Qeveria shtyn me nje vit afatin e bonove te privatizimit

 

Qeveria shtyn sërish afatin e vlefshmërisë së lekëve dhe bonove të privatizimit të shpërndarja për ish-punonjësit e ndërmarrjeve shtetërore në mesin e viteve ’90. Afati i përdorimit të bonove të privatizimit ishte dhjetori i vitit 2016 por me vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave, afati i ri është 31 dhjetori i vitit 2017.

Një vendim të tillë qeveria e ka marrë thuajse çdo vit, me synimin që t’u vijë në ndihmë zotëruesve të tyre, që nuk kanë arritur ende që t’I përdorin ato.

Aktualisht bonot e privatizimit dhe lekët e privatizimit sipas ligjeve në fuqi, bonot e privatizimit mund të përdoren në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale dhe në llogaritjen e formulës së privatizimit në shoqëritë aksionere për punonjësit, të cilët shkëmbejnë bonot e privatizimit me aksione, në procesin e privatizimit të SME-ve.

Po ashtu, ish- pronarët e truallit që gëzojnë të drejtën e parablerjes mund të kryejnë pagesën  për objektin apo ndërmarrjen që privatizohet në një raport 20 % me lekë dhe 80 % me bono dhe lekë privatizimi.

Një përdorim tjetër i bonove të privatizimit është edhe në proceset e privatizimit të objekteve shtetërore të dhëna me kontratë qiraje apo enfiteozë, ku këto objekte u shiten drejtpërsëdrejti qiramarrësve apo enfiteozmarrësve dhe vetëm objekti bashkë me makineritë dhe pajisjet, nëse kanë, duhet t’i paguajnë deri  80% të vlerës së tyre me bono dhe lekë privatizimi.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë. Nga këto janë përdorur deri tani në proces privatizimi 10 miliardë lekë, ndërkohë që mbeten të shpërndara dhe të papërdorura 41 miliardë lekë të tjera. Në procesin e privatizimit masiv u përdorën vetëm një pjesë e vogël e tyre 14.59 për qind e totalit ose 21.35 për qind e bonove të privatizimit të shpërndara.

Bonot e privatizimit kanë pasur dy destinacione masive, grumbullimi në fonde investimi dhe përdorimi në procesin e legalizimit. Vlera e bonove të investuara në sipërmarrje ishte afro 120 milionë dollarë. Ato u depozituan tek ish Banka e Kursimeve.

Vlera e Bonove të privatizimit është luhatur në varësisë të përfshirjes së tyre në sferën ekonomike nga qeveria. Vlera e bonove është luhatur ndër vite duke rënë nga 17-18 për qind në 1998, në 12 për qind para katër vitesh, kur edhe u lejua përdorimi i tyre për legalizimin e ndërtimeve pa leje.

Që atëherë, bonot janë zhvlerësuar deri në 4.5 apo 5. Vlera e tyre është rritur sërish pas përfshirjes në ligjin për legalizimet.

Qeveria shtyn me nje vit afatin e bonove te privatizimit

Ndahen pas 6 muajsh të fejuar, prindërit

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko