“Menaxhimi i Mbetjeve Urbane në Bashkinë e Tiranës”

0
894

 

Nga:Sali AGAJ

Nëpërmjet auditimit të performances të ushtruar nga KLSh mbi menaxhimin e mbetjeve urbane në Bashkinë e Tiranës, duke u përqendruar te efektiviteti dhe eficienca e punës së operatorëve ekonomikë në shërbimin e pastrimit dhe të grumbullimit të mbetjeve urbane, bëhet një analizë studimore mbi gjendjen aktuale në territorin e bashkisë, zbatimin e detyrimeve kontraktore nga operatorët ekonomikë, rolin e strukturave përgjegjëse të bashkisë dhe mundësitë e pashfrytëzuara për një menaxhim më të mirë të këtij problemi madhor mjedisor jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin.

Duke qenë se menaxhimi i mbetjeve është një problem serioz dhe emergjent në të gjithë vendin që ka rrjedhur nga moszbatimi i Strategjive, Kuadrit rregullator dhe akteve ligjore e nënligjore të miratuara si nga organet e pushtetit vendor dhe atij qendror theksojmë se rezultatet e këtij auditimi i kalojnë caqet e Bashkisë së Tiranës, janë përgjithësuese e të vlefshme edhe për njësitë e qeverisjes vendore e qendrore.

Në Raportin e Auditimit të KLSh-së theksohet se, Bashkia e Tiranës nuk ka zbatuar legjislacionin për ndarjen dhe grumbullimin e mbeturinave që në burim, fakt ky që ka influencuar negativisht në gjendjen e landfillit të Sharrës për pakësimin e kapaciteteve mbajtëse si dhe mosfurnizimin me lëndë të parë të subjekteve private që merren me riciklin e mbeturinave sipas llojit. Bashkia e Tiranës, nuk ka studim të mirëfilltë mbi prodhimin total të mbetjeve urbane në zonat për të cilat janë kontraktuar subjektet private të pastrimit, studim i cili të pasqyronte faktorët social ekonomik (konsumi për familje, aktivitetet e prodhimit, etj), faktorët territorialë (karakteristikat urbanistike, popullsinë, densitetin e banimit, numrin e tipologjinë e përdoruesve jo shtëpiakë, vëllimin e fluksit të hyrjeve në Tiranë, etj).

Gjithashtu nga auditimi u konstatua se, Bashkia e Tiranës nuk ka të evidentuar mbetjet urbane si mbetjet shtëpiake dhe tregtare, mbetje të gjeneruara nga institucionet të ngjashme, si mbetje urbane, por që kanë veti të rrezikshme si: pesticidet, fotokimikatet, acidet, tretësit, bojëra, ngjyra, ngjitës etj, që përmbajnë substanca të rrezikshme, detergjent që përmbajnë substanca të rrezikshme, bateritë dhe akumulatorët, pajisjet e skaduar elektrike e elektronike, mbetje të tjera që përmbajnë mërkur, mbetje druri që përmbajnë substanca të rrezikshme, etj. Evidentimi i tyre nga ana e Bashkisë së Tiranës, do të bënte që këto mbetjeve t’i nënshtroheshin një trajtim mjedisor të veçantë dhe të mos trajtohen si mbetjet urbane pa veti të rrezikshme

– Nga auditimi rezultoi se, nga Agjencia e Mbrojtjes Konsumatorit për periudhën objekt auditimi, janë vendosur gjoba, por nuk ka asnjë dokumentim apo informacion, nëse këto gjoba janë arkëtuar. Ekzekutimi i gjobave nuk është dokumentuar sipas kërkesave administrative e ligjore dhe ka munguar bashkëpunimi e koordinimi i punës me Policinë Bashkiake dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave Vendore. Për vitet 2012 – 2016 mujori I-rë 2016, rezultojnë se janë vënë 233 gjoba me vlerë 1,434,000 lekë, por nuk ka evidenca për arkëtimin e tyre.

 

Rekomandimet kryesore të lëna në Raportin e Auditimit të KLSh-së, për përmirësimin e punës nga strukturat përgjegjëse të Bashkisë Tiranë:

– Bashkia Tiranë të hartojë një program të plotë dhe të mirëstudjuar që t’i shërbejë edukimit dhe ndërgjegjësimit të gjërë të publikut për përmirësimin e gjendjes në menaxhimin e mbetjeve urbane. Këto programe duhet të perfshijnë:

  • Fushata publike permes masmedias: programeve televizive dhe radiofonike, gazeta, fletepalosje, debate publike etj.,
  • Aktivitete të OJQ-ve, për  edukim joformal për menaxhimin e mbetjeve
  • Projektet pilot të përfshirjes së komunitetit,
  • Programet e përfshirjes së grupeve të interesit.

– Në bashkëpunim me OJF-të mjedisore, grupet e interesit dhe bazuar në SKM perfshire banoret, minibashkite dhe qeverinë qendrore me nismën e saj BT, të organizojë aktivitete, si dhe të shfrytëzojnë mediat e mjetet e tjera të komunikimit për ndërgjegjësimin, pjesëmarrjen dhe promovimin e veprimtarive demonstruese e ndërgjegjësuese të projekteve pilot në shkollë dhe komunitet në drejtim të mirëmenaxhimit të mbetjeve dhe rolit të tij në përmirësimin e cilësisë së jetës.

– Bashkia e Tiranës të kërkojë pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve diskutimin dhe përfshirjen e edukimit mjedisor në kurrikulat mësimore, ku përveç teksteve të përfshihen edhe programet video si nje nga mjetet me te suksesshme te edukimit ne shkolla, programe vizitash ne terren per grumbullimin e mbetjeve, trajtimin e ndërmjetëm, depozitimin e mbetjeve dhe industrite e riciklimit.

– Bashkia e Tiranës të marrë masa të menjëhershme, për të bërë bilancin e sasisë së përgjithshme të mbetjeve urbane që gjenerohen brenda territorit të Tiranës, duke i ndarë ato në mbetje familjare, mbetje të gjeneruara nga personat fizikë dhe juridikë, shtetërorë dhe privatë.

– Bashkia Tiranë të evidentojë subjektet që janë objekt i lejes apo autorizimit mjedisor, të cilat gjenerojnë mbetje jo urbane, por që kryejnë aktivitetin e tyre brenda territorit të Bashkisë. Gjithashtu të evidentohen të gjitha subjektet që gjenerojnë mbetje dhe nëse në këto mbetje ka përbërës të rrezikshëm. Për subjektet që gjenerojnë mbetje të rrezikshmë të evidentohet dhe mënyra e grumbullimit, transportit, depozitimit dhe trajtimit deri në asgjësimin përfundimtar të tyre, duke krijuar kontrata tip me këto subjekte mes tyre, pra subjekti prodhues i mbetjeve – Bashkisë Tiranë – Operatorit ekonomik që e mbulon zonën e vendodhjes së subjektit, kjo kundrejt tarifës së caktuar nga Bashkia Tiranë.

– Bashkia Tiranë të realizojë studimin e fisibilitetit, (vlerësimin e riskut dhe analizën kosto përfitim për të gjithë procesin e menaxhimit të integruar të mbetjeve), duke llogaritur koston e projektit, për të bërë të mundur krijimin e një landfilli të ri me parametra bashkëkohorë dhe fillimin e procedurave të nevojshme, për garantimin e këtij procesi, sipas detyrimeve që parashikon ligji për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve.

– Drejtoria e Përgjithshme nr. 1 e Puntorëve të Qytetit, të programojë dhe të realizojë monitorimin e shlllamit duke u bazuar në një test karakteristikash duke realizuar substancat aromatike, volatile,  halikarbonet dhe ndotësit organik me natyrë bazike, acide apo neutrale që mund të jenë të pranishëm në venddepozitim. Pikat e vëzhguara gjatë monitorimit për sa i përket ujërave sipërfaqësorë, duhet të përcaktohen si në rrjedhat e sipërme ashtu dhe në rrjedhat e poshtme të derdhjes ujore.

Mesazhi i këtij auditimi performance të KLSh-së është se, “Nëpërmjet kontraktimit të operatorëve ekonomikë për menaxhimin e mbejteve urbane Bashkia e Tiranës nuk ka arritur objektivat në drejtim të shërbimit të popullatës dhe ruajtjes së mjedisit në territorin e saj. Kuadri rregullator në zbatim strategjisë kombëtare dhe akteve ligjore bashkëkohore të miratuara nuk është i përditësuar dhe si rrjedhojë objektivat nuk janë të qarta e të përcaktuara mirë. Edukimi publik në drejtim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes së komunitetit në menaxhimin e mbetjeve, nga ana e strukturave të bashkisë dhe operatorëve ekonomikë ka patur mangësi të theksuara, nuk ka qenë i mjaftueshme dhe nuk ka dhënë ndonjë impakt të ndjeshëm social, për mbajtjen pastër të qytetit dhe për ndarjen e mbetjeve në burim për riciklim; në menaxhimin e mbetjeve urbane të bashkisë së Tiranës, si një organ vendor dhe më pranë komunitetit, qasja “qeverisja me pjesëmarrje” duhet të ishte gjithnjë në qendër të vemendjes së strukturave përgjegjëse të bashkisë. Venddepozitimi i mbetjeve në zonën e Sharrës nuk plotëson kushtet e parametrat e një landfillit bashkëkohor me parametra të lartë mjedisor sidhe ka tejkaluar afatin e përdorimit dhe kapacitetet e përpunimit.”

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here