Deputetët propozojnë ndryshime në tarifat e gjyqësorit

0
249

Kuvendi ka planifikuar të shqyrtojë në javët në vijim paketën e dytë të nismave ligjore që vijnë si rrjedhojë e reformës në drejtësi. Nismat janë depozituar tashmë në Kuvend e mbajnë firmën e deputetëve Vasilika Hysi e Ulsi Manja, anëtarë të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi.

Nismat janë të karakterit ekonomik e parashikojnë ndryshimin e ligjit të buxhetit të shtetit sa i përket pjesës së buxhetit për sistemin gjyqësor dhe të tarifave të sistemit gjyqësor.

Sa i përket buxhetit të sistemit të drejtësisë, deputetët kanë zgjedhur rrugën e amendimit të ligjit ekzistues të buxhetit të shtetit dhe jo një ligj të posaçëm.

Shqipëria rezulton se ka nivelin më të ulët të raportit të buxhetit të gjykatave me buxhetin e shtetit dhe GDP-në, krahasuar me vendet e rajonit, si dhe me mesataren evropiane. Prej disa vitesh, rezulton se buxheti i miratuar për gjykatat në Shqipëri zë mesatarisht 0,5% të totalit të buxhetit të shtetit dhe 0,13% të GDP-së. Përveç financimit që marrin nga buxheti i shtetit, gjykatat realizojnë edhe të ardhurat që vijnë nga tarifat që ato aplikojnë. Gjykatat lejohen të përdorin 10% të shumës së siguruar për nevojat e tyre administrative por jo për shpërblime.

Me ndryshimet e propozuara në ligjin për menaxhimin e buxhetit të shtetit, propozohet nocioni i “dyshemesë së programit buxhetor” që nënkupton përcaktimin e një vlerë minimale financimi vjetor për sistemin e drejtësisë. Po ashtu, propozohet krijimi në buxhet i një zëri të posaçëm të emërtuar “Financimi i sistemit të drejtësisë”, krahas dy zërave të tjerë si “fondi rezervë“ dhe “fondi i kontigjencës”.

Sa i përket tarifave, projektligji i depozituar në Kuvend parashikon:

-Tarifa gjyqësore e përgjithshme për çdo nivel gjykimi përllogaritet mbi bazën e vlerës së çështjes gjyqësore civile, administrative ose penale si më poshtë:

  1. a) 1% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të parë;
  2. b) 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të dytë;
  3. c) 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në Gjykatën e Lartë;
  4. d) 5 mijë lekë për gjykimin e ankimeve të veçanta
  5. e) 2 mijë e 500 lekë për gjykimin e kërkesave civile, administrative dhe penale;
  6. f) 5 mijë lekë për paraqitjen e ankimit kundër vendimit penal në gjykatat e apelit;
  7. g) 5 mijë lekë për paraqitjen e rekursit kundër vendimit penal në Gjykatën e Lartë.
  8. h) 5 mijë lekë për gjykimin e çështjeve penale në ato raste kur gjykata vihet në lëvizje me kërkesë nga i dëmtuari akuzues. Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit në këto çështje, tarifa është 2 mijë e 500 lekë.

Nëse vlera e padisë nuk mund të përcaktohet, për shkak të natyrës së veçantë të mosmarrëveshjes, tarifa e përgjithshme gjyqësore është 5 mijë lekë.

Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit në këto çështje vlera e tarifës është 2 mijë e 500 lekë. Përcaktimi i vlerës së padisë bëhet nga personi, i cili ka ngritur padinë përpara gjykatës.

Tarifa gjyqësore e përgjithshme për paraqitjen e çështjeve gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese do të jetë 5 mijë lekë. Kjo tarifë do të paguhet vetëm në ato raste, kur Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të individëve. Tarifa gjyqësore e përgjithshme parashikohet që pas datës 31 dhjetor 2017 të rritet me 500 lekë çdo vit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here