Prindërit, fëmijët dhe libri

0
222

Një çështje me rëndësi jo të vogël për prindërit është edhe ajo se çfarë ilustrimi, përkatësisht çfarë libri duhet t’i japin fëmijës së vet në moshën më të njomë dhe si të veprojnë që fëmija të fillojë ta dojë, ta çmojë e ta ruajë librin qysh si fëmijë.

Familja është çerdhja e parë, shkolla e parë për kultivimin e dashurisë ndaj librit, në formimin e lexuesve të ardhshëm. Prindërit janë edukatorët e parë të fëmijës që mbjellin farën e parë për kultivimin e dashurisë ndaj librit, janë këshilltarët e parë që e fusin fëmijën në botën e librave, janë nismëtarët që e nxisin fëmijën të ndjejë nevojën e vërtetë për librin, që ta dojë e ta përqafojë librin si gjënë më të shtrenjtë, si mikun e vet më besnik e më të sinqertë të tyre.

Kultivimi i dashurisë ndaj librit, ndaj letërsisë artistike, në të vërtetë, fillon qysh në moshën më të hershme të foshnjërisë. Ndërsa pak më vonë nis me kallëzimin e përrallës së parë, fabulës së parë, tregimit të parë, duke i përshkruar fare shkurt, por në mënyrë të thjeshtë, të gjallë e tërheqëse personazhet kryesore të literaturës së parë, nis me ilustrimin e parë.
Pikërisht për këtë arsye, ilustrimi i parë i fëmijës, tregimi i parë i ilustruar, libri i parë, duhet të jetë tërheqës, interesant dhe i lehtëkuptueshëm. Përndryshe, dashuria ndaj librit nuk kultivohet e zhvillohet nëse libri i parë nuk është zgjedhur me kujdes, nëse prindi, në zgjedhjen e tij nuk e ka pasur parasysh moshën, fuqinë kuptimore, prirjen individuale, interesimin e dëshirën e fëmijës. Gabojnë shumë disa prindër kur ilustrimin e parë, përkatësisht librin e parë e zgjedhin sipas shijes e dëshirës së vet. Një mënyrë e tillë veprimi më tepër dëmton sesa sjell dobi në edukimin e arsimimin e fëmijës.

Në familje të përparuar, fëmijët fillojnë të tregojnë interesim për ilustrime qysh në moshën 2-3 vjeçare; mu atëherë ai nis të interesohet për çdo gjë që e rrethon, e pra edhe për librin. E libri i parë për fëmijën 2-3 vjeçar është ilustrimi. Madje, deri në fund të moshës katërvjeçare në fillim e tërheq ilustrimi – nganjëherë pa tekst ose me tekst fare të shkurtër që shpjegon figurat me përmbajtje nga jeta e fëmijëve. Pak më vonë, në moshën 4-7 vjeçare u pëlqejnë dhe u përgjigjen edhe ilustrime – libra të vegjël përrallëzash e fabulash të lehta e tregimesh të shkurtra për kafshët. Jashtëzakonisht tërheqëse e interesante për fëmijët e kësaj moshe janë edhe ilustrimet dhe stripat me tekste të shkurtra, por me përmbajtje argëtuese dhe sidomos aventura të çuditshme e udhëtime fantastike, tregime të shkurtra bashkëkohore, motive nga tregimet popullore, përralla e fabula si dhe ngjarje të vërteta nga jeta e fëmijëve e të rriturve, por që janë të kuptueshme e tërheqëse për ta.

Atyre mund t’u lexohen e t’u tregohen a recitohen nga ana e prindërve vjersha të shkurtra e të lehta ose kallëzime të shkurtra edukative sipas ilustrimeve të adaptuara posaçërisht për të vegjlit, ilustrime këto të përgatitura shumë bukur e me shije teknikisht me figura shumëngjyrëshe, të cilat e nxisin së tepërmi të vërejturit dhe kureshtinë e fëmijëve dhe që njëherazi janë edhe argëtuese. Të këtilla janë botuar dhe gjenden me shumicë edhe në gjuhën shqipe.

Sa i përket zgjedhjes së tregimit a të përrallës që u kallëzohet fëmijëve, prindërit duhet të kenë kujdes edhe për përmbajtjen e tyre. Këtë e theksojmë sepse fatkeqësisht ndër ne ka ende prindër që u kallëzojnë fëmijëve përralla a tregime trishtuese. Disa me qëllim që t’i frikësojnë fëmijët që të heshtin e të pushojnë së qari ose të rrinë urtë e të jenë kinse të dëgjueshëm, u tregojnë për shtriga, gogolë e fantazma të tmerrshme, të cilat janë jashtëzakonisht të dëmshme për fëmijët sepse u fusin frikën, i tmerrojnë e herë-herë ndodh edhe që i shqetësojnë dhe ua trondisin nervat, e kjo vihet re natën kur janë në gjumë e flasin me vete, tremben e qajnë prej ëndrrave, ose zgjohen nga frika e madhe, u afrohen prindërve duke kërkuar prej tyre që t’i mbrojnë e t’i shpëtojnë nga shtrigat, lugetërit e kuçedrat, të cilat u duken se po i sulmojnë. Prandaj prindërit duhet t’u shmangen kryekëput tregimeve të tilla dhe s’duhet të lejojnë që fëmijët e vegjël të shohin as në ekranin e vogël televiziv skena të tilla trishtuese e të tmerrshme.

Ndërkaq, nuk mjafton që prindi t’ia zgjedhë e t’ia blejë ilustrimin a librin fëmijës së vet e t’ia lëshojë në dorë, por ai duhet t’i afrohet vogëlushit a vogëlushes me të mirë e me të butë dhe të nisë e t’ia kallëzojë – lexojë ngadalë, me zë të ëmbël e të dashur e me fytyrë të qeshur e herë pas here t’ia dëftojë që t’i shohë vetë edhe ilustrimet që kanë lidhje të ngushtë me tekstin.

Meqenëse këtu është fjala për letërsinë për fëmijë të vegjël të moshës parashkollore, dhe për t’ua bërë fëmijëve librin edhe më të dashur, vlen që t’ua kujtojmë prindërve me këtë rast edhe disa momente të tjera të cilat janë shumë të nevojshme e shumë të dobishme dhe ndikojnë mjaft për edukimin e gjithanshëm të fëmijëve.Gjatë leximit a kallëzimit, nëse tregimi, bie fjala, ka lidhje me kafshë të ndryshme, është me rëndësi që të imitoj ë prindi, sipas rastit, edhe zërat e tyre. Po në këtë mënyrë duhet të veprojë prindi edhe, nëse tregimi ka të bëjë me mjetet e udhëtimit, me punët e njerëzve në punishte, fabrika etj., duke imituar tingujt e tyre. Kjo mënyrë e bën tregimin a leximin më interesant, më të gjallë dhe më tërheqës e të kuptueshëm, sepse fëmijëve të vegjël u pëlqejnë së tepërmi imitimet e zërave e të tingujve të ndryshëm. Por kjo ka edhe një anë tjetër pozitive: duke vepruar kështu, të vegjlit fitojnë edhe idenë e qartë të shqiptimit të disa tingujve, sidomos të atyre që janë të ngjashëm e të vështirë për shqiptim.

Nëqoftëse fëmija shfaq dëshirën që ta kallëzojë vetë tregimin a përrallëzën me fjalët e veta, atëherë prindi duhet të përfitojë nga ky rast duke e lejuar që ai ta rikallëzojë ashtu si e ka mbajtur në mend, duke e lënë të lirë që të shohë nganjëherë edhe ilustrimin përkatës, sepse kështu i kujtohet më mirë rrjedha e ngjarjeve. Me këtë rast vlen të theksohet se nëse fëmija, gjatë kallëzimit, harron ndonjë moment me rëndësi të tregimit ose ndoshta gabon në të shprehur të ndonjë fjale të vështirë e të panjohur, nuk është mirë që prindi ta korrigjojë aty për aty, duke ia ndërprerë fillin e të kallëzuarit të përrallës a tregimit, sepse kjo ndërhyrje kishte për t’ia humbur toruan e kallëzimit, do t’ia prishte qejfin e do t’ia thyente vullnetin për ta vazhduar tregimin deri në fund. Madje, edhe më keq është nëse prindi, për një gabim të bërë, ia ndërpret tregimin. Vërejtjet e veta që mund të ketë prindi për ndonjë gabim më të madh ose harresë nga ana e fëmijës, duhet t’i bëjë në fund të tregimit, madje në mënyrë të butë e jo në formë vërejtjeje e qortimi.

Prandaj, nëse këto tregime, përralla, fabula që u kallëzohen fëmijëve të vegjël të moshës parashkollore janë interesante, të bukura, të kuptueshme, me plot dinamizëm e gjallëri e me dialogje të përshkruara bukur, dhe, nga ana tjetër, nëse ato u tregohen ose u lexohen nga ana e prindit me një gjuhë të bukur, por të thjeshtë, të kuptueshme e të afërt për ta, të jemi më se të sigurt se të vegjlit do të shfaqin vetë dëshirën për të dëgjuar sa më shpesh tregime të tilla dhe, me dije qoftë, do të kenë edhe dobi të madhe prej tyre në çdo pikëpamje. Kështu pra fillon të kultivohet e të zhvillohet te fëmijët e vegjël dashuria ndaj librit, i cili, siç dihet, është burimi i dijes dhe faktor kryesor i zhvillimit e i përparimit të shoqërisë, pa të cilin as nuk mund të merret me mend edukimi e arsimimi i mbarë njerëzimit. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here