër kandidatët për postin e drejtorit të TKOB-së, por jeni shprehur që platforma juaj nuk është lexuar.

 

Jam plotësisht i bindur që platforma ime nuk është lexuar fare, sepse ata që kanë lexuar platformën time janë mahnitur nga përkushtimi dhe nga një imazhi i ri i një opere dhe jo i një teatri që lëngon për bukën e gojës. Është një ndryshim esencial i asaj që unë paraqita dhe asaj që fitoi aq më tepër që personi ishte një i ricikluar, që ishte shkarkuar nga i njëjti post për abuzime me fondet. Nuk mund të flas më tepër sepse më dhemb.

 

Si e shihni deri më tani punën e drejtoreshës së TKOB-së?

 

Nuk më intereson fare se çfarë bën ajo dhe të them të drejtën nuk dua që të merrem më të. Mua më dhemb që artistët e operës më shkruajnë çdo ditë dhe më tregojnë tmerret e mjerimet e tyre artistik, profesional e njerëzor.

 

Çfarë duhet të ndryshoj për sa i përket gjendjes së TOB-it, por jo vetëm dhe për sa i përket gjendjes së kulturës sonë?

 

Duhet të ndryshojnë gjithçka. Së pari duhet të ndryshojë mënyra se si shihen artistët e arti dhe duhet të ketë që s’ka ekzistuar për 25 vjet, dashuria për artistët dhe për artin.

 

Në statusin tuaj lexuam që po mendoni që të largoheni nga Shqipëria…

 

Po, jam përpara kësaj pyetje dhe jam shumë afër marrjes së valixheve dhe mallkimit të fatit që jam shqiptar. Dua që të largohem një orë e më parë sepse është vërtet e padurueshme dhe një tmerr i vërtetë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here