Ministri i shkarkuar i Drejtësisë, Ylli Manjani akuzoi sot kryeministrin Rama për shkarkimin e tij dhe për shkelje të Kushtetutës. Madje Manjani nuk u kursye as në akuza të tjera, duke thënë se kryeministri Rama ka kërcënuar gjyqtarë në telefon. “Rama ka kërcënuar gjyqtarë në telefon. Dhe kështu u bë kjo reformë. Kush voton kundër nesh është gjyqtar i keq, kush voton pro, është i mirë”, tha Manjani në konferencën e sotme. I pyetur për emrat konkretë të ndonjë gjyqtari të kërcënuar nga Rama, Manjani tha se nuk bën akuza, pasi ato bëhen nga Prokuroria. “Unë nuk bëj akuza, se ato i bën Prokurori. Kjo është praktikë, që kryeministri dhunon fjalën e lirë. Kjo është një çështje e vjetër e tij, është shumë e rëndë. Ai ka raporte shumë të këqija me lirinë e mendimit dhe fjalës. Shihni ç’po ndodh në media. Unë s’mund ta provoj se po arsyetoj dhe jam profesional”, tha Manjani.