RRËFIMI/ 3 vëllezërit shqiptarë që shpëtuan në “Titanik”,

0
202

 

Kaloi mbi një shekull nga gjëma mbinjerëzore, që 100 vjet përpara, mori 1517 jetë njerëzish e sot po merr gjithnjë e më shumë përmasa legjende. Fundosja e Titanikut që konstruktorët e WIHTE STAR LINE e quajtën të pafundosshëm, u fundos, u përmbyt i papërmbytshmi, por legjenda e tij rri pezull e nuk përmbytet. Enigma e mbytjes  në atë mesnate të errësirtë, mes 14 -15 prillit 1912, s’do të “flasë” kurrë. Ajo do të rrijë pezull e do të stërmundojë kokat e shumë studiuesve, shkencëtarëve, shkrimtarëve, gazetarëve, regjisorëve e do të vërtitet nëpër fundoqeanin, duke u ngurosur. Enigma do të mbetet një mister e do të jetojë nga pavdekësia. Ora e vdekjes e “Titanikut” u bë dhe ora e lindjes së historisë tragjike të tij, legjenda e tij. Asnjë copë Titaniku, as i gjithi sikur të nxirret mbi tokë nga fundoqeani, s’do të “flasë” kurrë më shumë se ç’kanë folur të 700 të mbijetuarit. Më së shumti ai do të jetë një muze psherëtimash, dhimbjesh e kureshtjesh turistësh e vizitorësh. Në atë mesnatë tragjike u dëgjuan edhe zëra shqiptarësh. Por askush, asnjë qeveri shqiptare nuk pyeti për 100 vjet me radhë: Kishte a nuk kishte shqiptarë në Titanik. Interesim i ngrirë si lotët e “Lëndinës së Lotëve”.

Karvanarët Tullga

Në një faqe të njërit prej regjistrave të vjetër të Zyrës së Gjendjes Civile të qytetit të Korçës gjendet trungu i familjes Tullga, mes të tjerëve edhe emrat e tre vëllezërve: Vangjelit, Kristaqit dhe Thanasit. Të bëjnë përshtypje të dhënat e hollësishme për secilin, gjuhët që flisnin, profesioni – karvanarë dhe së fundi: Larguar në kurbet në Amerikë, më 1912. Siç më tregon Vangjoja, i cili i ka hyrë studimit me hollësi të trungut familjar, e veçanërisht ngjarjes së Titanikut e cila për dhjetë dekada me radhë ka qenë prezente në familjen e fisin e tij, mbiemri Tullga u kishte mbetur nga nofka “tullë”, (“tullkë” në dialektin korçar, (tullgë), sepse burrat e këtij fisi ishin tullacë. Ata banonin në Malavecin e Sipërm, mbi Dishnicë, fshat që nuk ekziston më, veç murishteve, që koha i ka rrafshuar e fshehur nëntokë. Burrat e këtij fisi ushtronin profesionin e karvanarit, u shërbenin njerëzve me llandonë e karroca me kuaj për t’i transportuar nga një vend në një tjetër, por edhe në Maqedoni, Greqi e Bullgari. Ishte koha kur Amerika kishte ngjallur interes për gjithë botën, por edhe për shqiptarët. Edhe familja Tullga vendosi të përcillte në Amerikë tre djemtë, Vangjelin (Gelan) 30 vjeç, Kristaqin (Kicen) 27 vjeç dhe Thanasin (Naskën) 25 vjeç. Të tre të martuar, të tre të fuqishëm, të mësuar me vështirësi e që u hanin duart për punë. Pasi nxorën “navllot” – (vizat), u nisën nga Korça, nga “Lëndina e Lotëve”, për në Greqi. Udhërrëfyes u bë Visari ose Viska, siç i thoshin me përkëdheli, i cili ishte fis i Tullgave e jetonte në Athinë dhe merrej me udhërrëfime për mërgimtarë. Pasi kishin ndenjur disa ditë në Pire, i kishte përcjellë tre vëllezërit Tullga me një vapor grek për në Ingliterë. Fjalët kishin marrë dhenë, se do të nisej nga Anglia për në Amerikë, një “pamporr” shumë i madh, shumë luksoz, i paparë ndonjëherë, i ri fringo dhe shumë i sigurt. Krenaria e deteve, i thoshin. Tre vëllezërit Tullga nuk mund ta humbitnin shansin për të udhëtuar me këtë gjigand. Familja, kur mori vesh se djemtë do të udhëtonin me të, u gëzua pamasë se u sigurua që ata do të arrinin shëndoshë e mirë, sepse anija ishte e pambytshme. Kaluan javë e muaj… Familja Tullga priste me ankth lajm për mbërritjen e djemve në Amerikë. Pritja u thye në makth, pasi lajmi i zi për mbytjen e Titanikut kishte pushtuar edhe Shqipërinë. Në shtëpinë e Tullgave vërtitej një si kob shqetësimi: “Kanë shpëtuar djemtë, vallë”?!  Pas shumë kohësh mbërriti një letër nga Bostoni. Zarfi nuk ishte rrethuar me shirita të zinj anash çka do të thoshte se nuk sillte kob. E shkruante vëllai i madh, Gela. Pak a shumë, thoshte: Jemi gjallë. Shpëtuam me ndihmën e të madhit Zot. Kemi parë vdekjen me sy. Kemi zënë punë. Unë dhe Kicja në një fabrikë emaljoje, Naska ka hyrë berber në Boston. Mos u bëni merak për ne. Thanasi kishte lënë në Shqipëri gruan, Sofinë dhe një vajzë të vogël. I dërgojnë haber se vajza nuk ishte mirë… Ai diçka parandjeu dhe kthehet. Me mbërritjen e tij në shtëpi rinisi kuja. I kishin vdekur edhe çupa edhe gruaja, Sofia. Sofia ishte nga Fisi i Beçkave, motra e Nasi Beçkës nga Çifligu. Dhembje mbi dhembje! Plagë mbi plagë. Kishte vdekur edhe nusja e vëllait të mesëm, Kristaqit që kishte lënë një djalë…

Rrëfimi i Thanasit: “Si hipëm në një mal prej hekuri”

Rrëfimet e Thanasit, për mesnatën e 14-15 prillit 1912, u bënë ngjarje të ditës në shtëpinë e Tullgave. Kushdo që vinte ta takonte për kryeshëndoshë apo t’i uruar mirëseardhjen do ta pyeste patjetër edhe për tragjedinë e Titanikut  Ato rrëfime kaluan gojë më gojë e brezpasbrezi dhe kanë arritur deri në ditët tona, që Vangjoja m’i tregon me aq emocion e korrektësi sikur ta kishte përjetuar vetë atë ngjarje, ndonëse gjyshi i vdiq kur ai ishte maturant në gjimnaz, në Korçë. Im gjysh, Thanas Tullga, tregon Vangjoja, kishte një kujtesë fenomenale dhe ishte kureshtar i madh. Ai mbante mend me hollësi çdo detaj të udhëtimit. Ishte 10 prill 1912, ditë e mërkurë kur hipën në Titanik në portin i Southamptonit dhe kishin mbetur gojëhapur kur e kishin parë. Nuk ishin përhapur kot llafet se, gjer atëherë, asnjë vapor i tillë madhështor nuk kishte çarë detet e oqeanet. Ishte i pambytshëm. Ishte si një “mal pe hekuri, sa Morava, një qytet më vete që voziste në det e deti llamburiste nga dritat e luksi, sa të erreshin sytë e të merreshin mentë”, – tregonte Naska. Biletat Viska ua kishte prerë të lira, në Klasin III, ku të tërë ishin mërgimtarë, të varfër që shkonin në botën e re për punë. Gjatë udhëtimit kishin zënë muhabet me ca grekë, se merreshim vesh, pasi dinin greqisht, kurse ca grekë dinin anglisht se kishin qenë në Amerikë e bënin për ta edhe përkthyesin.

“Ishte si në një çmendinë ku njerëzit nuk ishin të çmendur, por ua kalonin atyre”

E diel, 14 prill 1912. Ora shënoi 23.40 minuta. Duheshin edhe 20 minuta që të vinte mesnata. Ndërsa udhëtonte në ujërat e ftohta të veriut të Atllantikut, Titaniku u drodh sikur të goditej nga një mal. Ajzbergu… Mali i nëndheshëm prej akulli sulmoi pabesisht malin prej hekuri nga poshtë. Sipër, në Klasin I kishte filluar tmerri. “Ne të Klasit III, nuk dinim se ç’bëhej lart, – tregonte Naska. Një përfaqësues i ekuipazhit u kishte dhënë lajmin fatal që ua kishin perkthyen grekët. Anija për rreth 2 orë e gjysëm fundoset… Kapideni Eduard Smith urdhron braktisejen e saj. Të shpëtojë kush të mundë… Tashmë kapideni i madh Smith komandonte mbytjen. Ishin ngjitur të tre në kuvertë. Lemerinë që kishin parë nuk ka gojë ta tregojë as penë ta shkruaj. Skena të çuditëshme plot tmerr e rrënqethje. “Ishte si në një çmendinë ku njerëzit nuk ishin të çmendur, por ua kalonin atyre”- kishte thënë Naska…  Vetëm muzikantët u binin veglave më të qarë. Qanin veglat muzikore, qanin dhe muzikantët tek përcillnin njerëzit dhe veten e tyre me muzikë në botën tjetër! Një tmerr! “Na kishte ikur zëri nga tmerri. Se është e bukur jeta sidomos kur vdekja të sheh në sy e ti nuk e afron, thoshte Naska. Na duhej të merrnim një vendim. Dhe e morëm. Të hidheshim të tre në ujë. Si të ishte shkruar nga Zoti. Sido që të jetë puna duhet të ishim bashkë, pranë njëri-tjetrit, qoftë edhe në fund të oqeanit. Duhet të shpëtonim.  Vendimi na jepte forcë e shpresë për të jetuar. Po si? Pa një mjet lundrimi në mes të oqeanit! Pamë rretheqark. Tavolina të boshatisura që dridheshin, karrike që rrëshqisnin… Kush mund të bëhej mjeti i shpëtimit?! E vendosën…  Hodhën tavolinën, pastaj morën nga një karrike… dhe u hodhëm “fiu” me to drejt në ujë… Ulërimat e lemeritë sikur dilnin nga uji e ngjiteshin në qiell si një lutje e mallkim. Duke notuar me karrike iu afruan tavolinës, që kishin hedhur e rrinte mbi ujë. Vumë duart te ajo. Luftonim me vdekjen. Duhet t’i shpëtonim vdekjes. Por vdekja na ndiqte pas. Duhej guxim timëri e fat”. Ata e përzunë vdekjen me guximin e moshës edhe të njerëzve të papërkulshëm. Befas u zë syri një varkë të përmbysur që plluskonte mbi ujë. Sikur panë një fije dritë shpëtimi të vogël. Iu vunë asaj, bashkë me disa të tjerë dhe e kthyen së mbari. Një varkë e përmbysur përmbysi përsëri fatin dhe e ktheu drejt jetës. Ajo varkë u bë shpëtimtarja e mbijetesës. E ngisnin me duar. Iknin që t’i shpëtonin thithjes së vorbullës që do të bënte anija kur të fundosej plotësisht. Iknin tutje nëpër oqean, pa drejtim, iknin dhe e ftohta e madhe para vdekjes së akullt, nuk ndihej.  Pas 2 orë e 40 minutash mali i pabesë prej akulli e mundi malin prej hekuri… Kaq kohë iu desh oqeanit ta gëlltiste atë mal hekuri. Dhe, me që s’e gëlltiste dot menjëherë e çau më dysh, pastaj, si lëshoi një hungërimë llahtari sa u drodh oqeani, e përpiu dhe e çoi 2787 m thellë. Titaniku kishte “pirë” brenda mushkërive të tij 25 milion litra ujë. Dhe mbi të gjitha aq njërëz sa nuk ishin mbytur kurrë.

Ja pse thoshte Tanas Tuglla se “Titanikun” e mbyti qibra

 

Thanas Tullga si sistemoi familjen edhe djalin e Kristaqit, pasi edhe atij i kishte vdekur e shoqja, mori përsëri udhën për në Amerikë. Më 1920 u kthye përsëri në Korçë, u martua me Vangjelinë dhe nuk iku më. Vdiq në Korçë në vitet ‘60 duke lënë pas fëmijë, nipër e mbesa dhe historinë e jashtëzakonshme të mbijetesës. Shumë e kishin pyetur: përse u mbyt Titaniku? Dhe ai me logjikën e njeriut të thjeshtë e ironinë e korçarit kishte thënë: “E mbyti qibra e fodullëku dhe humbja e toruas… Mund të mos kishte vdekur asnjë, po t’i kishin dëgjuar sinjalet e kolegëve të anijeve të tjera që i lajmëruan me shqetësim të devijonin rrugën se kishte male me akuj. Mund të kishin vdekur shumë pak njerëz, s’kishte varka dhe ato që ishin ikën pa u mbushur plot. Në këtë botë nuk ka të pavdekshëm e të pambytshëm”. Sot në Amerikë jetojnë fëmijët e nipërit e mbesat e Kristaqit, njërit prej vëllezërve Tullga.

 

Ilo Deti, i konfirmuar hershëm si “një shqiptar në Titanik”

 

20 vjet më parë, te shihnim në TVSH, në familjen time në Tiranë filmin “Titaniku” (të vjetrin), nëna vithkuqare Olimbi Stoja, ndërsa s’ia ndante sytë ekranit me një ngulm e kureshtje të patreguar, përsëriste vazhdimisht me dhembje: I shkreti Ilua i Kovit paska parë vdekjen me sy”! “I gjori Lui ç’ka hequr”! (I thoshin shkurt amerikanët “Lui”). Ajo më habiti kur më tregoi, se në atë “pamporr të madh që u mbyt” ishte kushëriri i saj Ilo Deti nga Vithkuqi. Përmes habisë, kureshtjes e mosbesimit, për javë të tëra, shfrytëzova shtypin e kohës në Bibliotekën Kombëtare, shfletova libra, aq sa munda, por nuk munda ta gjej askund emrin e Ilo Detit, shqiptarit të mbijetuar në tragjedinë e Titanikut. Por në kontaktet që mora me familjarët e Ilo Detit në Korçë, u binda për të vërtetën dhe botova në vitin 1992, në gazetën “Pasqyra” ku isha kryeredaktor, shkrimin “Një shqiptar në “Titanik”. Pas meje, shkruan për këtë ngjarje edhe të tjerë, thjesht duke u rrotulluar pas fakteve që sillte shkrimi “Një shqiptar në Titanik”, por i vetmi që tregoi interes profesional, që ndoqi me këmbëngulje e kurreshtje gazetari këtë ngjarje dhe solli edhe fakte të reja, që unë i lashë në mes, ishte gazetari Ferdinand Murati. Por habia vazhdon.

Vetëm yjet e qiellit mund ta tregojnë atë natë tmerri

Edhe tri orë të tjera tmerr e lemeri duke u vërtitur mbi oqean me atë varkë. Hënë nuk kishte. Yjet lëviznin të tmerruar e keqardhës mbi oqean e shkonin ato skena që s’i kishin parë kurrë. Kalonin kokë më kokë e puthnin duke qarë për të vdekurit e gjysëmtëvdekurit, por dhe të gjallët që dridheshin e mbanin kokën drejt qiellit… Vetëm yjet mund t’i tregojnë të gjitha ato që ndodhën atë natë. Por ata yje sikur dërguan një mrekulli, një sihariq, se vdekja po mbaronte. Një anije… anija greke Carpathia… pas pesë-gjashtë orësh të sinjalit “SOS” erdhi në fushëpërmbytjen e fushëvdekjen për t’i shëpëtuar. Kishte dhënë e para sinjalin “SOS” për zonën me akullnaja, për aisbergun, por nuk ja kishin varur. U ndanë marinarët trima si rrufe mbi det e i mbodhën të vdekurit (ata që mundën), gjysëm të vdekurit e të gjallët bashkë. Vetëm 700 kishin mbijetuar. Vinin vërdallë ca varka të vogla e thërrisnin me një si buri: A ka të gjallë… A ka njeri të gjallë?!!… Ato thirrje dhimbjeje e lutjeje i përpinte Oqeani. Pastaj qe nisur në heshtje drejt Amerikës, New Yorkut, me ngakesën që nuk do ta dëshironte askush dhe me dashurinë e atyre që Carpathia u bë “Perëndia e shpëtimit”. Kishin ardhur pastaj edhe anije të tjera.  Vaporri Carpathia, pas tre-katër ditësh, më 18 prill, na shpuri në Neë York, tregonte Naska. Si na rregulluan na dërguan në Boston, se atje kërkuam vetë. Zumë punë. Qeveria Amerikane na përkrahu, na dha ndihma edhe shpërblim, të gjthë ne të mbijetuarve se humbëm gjithçka, por rifituam, jetën dhe një histori që nuk ishte thjesht histori, ishte edhe tragjedi, që do të rrëfehet si legjendë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here