Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, është një nga presidentët më të rinj në futboll dhe siç tregon vetë ai, është shumë vështirë të menazhosh një klub në Shqipëri. Gjithsesi ndjehet krenar që është në krye të një klubi siç është Partizani dhe tregon se objektivi këtë vit duhet arritur me patjetër (titulli).
Demi gjatë një interviste është shprehur gjatë edhe për kompleksin e stadiumin që po ndërtohet në periferi të qytetit. Te ky investim, numri 1 i të “kuqve”, pretendon se do të gjendet “shpëtimi” i Partizanit. Pasi mendon se përveçse do ta bëj klubin një model, do t’i sjellë edhe shumë të ardhura.
“Partizani është ndërtuar për të fituar Titullin kampion. Skuadra i ka të gjitha kushtet për të arritur këtë objektiv, ndonëse në fund të gjysmës së parë të kampionatit nuk jam 100% i kënaqur sepse duhet të isha në vend të parë në klasifikim për vetë mundësitë që i janë dhënë skuadrës.
Titulli? Unë në bindjen time jam i sigurtë që këtë vit do ta fitojmë titullin, megjithatë tashmë i mbetët stafit dhe fushës , pa harruar edhe pak fatin. Unë nuk besoj që Federata e Futbollit vendos se cila skuadër duhet të shpallet kampion , pasi nuk ka edhe ajo interes.
Federata është organizatore e kampionatit dhe kërkon të bëj më të mirën për futbollin shqiptar. Ndoshta në gjaknxehtësi e sipër edhe pjestar të stafit tim mund të kenë folur ndonjë fjalë për arbitrimet , por në përgjithësi unë si president nuk jam shprehur asnjëherë për gjykimet. Sigurisht gjyqtarët duhet të jenë të vëmendshëm sepse investimet që bëjmë janë të mëdha .
A korruptohen Arbitrat? Edhe ata njërëz janë , përderisa korruptohen politikanët ,përse nuk u korruptokan edhe arbitrat, por sigurisht fajin prap e kemi ne pasi tek e fundit kush i korrupton! Nëse unë si president nuk ofroj para por edhe presidentët e tjerë nuk e bëjnë diçka të tillë, atëherë kjo gjë do të jetë pozitive për të gjithë.
Unë jam nga presidentët më të rinj në futboll dhe e theksoj që është shumë e vështirë të mbash një Klub. Idetë e mia janë të konceptuara në fushën e biznesit dhe unë dua ta bëj Partizanin të funksionoj si një ndërmarrje.
Sezonin e kaluar sigurisht kam humbur diçka më pak se vitet e kaluara. Për opinionin tim brenda 2-3 viteve pasi të përfundoj edhe Akademia që po ndërtoj që besoj këtë vit do të jetë gati , mendoj që në harkun e 2-3 viteve do ta nxjerr Partizanin me një bilanc pozitiv.
Ndërtimi i kompleksit Sportiv të Partizanit ka filluar të marrë jetë përpara 5 muajve , punimet po ecin me ritme të larta, dhe së bashku me stafin që po punohet, mendojmë që ky investim gjigant në muajin Shtator do të jetë gati . Edhe nëse nuk do të jetë 100% i përfunduar mendoj se në këtë periudhë Partizani do të stërvitet në fushat e këtij kompleksi dhe sigurisht do të luaj në stadiumin që po ndërtojmë.
Kam dëgjuar shumë të flitet që Partizani më ka ngecur . Tashmë kanë kaluar disa vite dhe Partizani është bërë pjesë e jetës dhe gjakut tim”, ka përfunduar Gaz Demi për ABC news.