Dy komunitetet më të mëdha fetare në Shkodër, të krishterët katolikë dhe myslimanët, përmes përfaqësive të tyre zyrtare nuk e kanë gjetur prej vitesh qetësinë, paqen e harmoninë që pretendojnë mes njëra-tjetrës kur për diskutim, siç raporton “BalkanWeb” është shtruar pyetja nëse monumenti i kulturës kishë-xhami që ndodhet në kalanë Rozafa iu përket të dy komuniteteve apo vetëm njërit.
Ky debat ka nisur që herët për objektin që ka shërbyer edhe si kishë por më së shumti si xhami. Në fakt dy komunitetet fetare më parë kanë patur një pakt mes tyre që të zhvillohen ceremoni të ndryshme fetare aty por pa u bërë publike dhe pa u trumbetuar në media, raporton “BalkanWeb”.
Vitet e fundit ky pakt u thye dhe nuk u respektua më. Kisha katolike nisi t’i bëjë publike ceremonitë dhe meshat fetare të përvitshme të 26 dhjetorit, siç ndodhi edhe vitin e kaluar në kremtimin e meshës për Shën Shtjefnin gjë e cila më pas ka sjellë edhe reagimin, mospranimin dhe përplasjen në largësi përmes deklaratave të drejtuesve të dy komuniteteve.
Kohë më parë Ambasada Amerikane në Shqipëri tentoi me prezantimin e një projekti për restaurimin e atij objekti të lashtë që sot është monument kulture por menjëherë pati reagime të forta nga të dy komunitetet gjë e cila e bëri të pamundur realizimin e atij projekti. Por gjatë faljes së xhumasë në xhaminë e Parrucës, muaj më parë, Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari do ta quante provokim të rëndë meshën e kremtuar në kalanë “Rozafa”.
NDËRHYRJA E TURQISË
Pikërisht pjesë e këtij debati, që nuk i përket aspak, duket se tenton të bëhet edhe Turqia, Televizioni shtetëror turk, në një kronikë speciale kushtuar monumentit të kulturës kishë-xhami që ndodhet në kalanë “Rozafa”, ka mbajtur qartësisht anë duke mos e vënë as në diskutim faktin se objekti është xhami dhe se sipas TRT-së ka qenë përherë xhami.“Xhamia në kalanë e Shkodrës, pjesë e trashëgimisë shpirtërore e myslimanëve shqiptarë”, – është edhe titulli provokativ që TRT-ja i ka vendosur artikullit që e shoqëron edhe me fermane të vjetra osmane për të vërtetuar sipas saj këtë pretendim.
Dhe për të justifikuar këtë ndërhyrje në një debat të brendshëm mes komuniteteve fetare në Shqipëri, televizioni shtetëror i Turqisë i referohet një deklarate të dhënë për të nga Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed B. Syrtari, i cili ndër të tjera është shprehur për TRT-në se “Çdo bashkëpunim me ambasadën turke, me shtetin turk dhe me agjencinë TIKA për këtë xhami do të ishte më se i dobishëm, meqenëse ky objekt lidhet edhe me emrin e madh të Sulltan Mehmet Fatihut, për arsye se ata kanë eksperiencë shumë më të madhe dhe kanë mundësi shumë më të mëdha se sa shteti ynë, ministria e jonë e kulturës si dhe instituti i monumenteve të kulturës për restaurimin dhe kthimin në identitet të kësaj xhamie shekullore”.
Madje Myftiu i Shkodrës shkon edhe më larg me deklaratat e tij provokuese për komunitetin katolik të Shkodrës kur deklaron se “është e nevojshme që të përsëritet, të thuhet dhe të lajmërohet më të madhe se objekti i kultit në kalanë e Shkodrës është xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut! Nuk ka nevojë për asnjë etiketim tjetër dhe nuk ka nevojë për asnjë cilësim tjetër shpesh herë edhe qesharak që i bëhet këtij objekti për qëllime krejt të panevojshme që shpeshherë kthehen në objekte provokimi ndaj historisë sonë, ndaj identitetit tonë islam dhe ndaj gjurmëve të trashëgimisë tonë historike, kombëtare dhe kulturore”, – shprehet ai.
Ndërhyrja e Turqisë në këtë debat pritet të shkaktojë mjaft reagime në Shkodër dhe në opinionin publik shqiptar, pasi pozicionimi në këtë debat më shumë se sa “shërues” i hedh “benzinë zjarrit”, duke patur parasysh se ky fill i rrezikshëm mund të çojë edhe në konflikt fetar ashtu siç për pak u rrezikua në vitin e luftës civile 1997 në qytetin e Shkodrës.
Për më tepër që kjo ndërhyrje e Turqisë është e njëjtë si ajo e Greqisë për rastet e kishave orthodhokse në Jug të vendit, veçanërisht në zonën e Himarës, për të cilat ka patur reagim zyrtar edhe nga Tirana, që në këtë rast duhet të mbajë të njëjtin qëndrim edhe ndaj Ankarasë.