Debate të ashpra në grupin e PD/ Topalli e Bregu kundër Bashës: Jo bojkotit të Kuvendit!

Disa orë para mbajtjes së seancës së parë plenare për këtë sesion parlamentar për vitin 2017, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur grupin kuvendor të forcës politike që ai drejton. Nga mbledhja me dyer të mbyllura e grupit, fillimisht ka qenë Basha që ka informuar deputetet rreth takimit me partitë aleate të koalicionit, ku u diskutua lidhur me reformën zgjedhore dhe hapat që do të marrë opozita në raport me zgjedhjet.

Të njëjtat burime pohojnë se brenda mbledhjes ka patur mjaft debate. Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mësohet të jetë shprehur kundër bojkotit të Kuvendit, qëndrim që është mbështetur edhe nga deputetja e PD-së, Majlinda Bregu. “Nuk jam për të bojkotuar Parlamentin, kjo do na penalizonte”, – është shprehur Topalli. Ndërsa Bregu ka vijuar  “jo 22 parti, por 52 të jenë aleatët tanë, barra është e jona”. Madje duke iu drejtuar me tone të forta Bashës, Bregu ka vijuar: “Që të bëjmë bojkot a jemi gati për të nxjerrë njerëzit në rrugë? A i kemi strukturat gati? Ndaj e përsëris, jo 22 po 52 parti të kemi në koalicion, pesha duhet të jetë e jona. Pa qenë të sigurtë për protest

Por brenda mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së ka patur edhe zëra në mbështetje të bojkotit të Kuvendit. Sipas burimeve për “BalkanWeb”, deputeti Genc Ruli është shprehur se “Për të arritur zgjedhje normale, ia vlen dhe të shtyhet data zgjedhjeve”. Ndërsa Arben Ristani mësohet të jetë shprehur se “duhet të përshkallëzojmë reagimet, me bojkot e protesta”. Me të ka replikuar Bregu që mësohet të ketë thënë se “a është në gjendje sot PD të organizojë protesta”

Kurse deputeti Aldo Bumçi ka propozuar që PD të përgatisë variantin e saj. “Duhet të përgatitim variantin tonë. Nëse e nisim, duhet ta përfundojmë aksionin. Prandaj duhet te kemi kujdes ne vendimmarrje”, – është shprehur Bumçi.

Më herët Basha zhvilloi një takim me partitë aleate, ku në përfundim të takimit, koalicioni opozitar ka nënshkruar një memorandum për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku qartësisht dallon kërkesa e “patejkalueshme” për votim dhe numërim elektronik. Memorandumi u nënshkrua dhe nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

“Me anë të një memorandumi të nënshkruar nga partitë e koalicionit opozitar u theksua se votimi dhe numërimi elektronik është një kusht thelbësor për garantimin e votës së lirë e të ndershme. Memorandumi pritet të nënshkruhet edhe nga parti të tjera jashtë koalicionit opozitar”, u tha pas takimit.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje opozita e veçanërisht PD-ja duket se janë në prag të vendimit për bojkotin e zgjedhjeve parlamentare për sa kohë “kushti i patejkalueshëm” nuk pranohet nga mazhoranca.
Sakaq, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD ku u diskutua edhe opsioni i bojkotit tek Kuvendit, deputetët demokratë kanë dhënë gjykimet e tyre./BW

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko