Themeluesi i ‘WikiLeaks’, Julian Assange, i cili ndodhet i strehuar prej disa kohësh në ambasadën e Ekuadorit ne Britani ka deklaruar se George Soros dhe USAID kanë financuar mediat kryesore të skandalit ‘Panama Papers’, si pjesë e një fushate të gjerë propagandistike kundër Rusisë.
Julian Assange u është përgjigjur pyetjeve të përdoruesve të rrjetit social ‘Reddit’, duke thënë se faktet e publikuara në skandalin e ashtuquajtur ‘Panama Papers’, ishin përshtatur të gjitha në lidhje me Putin, nga ata të cilët ai i quajti si “idiotët e zakonshëm të klasës sunduese të shtypit”, – raporton ‘Rusia Today’.
Putin sipas tij ishte ‘shtylla kryesore e tregimit’ më tepër se shumë figura të tjera perëndimore të cilët janë implikuar, ku Assange përmend ish-kryeministrin britanik David Cameron, si pjesë e një përpjekjeje të financuar nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar( USAID) dhe Soros.
“Ky nuk është model integriteti,”- tha Assange duke shtuar se ‘Panama Papers’ është financuar nga një qeveri e caktuar për të sulmuar një qeveri tjetër, ndërsa ‘WikiLeaks’ është themeluar nga lexuesit e tij.
Assange ka shprehur pikëllim për humbjen e një videoje që kishte prova nga krimet e luftës të kryera nga SHBA në Granai të Afganistanit në vitin 2009, të cilat ai thotë se janë vjedhur nga një operacion i inteligjencës suedeze në vitin 2010.
Ndërsa sa i përket dokumenteve të Snowden, Assange tha se më shumë se 97% e tyre janë censuruar nga organizatat e mediave të cilat i kanë privatizuar materialet dhe kufizuar ato.
Kujtojmë se në megaskandalin “Panama Papers”, një raport i gazetarëve investigativë ku shfaqej korrupsioni në dhjetëra vende të botës duke përfshirë edhe liderë botërorë, u përfol edhe Shqipëria./BW