Para pak çastesh janë zyrtarizuar dy lëvizje që kishin të bënin me merkaton e klubit zikaltër të Interit. Pas shumë tratativash mesfushori i Atalantës, Cagliardini, do t’i bashkohet ekipit të Piolit. Ish shoku i skuadrës së portierit të kombëtares Etrit Berisha, do të kalojë te klubi zikaltër në formë huazimi për 2 mln euro, me të drejtë për blerje përfundimtare në verën e 2017-ës për 20 mln euro, në total 22 mln. Nesër do të kryhen vizitat mjekësore dhe më pas do të bëhet zyrtarizimi.
Ndërkohë me merkaton në hyrje, Inter ka vepruar edhe me atë në dalje. Malazezi Stefan Jovetiç ka kompletuar transferimin e tij në “La Liga”, te Sevilja. Sulmuesi me shumë talent, por që nuk gjeti hapësirën e nevojshme te “neroaxurrët”, ka kaluar në Spanjë në formën e huazimit për 6-të muaj. Atje do të qëndroj në provë dhe nëqoftëse shihet e nevojshme do të blihet për 14 mln euro.
Pak ditë më parë tekniku i Interit, Stefano Pioli, kishte deklaruar: “U takova me Zhang(presidentin) dhe më premtoi një blerje “big” në janar”. Nuk dihet nëse bëhej fjalë për Cagliardinin, por në orbitën zikaltër janë përmendur shumë emra të njohur kohët e fundit.