Përplasja në mazhorancë/ Ahmetaj dhe Beqja favorizojnë kompaninë farmaceutike, VKM-në e bllokon Manjani

0
242

 

Nga projektligji për rimbursimin e akcizës për lëndën djegëse që përdoret për industrinë farmaceutike përfiton vetëm një kompani, që prodhon barna në vend

 

Ervin Kaduku

 

Tashmë nuk është më sekret përplasja në qeveri e mazhorancë, që lind nga qendrime shpesh shumë të ndryshme ndaj veprimeve që propozohen nga Ekzekutivi për të ndërhyrë në ekonomi apo sektorë të tjerë të jetës së vendit. Duket se kjo përplasje i ka bazat në refuzimin e LSI për të miratuar disa projekte ligjore e nënligjore, të cilat, pas petkut mashtrues të reformave, faktikisht nuk bëjnë gjë tjetër veçse favorizojnë klientë të kryeministrit dhe të grupit të më të afërmvetë tij, çka përkthehet me një fjalë: korrupsion. Ja një shembull i qartë i asaj se çfarë po tentojnë të bëjnë ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe ai i Shëndetësisë Ilir Beqja, dy oborrtarë tëEdi Ramës, për të cilët jo pak herë është përfolur se mbajnë flamurin e korrupsionit në qeverinë shqiptare.

Edhe pse ka vetëm pak ditë nga hyrja në fuqi e ndryshimeve në paktën fiskale 20167, Ministria e Financave ka çuar në ministri të ndryshme një projektligj të ri cili përfshin rimbursimin e akcizës për lëndën djegëse që përdoret për industrinë farmaceutike në vend.

Nga kjo masë e re e qeverisë përfiton vetëm një kompani, që prodhon barna në vend. Sipas korrespondencës midis dy ministrive, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, i cili jep mendim, për të gjitha projektligjet që entet publike çojnë në qeveri është shprehur me rezerva për këtë ndryshim.

“Përmes ndryshimit të tabelës “Industria” në Aneksin 10 të vendimit, propozohet të shtohet rimbursimi i lëndëve djegëse që do të përdoren gjatë proceseve teknologjike të prodhimit të barnave. Përveç argumentit se kjo masë do të nxisë prodhimin vendas te barnave, vlerësojmë se nevojitet një analizë me e detajuar e nevojës se parashikimit të një mase të tillë lehtësuese dhe të ndikimit që mund të sjellë rimbursimi i këtij procesi”, thuhet në shkresën që Manjani ka dërguar në Ministrinë e Financave, si përgjigje e kërkesës për mendim të dërguar nga financat.

Me tej ai është shprehur se do të japë “ok” që ky ligj të kalojë për miratim të mëtejshëm në qeveri vetëm pasi të jenë reflektuar sugjerimet e Ministrisë së Drejtësisë. Nga ana tjetër Ministria e Financave në relacionin përkatës që shoqëron projektligjin ka pohuar se ndryshimet i shërbejnë nxitjes së industrisë vendase dhe projektligji saktëson rregullat dhe procedurat për t’iu përgjigjur zhvillimeve të tregtisë dhe nevojave të operatorëve ekonomikë të akcizës. Ndryshimet rishikojnë gjithashtu procedurën e rimbursimit të masës “bio” për të cilën rimbursohet akciza në përmbajtjen e biokarburanteve si dhe vendosja e kritereve dhe kryerja e verifikimeve për të përfituar rimbursimin.

Por këto justifikime nuk mund të fshehin masat korruptive të ndërmarra nga ata, që presupozohet se duhet të mbrojnë interesat e shtetit dhe jo të zyrtarëve apo subjekteve të veçantë. Nuk është hera e parë që ndodhin përplasje të tilla ndër-ministeriale.

 

Përgjimet

Pak kohë më parë u mësua se Ministria për Shtetin, Inovacionin dhe Administratën Publike ka përgatitur një projektligj të ri sa i përket marrjes së të dhënave nga kanalet e komunikimit elektronik me qëllim ndjekjen penale. Kështu, bëhet fjalë për ligjin nr. 9918, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”. Ky projektligj i përgatitur nga ministria e drejtuar nga Milena Harito ka krijuar rezerva në mendimin e Ministrisë së Drejtësisë. Ministri i linjës Ylli Manjani edhe pse e ka cilësuar projektligjin  në tërësi të qartë është ndaluar në pikën 6 dhe 7 të nenit 3 duke shënuar se përmirësimi i menduar mund të lerë shkas për abuzim.

PERGJIGJA E MANJANIT PER HARITON

Sa më sipër e gjejmë të paqartë dallimin midis pikës 6 dhe 7 të nenit 3 të projektligjit:

a/ Cilat janë ato raste apo vepra penale për të cilat të dhënat kërkohen brenda 24 orëve dhe cilat janë ato vepra penale për të cilat mund të presin deri në 7 ditë për marrjen e të dhënave që ruhen në skedarë?

b/Cili është organi që bën vlerësimin që këro të dhëna janë të ngutshme  dhe duhet të jepen brenda 24 orëve?

c/ Cili është organi apo autoriteti që bën vlerësimin e ligjshmërisë së kësaj kërkese paraqitur nga Policia Gjyqësore dhe gjykon nëse është ose jo rasti për marrjen e këtyre të dhënave?

Ndërhyrja në këto të dhëna vetëm me kërkesë të Policisë Gjyqësore , pa patur kurrfarë vlerësimi apo kontrolli nga një autoritet tjetër mund të përbëjë shkak për abuzim dhe nuk do ti shërbente qëllimit për të cilin është krijuar kjo normë juridike. E thënë në terma konkrete, në çdo rast, me justifikimin në kuadër të një operacioni për parandalimin e një vepre penale, Policia Gjyqësore mund ti kërkojë këto të dhëna nga operatori, i cili nuk ka as kompetencën dhe as kapacitetin e duhur për të bërë vlerësimin që kjo kërkesë është e bazuar në ligj apo jo.

 

Hipotekat

Edhe projektvendimi, nismë e Ministrisë së Zhvillimit Urban, për legalizimin e pallateve që kanë shkelur lejen e ndërtimit apo janë ndërtuar pa leje, ka shkaktuar përplasje brenda qeverisë. Sipas Ministrisë së Zhvillimit Urban, projektvendimi përshpejton procesin e legalizimit dhe lehtëson qytetarët. Por, në një shkresë zyrtare, Ministria e Drejtësisë tha se ky akt shkakton përplasje ligjore, cënon kompetencat e pushtetit vendor, por mbi të gjitha nxit evazionin dhe çon në një paradoks fiskal, duke ulur taksat për ata që kanë shkelur ligjin.

Sipas ligjit të taksave vendore, për çdo ndërtimi të ri, taksa e ndikimit në infrastrukturë është sa 8 për qind e vlerës së objektit dhe paguhet në bashki. Por, nëse objekti është në proces legalizimi tek ALUIZNI, taksa është vetëm 0.5 për qind. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, duke e transferuar të drejtën e legalizimit të pallateve nga bashkitë tek ALUIZNI, projektvendimi ul automatikisht me 16 herë taksën e ndikimit, duke u falur ndërtuesve miliona euro taksa. Kjo sipas saj krijon një paradoks, që takson me 8 për qind taksë ndërtuesit e ligjshëm, por vetëm 0.5 për qind ata që kanë ndërtuar pa leje.

Në oponencën që i ka bërë projektvendimit, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar që e drejta e legalizimit të pallateve pa leje apo atyre që janë në thyerje të lejes, t’u mbetet bashkive, ndërsa ALUIZNI të legalizojë shtëpitë private që janë ndërtuar personalisht nga qytetarët. Në shkresën që i ka nisur Ministrisë së Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë thotë se vetëm kështu shpejtohet procedura e legalizimit, rritet siguria e ndërtimeve, mbyllen shtigjet për evazion dhe dekurajohen ndërtimet e reja pa leje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here