Takimi prej 45 minutash mes kreut të Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, ende nuk ka prodhuar ndonjë zhvillim të ri brenda mazhorancës.
Burime nga dy partitë, PS-LSI janë të rezervuara në dhënien e informacioneve rreth këtij takimi ku mbetet e paqartë nëse Rama ka vijuar apo jo edhe sot insistimin e tij për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani.
Por burime për “BalkanWeb” pohojnë se fill pas takimit me kryeministrin, kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka thirrur në zyrën e tij të paktën tre nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ministrin e Transporteve, Sokol Dervishaj dhe atë të Integrimit, Klajda Gjosha. Ardhja e tyre ka qenë e menjëhershme, aq sa Gjosha e Rama janë shkëmbyer në shkallët e kryesisë së Kuvendit.
Mbledhjen me drejtuesit kryesorë, LSI-ja e kishte parashikuar që dje, ndërsa nuk dihet nëse pjesë e saj do të jetë edhe ministri më shumë i përfolur për t’u shkarkuar, Ylli Manjani, i cili që prej mëngjesit të sotëm ndodhet në zyrën e tij, në Ministrinë e Drejtësisë.