Qeveria shqiptare duket se ka harruar zotimin për vënien në operim të aeroportit të Kukësit, edhe pse infrastruktura është gjysëm e gatshme. Ndërkohë që afatet e dhëna nga Ministria e Transporteve duket se nuk po merren më në konsideratë, pasi ka kaluar një vit nga deklaratat dhe nuk ka asnjë sinjal për hapjen e tij. Nga ana tjetër, ky institucion ka hapur tenderin për shërbime konsulence për “studimin e fizibilititetit të aeroportit të Jugut”.
Fondi në dispozicion është 25 milion lekë ndërsa afati i fundit për hapjen e kërkesave është 8 shkurt 2017, me afat kontrate 3 muaj. Pas disa alternativave të hedhura si Vlora, Saranda, apo Gjirokastra, duket se ky studim do të përcaktojë përfundimisht vendin se ku do të ndërtohet ky aeroport, numrin e mundshëm të udhëtarëve dhe përfitimet. Puna për ndërtimin e aeroportit të jugut është parashikuar të nisë në vitin 2019, me një kosto prej 75 milionë euro, dhe do të jepet me koncesion. Këto detaje janë përcaktuar në draftin e strategjisë finale dhe planveprimin e Ministrisë së Transporteve për këtë sektor. Heqja e ekskluzivitetit për fluturime ndërkombëtare nga aeroporti i Rinasit, vitin që lam pasë, nuk është reflektuar në uljen e çmimit të biletave për qytetarët, pikërisht për arsyen se nuk ekziton një alternativë e dytë fluturimesh në vend dhe se qeveria e ka marrë me shumë avash këtë proces.