Berisha: “Ose marrëveshje Prishtinë – Beograd ose luftë. Nëse prishet paqja, bashkim territoreve shqiptare”

0
212

 

“Serbia shfrytëzoi dialogun për të vazhduar me insistimin më të madh projektin e Serbisë së Madhe. Ndaj çdo agresioni ndaj shqiptarëve do reagojmë si komb i vetëm!”

88

Ish-kryeministri Sali Berisha dha dje disa deklarata të forta nga salla e Parlamentit pas tensionimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së territoreve shqiptare, ish-kreu i qeverisë tha se mbështeste ecurinë e bisedimeve dhe marrëveshjes, pasi në të kundërt sipas tij rruga është vetëm ajo e luftës.  “Nuk jam ndër të paktit që jam shprehur se ose ato marrëveshje ose luftë, alternativë tjetër ata që mendojnë se ka gabohen shumë rëndë. Pra ato janë marrëveshje që në parim duhet të konsolidojnë procesin e paqes, bashkëpunimit dhe të arkivojnë në një mënyrë armiqësitë e shkuara”,- tha Berisha.

Qëndrimi

Në fjalën e tij në Parlament, ish-kryeministri rrëfeu bisedën me zyrtarin e  lartë të SHBA-ve Philip Ricker i cili pesë vite më parë e kishte kritikuar deklaratat e tij të ashpra ndaj serbëve. “Më thotë, procesi po ecën dhe është në ecuri të mbarë dhe serbët janë seriozë në këtë proces. Absolutisht, – i them, nëse është kështu, unë e kam mbështetur procesin dhe e mbështes me të vetmin kusht, që të jetë serioz dhe rezultativ. Çfarë del pas kaq vitesh? Absolutisht Serbia shfrytëzoi dialogun, shfrytëzoi përkëdhelitë për të vazhduar me insistimin më të madh projektin e Serbisë së Madhe. Atyre që u duket çudi kjo, ata s’kanë abc-në e këtij rajoni. Beogradi këtë periudhë paqeje dhe përpjekjesh serioze të shqiptarëve, thellësisht të interesuar për paqe, përpjekjesh të BE, thellësisht të interesuar për paqe, apo të Aleancës së Atllantikut të Veriut, e shfrytëzoi pabesisht për të projektuar dhe hedhur dhe një herë në treg projektin e Serbisë së Madhe”, u shpreh Berisha.

Sipas ish-kryeministrit kjo politikë agresive e serbëve erdhi pikërisht tani pasi ata u trimëruan nga fakti se Rusia doli me një peshë më të madhe për shkak të veprimeve në Siri, në arenën ndërkombëtare.  “Faktori shqiptar duhet të analizojë çdo lëvizje të Serbisë, të Beogradit në çdo aspekt, të analizonte qëndrimet e Beogradit ndaj të gjitha marrëveshjeve. Unë po ju jap juve një shembull. Cili është në raport me Tiranën Beogradi? Tirana paraqiti një kërkesë tre vjet më parë që ishte marrëveshja për njohjen e diplomave. A e ka firmosur marrëveshjen? Deri sot jo absolutisht. Po kjo është njëra anë por mashtrimi i Edi Ramës është më i turpshëm, i cili njoftoi shqiptarët se është firmosur”.

Më tej Berisha tha se qëndrimet e kryeministrit Rama në raport me Beogradin kanë qenë të gabuara. “Mënyra se si shkoi dhe teatraliteti, folklorizmi dhe të gjitha këto, si dhe grandomania, unë kuptova se këtu po shkelmohen interesat e Kosovës në këtë gjë. Aleksandër Vuçiç është kryeministri që Rama ka takuar më shumë në jetën e tij, përveç Papandreut. Cfarë ndodh pas gjithë këtyre takimeve? Niset treni. Diplomatë të huaj më kanë thënë se flitet për një marrëveshje”- u shpreh ai. Ndërkaq Berisha theksoi se muri në tokën e Kosovës e ka ndërtuar Beogradi. “Dhe ju bëj thirrje autoriteteve të Kosovës ta shkatërrojnë një minutë e më parë. Ti dalin zot territorit të tyre të larë me gjak. Atë mur e ndërtoi Beogradi. Muri është projekt i Serbisë së Madhe. Pastaj nxorrën kokën me Haradinajn, në kundërshtim të hapur e flagrant. Dhe e fundit ishte marshi mbi Kosovën. Ai ishte test absolutisht, me 21 gjuhë e parulla “Kosova është Serbi”…”. Në këtë linjë ai tha se,: “Guxo të sulmosh por të jesh i bindur se si komb do reagojmë një. Ne dhe njëherë, ndaj çdo agresioni ndaj shqiptarëve do reagojmë si komb i vetëm. Këtu nuk mund të na ndalë kush në botë.”. Ndërkohë në fjalën e tij, Berisha foli edhe lidhur me deklaratën e Blushit i cila th se nëse prishej paqja në rajon, Shqipëria duhej të bashkohej me Kosovën. Por sipa Berishës duhet të bashkohen të gjitha territoret shqiptare kudo që janë në vazhdimësi. “Doni të hymë në proces? Po pse ti lëmë ne ata, të lopës janë ata? Jo zotërinj, ne pranojmë një ligj ndërkombëtar, ne pranojmë paqen si gjënë më të rëndësishme por në rast se ne futemi në spirale të tilla, në rast se banditë, xhelatë e kriminelë sulmojnë, atëherë shqiptarët duhet të bëjnë gjithshka për të bashkuar çdo pëllëmbë, çdo metër të territoreve të tyre kudo që janë në vazhdimësi etnike e gjeografike”.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here