Pati komente e shumë kritika një vendim i fundit i kryebashkiakut Erion Veliaj për të vendosur një ashensor në godinën dy-katëshe të Bashkisë së Tiranës.
Përafërsisht 180 milionë lekë të vjetra, denoncuar nga regjisori Artan Rama, ky projekt që do realizohet shumë shpejt përmban edhe disa lyerje e modernizim banjosh.
”Shuplaka” zbulon detaje të ashensorit supermodern, panoramik dhe rrethor, pikërisht përpara hyrjes së kryetarit. Bashkia komenton se ashensori do t’u hyjë në punë personave me aftësi të kufizuar, por nga ajo që mësojmë, ashensori do vendoset përpara hyrjes së kryetarit Veliaj.
Sipas Bashkisë, diametri i strukturës së jashtme së ashensorit do të jetë 2300 mm, gjatësia e brendshme jo më pak se 100 cm, thellësia mbi 150 cm dhe hapësira e derës jo më pak se 100 cm.
”Në këtë godinë mungesa e ashensorit është parë si problematike, për këtë arsye është propozuar vendosja e 1 ashensori për 5 persona në atriuimin e shkallëve nga hyrja e kryetarit. Ky ashensor do të jetë paronamik me kabinë xhami me seksion rrethor, me piston pa kavo, I cili do të mundësojë lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar dhe lëvizshmërinë e tyre brenda godinës”, shpjegon bashkia.
Ky është lloji i ashensorit që Veliaj dëshiron për bashkinë, por ajo që zbulohet është edhe më e rëndë.
Në hyrjen e Veliajt, në godinën e bashkisë nuk ka asnjë rampë për lëvizjen me karroca të personave me aftësi të kufizuar. Atëherë, nga do hyjnë këta persona për të cilët bashkia u shqetësoka kaq shumë?/shuplaka