Pse po lihet në harresë Fishta, poeti Agron Tufa: Duket se ështe e qëllimshme

0
241

 

Krahas veprave të tij, edhe banesa ku ka jetuar ai është harruar nga institucionet kulturore e cila po shkon drejt rrënimit dhe shkatërrimit të plotë

Irini Meçe

Nisma studentore “Një shtëpi, një mburojë për trashëgiminë kulturore” organizoi mbrëmjen poetike kushtuar veprës së Gjergj Fishtës. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin shkrimtari dhe poeti i njohur Agron Tufa, shkrimtarja Ana Kove, pedagogë e studentë të shumtë. Në hapje të aktivitetit, menaxherja e kësaj nisme, studentja Boralda Haxhillari theksoi ndjeshmërinë e temave të tilla dhe bëri thirrje për më shumë vëmendje ndaj kulturës së trashëguar nga njerëzit e mëdhenj të kombit, si Fishta. Shkrimtari dhe poeti i njohur Agron Tufa, i cili ishte edhe moderator i aktivitetit, tha se qëllimi i këtij aktivitetit është ripërtëritja e marrëdhënies së lexuesit e qytetarit me Fishtën. “Kjo nismë vjen në momentin e duhur. Shtëpia muze që studentët synojnë të ndërtojnë është një mundësi edukative, njohëse, e krenimit dhe fisnikërimit të brezave të ardhshëm”, – u shpreh Tufa. Aktiviteti përcolli një imazh të veprës dhe jetës së Fishtës si poet e atdhetar, i cili me veprën e tij mbetet aktual në çdo kohë.9

Përpos këtyre, shkrimtarja Ana Kove dhe poeti Agron Tufa realizuan një panoramë të mungesës së njohjes së Fishtës ndër breza, për shkak të ndalimit dhe censurës që ka jetuar vepra e tij. Agron Tufa vuri në dukje harresën e qëllimshme që ka pësuar vepra e Fishtës, duke thënë se ai i thur vargje shqiptarit me virtytet më të mira dhe me kritika therëse. I zhytur në botën e veprave të Fishtës, Tufa ndau një sekret të rinisë së tij. Ai tha se para shumë vitesh i dhanë një vepër të Gjergj Fishtës, dhe nga frika se mos i dënonin familjarët, e lexonte dhe e linte librin jashtë ambienteve të shtëpisë. Ndërsa shkrimtarja Ana Kove, në nisje të fjalës së saj propozoi lindjen e një profesioni të ri të emërtuar “Fishtolog” për shkak të nevojës për studimin e krijimtarisë së tij ashtu siç duhet. “Kur dëgjoj apo lexoj Fishtën, përballem me një fjalor dhe nivel të atillë të përdorimit të gjuhës sa i them vetes ‘pse shkruan’”, – shprehu Ana Kove vlerësimin e saj për poetikën e Fishtës.

Harresa e At Gjergj Fishtës

 download

Harresa e Gjergj Fishtës është vënë re shumë sidomos kohët e fundit dhe jo vetëm për veprat e tij. 145-vjetori i lindjes së poetit dhe klerikut të njohur At Gjergj Fishta ka kaluar në heshtje. Asnjë veprimtari përkujtimore apo aktivitet artistik nuk u organizua në fshatin e tij të lindjes dhe as në qytetin e Lezhës në nderim të kësaj figure emblematike të kombit shqiptar. Për ironi, krahas harresës së poetit edhe banesa ku ka jetuar ai është rrënuar dhe po shkon drejt shkatërrimit të plotë. Një figurë që politika e citon shpesh për vlerat, por që deri më sot nuk ka gjetur kohë t’i restaurojë as  shtepinë, që sot dergjet në këtë gjendje të mjerueshme e në rrezik për të rënë nga çasti në çast. Historiani dhe studiuesi Paulin Zefi e ka quajtur kriminale dhe antishqiptare neglizhencën e ministrisë së Kluturës, e cila nuk po i hap rrugë projektit për restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës. Në shtëpinë dy kateshe, autoritetet shtetërore nuk kanë vënë kurrë dorë. Gjithçka tkurret dhimbshëm në këtë banesë modeste, por që fsheh kaq shumë vlera pas historisë së saj. Banorët, rendisin veprat e shumta të At Gjergj Fishtës, rolin e tij, realitetin e sjellë përmes tyre si një udhëtim në kohë edhe sot, e jo thjesht në emrin e fshatit, por edhe në të vërtetat që duken po aq të prekshme e të pashuara edhe nga kjo harresë e braktisje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here