Kriza politike në Maqedoni, Meta: Forcat politike shqiptare të jenë faktor kyç për stabilitetin

0
169

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me situatën politike të krijuar në Maqedoni. I pyetur sot nga mediat lidhur me krizën politike dhe mos arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e qeverisë pas zgjedhjeve, Meta tha se burimi i krizës ka qenë lufta e ashpër dhe konflikti mes dy partive kryesore maqedonase. Ai kërkoi që partitë shqiptare të bashkëpunojnë për hir të interesave të shqiptarëve dhe të kthehen në faktor kyç për stabilitetin.

Ai ka theksuar se shkak për këtë krizë janë partitë më të mëdha maqedonase, ndërsa ka përshëndetur platformën e përbashkët të partive shqiptare duke kërkuar që të jenë faktor kyç për stabilitetin e Maqedonisë e cila do sillte rezultate mbi integrimin evropian dhe euro atlantik të vendit.

“Maqedonia prej disa vitesh ka vuajtur nga një krizë politike dhe institucionale edhe zgjedhore për fat të keq dhe burimi i kësaj krize ka qenë lufta e ashpër mes dy partive kryesore maqedonase. Për fat të mirë zgjedhjet e fundit u pranuan nga të gjitha forcat politike dhe kjo është gjë pozitive për Maqedoninë. Kam përshëndetur platformën e forcave politike shqiptare që është një hap pozitiv, që rrit detyrimin e tyre për të bashkëpunuar më shumë me njëra tjetrën në interes të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”, është shprehur Meta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here