Hofenhajmi, e vetmja skuadër pa humbje në kampionatet elitare në Europë

0
164

Humbja në minutat e fundit e Realit të Madridit të dielën në mbrëmje ndaj Seviljes veç ndërprerjes së serisë rekord të rezultateve pozitive të skuadrës madrilene, la gjithashtu një skuadër të vetme në ligat kryesore europiane që nuk është mundur ende gjer në këtë pjesë të sezonit.

Në pesë kampionatet më të forta të Europës, në Premier League, Primera Division, Seria A, Bundesliga e në Ligue 1, Hofenhajmi i kampionatit gjerman mbetet ekipi i vetëm pa humbje.

Hofenhajmi ndodhet në vend të pestë në Bundesligë, me gjashtë fitore e dhjetë barazime. Për skuadrën gjermane, që ka 11 pikë më pak se Bajerni i Mynihut i vendit të parë, shija e humbjes është e panjohur deri tani, si për asnjë tjetër në elitën e futbollit europian.

Kryesuesit e Bundesligës, Bajerni i Mynihut, ka pësuar një humbje në 16 javë. Tre është numri i humbjeve të Çelsit, skuadrës që kryeson kampionatin anglez. Në Spanjë, Reali u mund më në fund para dy ditësh. Juventusi, pamendueshëm, ka katër humbje në 19 ndeshje. Në ligën e parë franceze, Monako e vendit të parë është mposhtur tre herë në 20 javë, përkundër një humbjeje të Nisës, skuadrës që mban vendin e dytë me të njëjtin numër pikësh.

Në kampionatet e niveleve më të poshtme, janë një sërë skuadrash që ende qëndrojnë të pamundura, e mes tyre është dhe Kukësi. Nuk e njohin humbjen ende gjithashtu Shakhtari i Donjeckut, Istanbul Bashakshehiri, Rijeka, Kopenhageni, Sëlltiku, si dhe tre skuadra të tjera më të vogla. /tesheshi.com/   

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here