Zbulohet arsyeja e burgosjes së të riut i cili mbrëmjen e sotme tentoi t’i jepte fund jetës. ‘BalkanWeb’ bazuar tek burimet zyrtare nga policia mëson se 27-vjeçari Marlind Ymeraj, banues në Tiranë, vuante dënimin për vjedhje. Të njëjtat burime pohojnë për ‘BalkanWeb’ se arrestimi i të riut u krye më 19 qershor të vitit 2015. Ai akuzohej se po këta ditë, rreth orës 11:30, se në rrugën “Sokrat Miho”, i ka marrë çantën shtetases L.Rr, vjeç 24, banues në Tiranë. Atij gjatë kontrollit të ushtruar iu gjet një përforcues grushti e një shall i përshtatur si maskë.
“Më datë 19.06.2015, rreth orës 11.30, u arrestua në flagrancë shtetasi Marlind Ymeraj, vjeç 27, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në orën 03.00, në rrugën “Sokrat Miho”, i ka marrë çantën shtetases L.Rr, vjeç 24, banues në Tiranë, si dhe gjatë kontrollit ju gjet një përforcues grushti e një shall i përshtatur si maskë. Nenet 134/1 e 279 të Kodit Penal.”, citohet në njoftimin e policisë gjatë kohës së arrestimit të Ymerajt. Ai si fillim u dërgua në burgun 303 në Tiranë, e më pas në atë të Fierit.
Tentativa për vetëvrasje
Ditën e sotme, 27-vjecari tentoi të mbyste veten me çarçaf në ambientet e qelisë. Sipas informacioneve që disponon ‘BalkanWeb’ mësohet se i riu është rëndë për jetën, pasi është në gjendje kome. Si fillim ai u transportua me urgjencë në spitalin e Fierit, e më pas drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.