Me gjuhë shifrore, Kosova ka shënuar një përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, por përkundër kësaj, sërish mbetet vendin më i korruptuar në rajon.
Në bazë të raportit të organizatës Transaprency International, Kosova radhitet e 95-ta në një nivel me Argjentinën, Sri Lankën, El Salvadorin, Maldivet dhe Beninin.
Kosova ka marrë 36 pikë nga 100 të mundshme, duke bërë përparim në krahasim me një vit më parë kur është radhitur në vendin e 103-të me 33 pikë gjithsej.
Ngritja lartë për disa vende, ka gëzuar jo pak kryekuvendarin Kadri Veseli, i cili ka thënë se vendi po ec në drejtimin e duhur.
“Vendi ynë është renditur në vendin e 95-të, ndërsa një vit më herët ishte në vendin e 106-të, pra 11 vende më poshtë. Të gjithëve na mbetet ende një rrugë e gjatë për ta bërë në luftën kundër korrupsionit, por ne po ecim me hapa të shpejtë në drejtimin e duhur”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Ndërsa, Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se “përkundër progresit, Kosova në këtë raport qëndron prapë e fundit në krahasim me vendit e rajonit, si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi”.
Luftimi i korrupsionit është një nga kushtet kryesore që bashkësia ndërkombëtare ka vënë për institucioneve për të ecur drejt integrimit në BE.
Kurse Shqipëria, për vitin e dytë me radhë, ka shënuar përparim në radhitjen e TI-së, duke zënë vendin e 83-të me 39 pikë me një zhvendosje nga vendi i 88-të ku radhitej një vit më parë.