– Çfarë ndodhi me kompaninë “Albpetrol” që detyroi ndërprerjen e fushatës së “rilindjes brenda Rilindjes” së njeriut të fortë të Jugut?!
Ervin Kaduku
Ditët e fundit të vitit të kaluar, opinioni publik u njoh me një vendim të organeve shtetërore, sipas të cilit Endri Puka, administrator i kompanisë shtetërore të naftës, rizgjidhej në këtë post edhe për tre vjet të tjerë. Ky vendim duket se kishte të bënte me një riafirmim të pozitave në industrinë e naftës të ish-mikut më të besuar të kryeministrit Edi Rama, Koço Kokëdhima, duke qenë se Puka është njeriu më i afërt i deputetit të përjashtuar socialist, drejtor shumëvjeçar në bizneset e tij. Kjo mund të interpretohej në një mënyrë të tillë: Rama ka frikë pasi Kokëdhima di shumë gjëra komprometuese për të dhe i jep atij të drejtën të kontrollojë një super-ndërmarrje shtetërore, që në një vit bën … 100 milionë euro tendera! Kjo duhet besuar. Edhe nga një ngjarje që pason të parë.
Ndërkohë, mësohet se kompania shtetërore e prodhimit të naftës, Albpetrol, ka ndryshuar vartësi, duke kaluar në pronësi direkte të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, që drejtohet nga ministri Damian Gjiknuri. Më parë, Albpetrol ishte në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë (që drejtohet nga Milva Ekonomi). Dihet mirë që Gjiknuri është në një konflikt të fuqishëm interesi me Kokëdhimën, pasi e zëvendësoi atë si “gjeneral” i partisë socialiste në jug të vendit, post ky, që e mbante Kokëdhima deri sa Kushtetuesja i hoqi të drejtën për të vazhduar të ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Kalimi i pronësisë është regjistruar tashmë në Qendrën Kombëtare të Biznesit në dhjetor dhe është miratuar edhe me vendim qeverie. Me këtë kalim zgjidhet një ngërç teknik, që kishte të bënte me atë se, ndonëse Ministria e Ekonomisë ishte zyrtarisht pronare e Albpetrolit, nga ana teknike kompania administrohej nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Por “lepuri fle” më tutje…
Kompania
Të ardhurat e Albpetrolit ishin rreth 3.3 miliardë lekë, nga 12.7 miliardë lekë vitin e mëparshëm. Rënia e ndjeshme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka qenë arsyeja kryesore e reduktimit të të ardhurave të kompanisë, por që gjithsesi ka arritur të ruajë një fitim të kënaqshëm prej 1.2 miliardë lekësh në 2015-n.
Shoqëria Albpetrol sh.a. është krijuar me Vendim të Qeverisë Nr. 159, datë 20.03.1993, me kapital 100% shtetëror, e cila vepron sipas normave dhe rregullave të ekonomisë së tregut, me objekt: Kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve, që përfshinte ciklin e plotë të punimeve sizmike, gjeologjike, mekanike, gjeofizike, kërkimin, nxjerrjen, përpunimin dhe marketingun e nënprodukteve të naftës.” Roli kryesor i shoqërisë është prodhimi dhe tregtimi i produkteve të naftës si dhe monitorimi i Marrëveshjeve Hidrokarbure. Aktualisht në Shqipëri ka 12 vendburime të njohura nafte dhe 5 vendburime gazi natyror. Vetëm në zonën e Patos-Marinzës, në një sipërfaqe prej 44 mijë hektarësh, ndodhet zona më e madhe naftëmbajtëse në Europën Kontinentale. Nëntoka e Patos-Marinzës llogaritet të ketë rreth 5.4 miliardë fuçi naftë bruto.
Drejtuesi
Kompaninë e vetme naftënxjerrëse shtetërore “Albpetrol” që nga ardhja nëpushtet e socialistëve e ka drejtuar Endri Puka, i cili u caktua mes polemikash dhe akuzash në krye të “Albpetrol” më 30 shtator 2013 për një mandat 3-vjeçar. Mandati i tij mbaroi vitin e kaluar, por më pas u mësua se afati do t’i zgjatej edhe për tre muaj të tjera, duke i dhënë kohë kompanisë të ndahej më dysh, duke krijuar degën e naftës dhe atë të gazit, të organizuara këto në dy shoqëri më vete. Madje, për një gjë të tillë u mor edhe vendimi i veçantë i Këshillit të Ministrave. Dihet botërisht se Endri Puka është një nga më të besuarit e Koço Kokëdhimës. Më herët, ai ka qenë drejtor i rëndësishëm në grupin e kompanive, përfshi ato mediatike si: gazetat “Shekulli”, “Sporti Shqiptar”, revista “Spektër”, radioja “+2”, televizioni “A1”, të gjitha në pronësi të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima. Rizgjedhja e tij në krye të “Albpetrol” dukej se do të ishte e pamundur, nisur nga ajo se ish-deputeti i Partisë Socialiste, Kokëdhima, publikisht ishte në pikën më të ulët të marrëdhënieve më kryeministrin Edi Rama.
Përplasjet e vazhdueshme Rama-Kokëdhima nisën që nga heqja e mandatit të deputetit socialist dhe vijuan me deklarata publike në distancë. Kokëdhima kundërshtoi hapur dhe fort ligjin për importin e mbetjeve të riciklueshme. Ai u shprehur, gjithashtu, se vendimi i Ramës nuk ka moral politik përpara atyre që e zgjodhën. Përveç përplasjeve politike Rama-Kokëdhima, edhe Endri Puka ka patur probleme me të kaluarën e tij në krye të “Albpetrol”. Ai u akuzua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për manipulim me çmimet dhe me cilësinë e naftës, për shkelje me marrëveshjet e nënshkruara duke favorizuar kompani te caktuara private. Edhe pse fillimisht çështja u morr nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e cili nisi hetimet për grup të strukturuar kriminal brenda “Albpetrol”, më pas organi i akuzës u tërhoq nga kjo akuzë. Çështja u përcoll në Prokurorinë e Fierit e cila vendosi të pushojë çështjen pavarësisht dëmit financiar të gjetur nga KLSH, prej 9.5 milionë eurosh ndaj buxhetit të shtetit. Ndërkohë, në fillim të vitit 2016, u zbulua një tjetër skandal i “Albpetrol” mbi shitjet e sasive të naftës bruto. Sipas një raporti, kompania i ka shitur sasitë e naftës 20% më lirë se çmimi i tregut. Madje rezultoi se “Albpetrol” i shiste fuçitë e saj të naftës 20% më lirë se Bankers Petroleum, kjo e fundit operon me çmimin e bursës ndërkombëtare.
Zgjidhja
Por, zgjidhja e konfliktit duket se ka të bëjë me një kompromis të turpshëm me nismë të vetë Edi Ramës. Kryeministri rivendosi në post njeriun e besuar të Kokëdhimës, por duke ia kaluar ndërmarrjen nën kontroll të gjithanshëm Gjiknurit, pa lejen zyrtar të të cilit Puka nuk mund të bëjë asnjë lëvizje (korruptive). Rezultati? Shumëkush duhet të ketë vënë re se nismat e Kokëdhimës për të nxitur një rilindje brenda Rilindjes, pasi i hoqën edhe postin e sekretarit të Partisë, tashmë janë fashitur. Vështirë se kjo është një rastësi…