Një vendim i këshillit të ministrave kohët e fundit zgjoi shumë debate në opinionin publik. I zbardhur eksluzivisht nga gazeta “Standard”, vendimi kishte të bënte me lejimin që do të bënte qeveria për djegien e plehrave në Tiranë. Pas debateve për ligjin e importit, qeveria arriti që në fshehtësi të miratonte një vendim që do të lejon në Tiranë ndërtimin e impiantit të incenerimit. Debatet përsëri vazhduan, por ende pa u hapur tenderi dikush ka arritur që të ndërtoj një impiant në një nga rrugët e kryeqytetit. I pa shqetësuar nga askush, dhe pa asnjë leje, një qytetar pak ditë më parë në afërsi të rrugës së Elbasanit, ka ndërtuar këtë impiant incenerimi. Nuk behët fjalë për një impiant të vërtetë për djegien e plehrave, por për zjarrin që ky qytetar u vendos çdo ditë koshave në këtë hapësirë. Për ata që kalojnë në këtë rrugë çdo ditë kanë një pamje të njëjtë, koshin me plehra duke u djegur. Djegia e plehrave në këtë zonë sjell disa probleme njëkohësisht. Problemi i parë është ndotja nga djegia e materialeve plastike. Problemi i dytë është mungesa e shtetit për ta ndaluar këtë situatë dhe problemi që është më i madhi ka të bëjë me zonën që kjo gjë ndodh. Djegia e plehrave ndodh përpara afër qendrës dhe një një zonë të populluar, por përsëri askush nuk e shikon këtë problem për ta ndaluar.