Kryeministri Edi Rama ka folur sot publikisht për arsyet e shkarkimit të Ylli Manjanit nga Ministria e Drejtësisë. I ftuar në emisionin ‘Tonight Ilva Tare’, kreu i Qeverisë pohoi se detyra e një ministri nuk është që të bëjë rolin e opinionbërësit.
“Nëse një ministër nuk respekton rregullat dhe detyrat që ka skuadra. Detyra e ministrit është të bëjë detyrat që mbulon portofoli i tij dhe jo të bëjë opinion bërësin, apo opinion tjetërsuesin.”, tha ai.
Ndër të tjera ai u ndal dhe tek akuzat e ministrit të Mjedisit Lefter Koka, duke iu drejtuar: “Uroj të mos e përsërisë gabimin”.
INTERVISTA
Ka pritshmëri të madhe për këtë intervistë. Të hënën shkarkuat Ministrin e Drejtësisë. Si është e vërteta e shkarkimit?
Rama: Nuk mund të ekzistojë një qeveri serioze në botë nëse një Ministër nuk respekton skuadrën, rregullat dhe mbi të gjitha detyrat. Detyra e Ministrit është të bëjë të gjithë detyrat që mbulon portofoli i tij dhe jo të bëjë opinionbërësin, opoiniondhënësin apo opiniontjetërsuesin e qeverisë. Nuk ka asnjë problem ta bëjë këtë jashtë radhëve të kabinetit qeveritar.
E ka të ndaluar të flasë një Kryeministër?
Rama: Qeveria ka një kod etik të miratuar me konsensus që përcakton saktësisht marrëdhëniet e çdo anëtari të kabinetit me kabinetin dhe publikun, Ministri ka detyrimin të flasë me publikun, pro ti shërbejë publikut si anëtar i qeverisë.
Manjani po pengonte reformën në drejtësi?
Rama: Zgjedhja e Ministrit të ri do forcojë dhe përmirësojë marrëdhënien e qeverisë me Kuvendin dhe do jetë një nxitje mjaft e nevojshme për të çuar përpara reformën në drejtësi. Me rëndësi është çfarë qeveria prodhon për të mirën publike.
vijon