Zgjerimi i kampionatit botëror ishte një vendim që u prit mjaft mirë nga opinioni sportiv në Shqipëri. Kjo për faktin se me shtimin e kombëtareve pjesëmarrëse, ndizen shpresat e kuqezinjve për të regjistruar kualifikimin e parë historik në këtë garë.
Ky vendim i FIFA-s është pritur mjaft mirë nga trajneri i kombëtares shqiptare Gianni de Biasi i cili ka deklaruar për mediat italiane se tashmë shtohen mundësitë e përfaqësueseve të vogla për të qenë pjesë e kampionatit botëror.
“Jam pro këtij vendimi, pasi jam pro ekipeve të vogla. Duke qënë se na shtohen mundësitë për tu përfshirë në kupën e botës, nuk mundet vetëm se ta pres më një buzëqeshje këtë vendim. Mendoj që është pozitiv ndryshimi i formatit. Është një mënyrë për të zgjeruar kufijtë e garë. Evropiani na mësoi se edhe kombëtaret e vogla si Shqipëria, Uellsi apo Islanda mund të konkurrojnë në nivele të larta”, tha de Biasi.
Tekniku 60-vjeçar u ndal edhe tek përshtypjet e tij personale në stolin e kombëtares shqiptare “Të stërvitësh një skuadër të vogël të jep motivacione të mëdha dhe nuk ka atë përgjegjësi që të atribuohet kur drejton ekipe me peshë. Jeta nuk të lë kohë të mendohesh shumë, duhet të prodhosh vazhdimisht rezultate, dhe ti vendosësh vetes objektiva, pa u kënaqur më atë çfarë ke arritur të realizosh”.
Në mbyllje tekniku i kuqezinjve foli edhe për kombëtaren italiane me të cilën do të përballet në Mars duke vlerësuar punën e Venturës dhe elementët e rinj që po inkuadrohen tek përfaqësuesja e kaltër.