Me tone të ashpra ka folur vëllai i Klement Balilit, bashkim Balili, pas aksionit të mëngjesit të sotëm në banesën e tij, të familjarëve të tij dhe të bizneseve të tyre.
Në një intervistë për “News 24”, vëllai i tij ka rrëfyer tmerrin nga aksioni i radhës i policisë.
“Kanë ardhur në orën 04:00 të mëngjesit, në mënyrë harbute kanë përdorur force e dhunë, ka kthyer shtëpinë nga ana tjetër, u ka vënë prangat djalit tim, ka shtyrë gruan time, e kanë hipur në furgon pa thënë se ku di e conin, këta janë horra nuk janë policia e shtetit”- tha ai.
Ai ka thënë se nuk mund të tolerojë më të bëhet ky lloj diskriminimi. “Nuk duam të na bëhet ky diskriminim sikur jemi vrasës, apo kriminelë, në 4 të mëngjesit policia na ka hyrë në banesë, ishin fëmijët në gjumë, djalin nga krevati i kanë vënë prangat, me një letër bakalli që kanë të drejtë të bëjnë kontroll. Ca jemi ne, ata janë Hitleri ne jemi cifutët, Balilin ta gjejnë ta arrestojnë e ta dënojë ligji”- tha ai.
Pyetur nëse ka komunikuar me vëllanë dhe nëse ka dijeni se ku ndodhet, ai u përgjigj: “Balili ka shtëpinë e tij, familjen e tij nuk rri në shtëpinë time, asnjëherë nuk kam komunikuar me të, ai nuk ndodhet në Shqipëri, të gjithë e dinë, ka vajtur ta kërkojë të drejtën atje ku filloi problemi”.