Konfliktet me pronësinë duket se nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje as pas vendimeve të Gjykatave. I tillë është edhe rasti i Enkelejda Ahmetajt, gruas e cila ka tentuar të hidhet nga një pallat 9-katësh në Tiranë.
Vëllai i saj, Ardi Ahmetaj ka sqaruar për “News24” dhe “BalkanWeb” konfliktin me ndërtuesin e pallatit. Ai thotë se toka është në pronësi të tyre, dhe pas marrjes së lejes së ndërtimit të pallatit po në emër të tyre, është ngritur edhe godina. Por fill pas kësaj ka nisur konflikti me ndërtuesin, i cili e ka shitur të gjithë pallatin, pa u dhënë gjë pronarëve të tokës.
Të gjendur në këto kushte, ata i janë drejtuar të gjithë institucioneve, policisë, gjykatës, etj; por pa mundur të gjejnë zgjidhje. Ardi tregon se edhe në rastet kur kanë tentuar të hyjnë në pronën e tyre, janë shoqëruar në polici, madje shton se edhe u është bërë presion.
Nga ana tjetër, ndërtuesi ka pranuar faktin se e ka shitur pallatin, duke u shprehur se në pamundësi për të bërë ndryshe, do t’ua japë tokën në një tjetër vend.
“Kemi një problem me ndërtuesin. Jemi pronarët e tokës. Na e kanë shitur gjithë objektin. Jemi ankuar gjithandej e nuk kemi gjetur zgjidhje. Kemi fituar 3 gjyqe e nuk është marrë asnjë lloj mase. Pronari as nuk na linte të hynim në pronën tonë. Policia na ka marrë e na ka shoqëruar, duke na bërë çdo lloj presioni. Ne jemi pronarë të ligjshëm, prona është në emrin tona, edhe leja. Por ky i ka shitur të gjithë pallatin. E ka deklaruar edh në polici. U ka thënë e kam shitur pallatin, do jua jap tokën në vend tjetër”, thotë Ardi Ahmetaj.
I riu tregon se ndonëse kanë fituar 3 procese gjyqësore për këtë çështje, dhe kanë marrë vendimet përkatëse, nuk kanë mundur të gjejnë zgjidhje. Nisur nga kushtet në të cilat ndodhen, dhe në një gjendje të rënduar, motra e tij, Enkelejda është ngjitur në tarracën e pallatit, duke kërcënuar se do të hidhet.