Arta Dade do të jetë deputete edhe në legjislaturën tjetër. E ftuar në “Tonight Ilva Tare” në ‘Ora news’, Dade tha se koalicioni me LSI duhet të vazhdojë sepse është një koalicion që ka funksionuar. Por ndryshe është shprehur për PDIU. Dade tha se PDIU nuk ka qenë në fushatën e 2013 me PS dhe kjo forcë kërkon pushtet për të konsoliduar partinë.
Sakaq, një deklaratë ‘surprizë’ e Dades ka qenë dhe fakti se ajo do të mirëpriste një Presidente grua dhe nuk do ta refuzonte nëse do të ishte e propozuara.
“Unë besoj që duhet të jem deputete megjithatë ende ka muaj për ta menduar. Deri tani janë puqur mendimet dhe vendimet e mia me ato të partisë. Do ta mirëprisja që një grua të ishte në krye të shtetit sepse nuk i mungojnë Shqipërisë gra me personalitet që nuk bëjnë kompromise dhe që ngrihen mbi interesa partiake por nuk është një gjë e dhënë dhe tani duhet të rendim të gjejmë një grua. Unë do të parapëlqeja që të ishte një përfaqësues nga PS. Nëse mua më vjen propozimi nuk do të isha refuzuese nëse mendohet që mund të jem edhe për këtë detyrë.”, tha Dade.
Teksa u ndal tek koalicioni, ajo shtoi se: “Unë besoj që nuk ka arsye që të mos vazhdohet e njëjta praktikë sepse është një koalicion që ka funksionuar dhe po të marrim reformat, në mënyrë të veçantë reforma në drejtësi, kemi arritur në një pikë që ka arritur implementimi dhe kjo është njohur edhe nga partnerët strategjike, SHBA-BE. Vendimet merren nga forcat politike por unë për koalicionin me LSI do isha në favor për ta vazhduar se është një koalicion që ka funksionuar dhe është një bashkëpunim i natyrshëm. Nuk do të kisha të njëjtin mendim për forcën tjetër që na është bashkuar sepse nuk ishim së bashku në zgjedhjet e 2013 dhe shpesh herë duhet të menaxhojmë edhe situata të cilat mund të krijojnë probleme për partinë më të madhe sepse është një tentativë në Shqipëri që forcat më të vogla kërkojnë të përdorin pushtetin për të konsoliduar partinë dhe duhet t’i shmangim këto.”.