– Konstatimi vjen nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar
Ervin Kaduku
Raporti i tranzicionit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim u prezantua dje nga Përfaqësuesi i BERZH në Shqipëri, Matteo Colangeli, dhe Guvernatori Genti Sejko, në ambientet e Bankës së Shqipërisë. Francesca della Pozza, ekonomiste në BERZH, tha se Shqipëria është një nga vendet ku vrojtimi ka treguar se pabarazia ekonomike është rritur. Perceptimet janë më të rëndësishme se statistikat, shtoi ajo. Pak kohë më parë edhe Fondi Monetar ka konstatuar një gjë të tillë. Një studim i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për ecurinë e varfërisë në Rajon ka gjetur se, Shqipëria dhe Mali i Zi panë rritje të mprehtë të varfërisë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit pas krizës financiare të vitit 2008.
Në një analizë të gjatë për fenomenin, Fondi vë në dukje se varfëria aktuale dhe pritshmëritë për të ardhurat në të ardhmen ka të ngjarë të ndikojë në rritjen e migrimit nga rajoni, duke i cilësuar si më të prekurat Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë. Karakteristikat e varfërisë kanë ndryshime të thella mes vendeve. Të anketuarit në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi të ndjehen statistikisht në mënyrë të konsiderueshme më të varfër se ata në Shqipëri (të nxitur nga opinionet shumë negative mbi të ardhurat në të ardhmen). Ekspertët e Fondit kanë vërejtuar se ballkanasit e përceptojnë varfërinë më të lartë se sa gjendja e tyre reale.
Në rajon të gjitha qeveritë janë trashëgimi e së kaluarës. Por teksa roli i shtetit për të vepruar si një stimul për familjet dhe ekonominë është tkurrur, zhvillimi i sektorit privat nga ana tjetër ka mbetur prapa, siç pasqyrohet në normat e larta të papunësisë. Gjatë krizës dhe pas saj, të ardhurat e qeverive janë ulur, duke vënë nën presion shpenzimet, duke përfshirë pagat, pensionet dhe mbrojtjen sociale.
Bumi i fillim të viteve 2000 solli një rritje të qëndrueshme në të ardhura në të gjithë rajonin. Varfëria ra ndjeshëm, si në aspektin e numrave absolute, megjithatë rritja e shpejtë ka sjellë edhe pabarazi në shpërndarjen e përfitimeve. Duket se, siç e pranojnë edhe ndërkombëtarët, pabarazia sociale po vjen në rritje, pavarësisht nga reformat e ndërmarra në Shqipëri. Madje, për shkak të tyre.
Dështimet
Misioni i qeverisë Rama për të rritur punësimin dhe për të zbutur pabarazinë sociale përtej disa caqeve të limituara dhe rastësore, ka dështuar. Zënia në punë në Shqipëri kurrë nuk ka zbritur nën 10 për qind. Megjithëse kemi pasur një rritje ekonomike, që është luhatur në mesataren historike mes 3 dhe 5 për qind, rritja e punësimit nuk ka kërcyer asnjëherë më shumë se kjo shifër. As fenomeni i fundit i rizgjuar i emigracionit masiv nuk po e përmirëson treguesin e punësimit, megjithëse krijoi vende bosh nga të larguarit dhe që duhen mbushur nga të papunët.
Ndërkohë, varfëria, brenga më e madhe sociale dhe ekonomike e vendit, nuk është lehtësuar. Sipas vlerësimeve ndërkombëtare në Shqipëri, rreth 45 për qind e shqiptarëve i kanë të ardhurat nën 5 dollarë në ditë. Zhvillimi i deritanishëm ekonomik nuk ka mundur të krijojë një shtresë sociale me të ardhura të konsoliduara mesatare, por veçse një grup që është aq i ndjeshëm saqë e ka të lehtë të zbresë poshtë kufirit të sipërm të varfërisë sa herë ekonomia ka goditje. Por, edhe njerëzit e Ramës, të ardhur në pushtet me program qeverisës të mbështetur fort te zbutja e pabarazisë dhe rritja e punësimit, sërish kanë dështuar.
Dikush tjetër, përveçse shumicës së popullatës, po konsumon rritjen ekonomike. Gjatë këtyre tre viteve të mandatit, Rama nuk arriti të krijojë një sistem të ri të shpërndarjes së pasurisë, ndaj sot, rreth 5 për qind e popullatës, vazhdojnë të kenë mbi 90 për qind të të ardhurave. Një mënyrë për të ndrequr këtë raport do të ishte taksimi ndaj konsumit, me parimin që ai që konsumon më shumë, paguan më shumë, por taksat e të majtëve në Shqipëri u përqendruan te kapitali dhe puna, duke vrarë shpirtin sipërmarrës e duke shuar mundësinë e shumicës së njerëzve për të zgjidhur vetë çështjen e mirëqenies.
Të dhënat e fundit tregojnë se nga 100 kompanitë më të mëdha në vend sipas fitimeve, ato që kanë pasur rritjen dhe fitimin më të lartë vitin e kaluar (subjektet që kanë punuar si nënkontraktorë të kompanive publike të energjisë p.sh., rezultojnë me një normë marramendëse fitimi prej 70%!), janë kompani të krijuara rishtas dhe kanë pak të punësuar. Shpërthimi i këtyre bizneseve është artificial e nuk ka ndodhur për shkak të mjedisit ekonomik nxitës e as për aftësi të brendshme menaxhuese, por për shkak të stilit qeverisës me koncesione të dyshimta për leverdishmërinë ekonomike dhe që s’kanë kurrfarë tavani mbi fitimin; ka ndodhur përmes tenderëve me prokurime të drejtpërdrejta pa garë dhe përmes përqendrimit të fondeve publike vetëm në pak emra. Për të dyja këto arsye, taksa e keqorientuar dhe përdorimi i fondeve publike për të krijuar vatra pushteti artificiale ekonomie janë arsye të mjaftueshme për të besuar se elita e majtë ka dështuar.
Varfëria
Shqipëria, me normën e varfërisë që llogaritet në rreth 14.3%, vlerësohet si një ndër vendet më të varfra të Europës. Ekspertët thonë se thellimi i pabarazisë në nivelin e jetesës e bën të pamundur zhvillimin e qëndrueshëm social dhe ekonomik. Thomas Pogge, profesor i Filozofisë dhe Çështjeve Ndërkombëtare, në Universitetin Yale në SHBA, është një nga ekspertët më të njohur për çështjet e urisë në botë dhe të drejtat e njeriut. Në teorinë e tij mbi “drejtësisë sociale dhe tregun e lirë” argumenton nevojën e strukturimit të ekonomive për të nxitur dhe për të mbështetur barazinë sociale. Në një intervistë gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, në edicionin e katërt të Terra Madre Balkans prof.Pogge tha se tregjet duhet të jenë të strukturuara në mënyrë të drejtë. Prof.Pogge diskuoi gjatë konferencës shkencore në lidhje me tema të tilla, si lufta kundër urisë dhe drejtësia sociale. Në këtë edicion të “Terra Madre Balkans” (që u zhvillua nga data 2 deri në datë 5 qershor)morën pjesë 350 delegatë nga 12 vende (Bosnjë dhe Herzegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Republika e Maqedonisë, Rumania, Serbia, Turqia, Italia dhe Shqipëria). Në qendër të tij u vendos fermeri, si element kyç për zhvillimin rural dhe rëndësia e biodiversitetit.