Sinoptikantët: Ngrica deri në mes të janarit. Ja cfarë pritet të ndodhë 4 ditët e ardhshme

0
320

Që nga dita e premte vendi ynë u përfshi nga një mot i acartë i paparë prej vitesh, duke nisur edhe nga temperaturat deri në -20 gradë celsius që kanë paralizuar pothuajse të gjithë vendin. Reshjet e dëborës si rrallë ndonjëherë nuk kursyen as Shqipërinë e Mesme, borë të cilën Durrësi, Kavaja e Lushnja nuk e shihnin prej 7 vitesh. Si pasojë e të ftohtit por edhe epidemisë së gripit u mbyllën kopshtet, shkollat dhe universitetet për 2 javë, por ajo që iu intereson më shumë njerëzve është të dinë kur do marrë fund i ftohti polar, dhe kur do të mund të dalin lirshëm nga shtëpitë e tyre.

Sipas meteorologes Lajda Porja, përmirësim të motit do të ketë duke nisur nga e hëna, ku temperaturat do të rriten me 3 deri në 4 gradë. Për Tiranën dhe Ultësirën Perëndimore ndryshimi do të ndjehet ditën e Mërkurë, nga minus do të shkojnë në 1 gradë celsius.

“Sikundër edhe dita e djeshme, edhe sot, janë dy ditët më të ftohta deri më tani të shënuara për stinën e dimrit. Temperaturat megjithëse rritën të hënën dhe të martën, do jetë një rritje e lehtë dhe jo shumë e ndjeshme. Rritja më e ndjeshme do të fillojë nga dita e Mërkurë dhe deri në fundjavë duke bërë që fundjava e ardhshme të bëhet më e qëndrueshme, pra të shkojë në vlerat e tyre tipike”,- tha Porja pwr News 24 dhe BalkanWeb.

Sipas Porjas, deri në 12 janar parashikohet që reshje të mos ketë, por ngricat do të jenë prezente deri në mesin e janarit dhe problematike paraqitet verilindja e vendit, aty ku edhe temperaturat janë më të ulëta.

“Deri të premten situata do mbetet e tillë. Ngricat do të jenë prezente. Nuk parashikohet të kemi sasi të reshjeve por ngricat do të jenë prezente, dhe problematike paraqitet verilindja e vendit, aty ku janë edhe temperaturat më të ulëta të shënuara”,- sqaroi ajo.

Zonat verilindore kanë pasur edhe reshjet më të dendura të dëborës 20 deri në 30 cm në qytet dhe 40 deri në 50 cm në fshat. Por fundjava tjetër sipas meterologëve, pritet të sjellë reshje të pakta dëbore në këto zona./BW

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here