“Me Enisën ishte dashuri me shikim të parë! Jemi gjithë kohës bashkë dhe po shijojmë çdo moment,është njeriu më pozitiv që njoh, me një buzëqeshje që bën për vete çdo njeri”
Është i njohur për hitin e disa viteve më parë, “Nuk di” dhe si një nga këngëtarë më aktivë të muzikës live. Bëhet fjalë për këngëtarin shqiptar Kelly. Vetëm disa ditë më parë ai bëri të ditur që u fejua me vajzën simpatike Enisën dhe që është “kokë e këmbë” i dashuruar më të. Në këtë intervistë për gazetën “Standard” këngëtari na rrëfen më shumë rreth këtij momenti. Gjithashtu Kelly ndalet të na flasë pak për këngën e tij më të fundit “E kam pas gabim”, ku konkurroi në komepticionin muzikor “Kënga Magjike”. Por kjo sigurisht nuk do jetë kënga e tij e fundit. Ai na rrëfeu se shumë shpejt do të vijë me një klip të ri, pasi sapo ka mbaruar xhirimet.
Intervistoi: Irini Meçe
Vetëm pak ditë më parë qarkulluan lajme për fejesën tuaj: Kelly ndërron status. Si e përshkruani ju këtë moment?
Një nga ditët më të bukura të jetës time, ishte një ceremoni e thjeshtë pasi të tillë donim të dy. Sigurisht që kishte emocione, por çdo gjë shkoi shumë bukur siç e prisnim .
Si e morët vendimin dhe si ua rrëmbeu zemrën Enisa?
Kisha kohë që e mendoja dhe po prisja momentin e duhur. Ishte dashuri me shikim të parë ,jemi gjithë kohës bashkë, dhe po shijojmë çdo moment,është njeriu më pozitiv që njoh, me një buzëqeshje që bën për vete çdo njeri .
Mund të na tregoni ndonjë detaj të propozimit që i bëtë të fejuarës suaj?
Do doja që pjesa e propozimit të mbetet personale, sepse vetem e tillë mund të ruhet bukuria e atij momenti shumë të veçantë për ne të dy.
Le të ndalemi pak tani tek ana profesionale. Kënga juaj më e fundit është “E paskam pas gabim”, ku ju u shfaqët me këtë këngë tek “Kënga Magjike”. Edhe pse nuk u rrëmbyet ndonjë çmim, kënga u pëlqye shumë nga publiku. Çmund të na thoni më shumë rreth kësaj eksperience në këtë edicion?
Ishte një eksperiencë shumë e bukur. Sigurisht që mund të kisha marrë më shumë nga ky kompeticion, por më e rëndësishmja është që kënga u prit mjaft mirë nga publiku dhe pati shumë komente pozitive.
Nga “Kënga Magjike” 2017 shumë artistë dolën shumë të pakënaqur. Ju çfarë mendimi keni për gjithë ato zëra që dolën pas Kënges Magjike?
Pas përfundimit të një kompeticioni, gjithmonë ka zhurma të tilla, të cilat vijnë më tepër nga persona që nuk kanë shumë lidhje me muzikën. Ai që ështe artist i mirëfilltë e di shumë mirë që është publiku ai që e vlerëson këngën, jo 40 këngëtarë me pikë në dorë ky gjysma e tyre nuk e dine pse janë aty, dhe ku gjithmonë bëhen “pazare” jo të ndershme me pikët. Mendoj se ndryshimi i formulës së votimit është ajo që Kënga Magjike duhet të ndryshojë, për të vazhduar të jetë një kompeticion serioz muzike i dashur për të gjithë.
Ju erdhët pas një pause dy vjeçare në muzikë. Ku ka qenë Kelly në këto dy vjet?
Në studio duke punuar materiale të reja. I jam përkushtuar edhe studimeve master për Teori Politike. Mendoj se çdo artist ka nevojë për pak pushim që të qartësojë më tepër idetë në lidhje me risitë të duhet të sjellë.
Ju mometalisht luani live në “Garage Pub” çdo të mërkurë, por edhe në disa clube të Tiranës. Çfarë këngësh zakonisht luani? A ndryshon reporteri i këngëve që luani çdo javë?
Une jam aktiv gati gjatë gjithë javës duke performuar nëpër clube të ndryshme të Tiranës Elbasanit, Shkodrës etj. Këngët gjithmonë ndryshojnë në varësi të ambientit ku këndon. Mundohem gjithmonë që të përshtas repertorin e këngëve, me publikun që ështe i pranishëm dhe me stilin e Clubit ku këndoj.
Cilat janë momentet më frymëzuese për ju, gjatë paraqitjes në skenë?
Frymëzimin e gjej kudo jo vetëm në skenë, zakonisht gjatë kohës kur jam duke ecur ose kur jam në udhetime .
Nga reporterin juaj muzikor, cilën këngë do veçonit si një ndër më e preferuara juaj?
Është kenga “Nuk di” një baladë rock që i ka rezistuar kohës dhe që njerëzit e këndojnë me mua njëzëri nëpër Clube.
Jeni këngëtar. Është ky profesioni juaj i vetëm?
Jo, nuk është i vetmi profesion. Unë kam mbaruar për shkenca komunikimi, marrëdhënie me publikun, jam autor emisionesh, tekstshkrues, kompozitor, etj.
Çfarë mendoni se është më e bukura në profesionin tuaj si këngëtar?
Sigurisht që janë duartrokitjet e publikut, komentet pozitive që merr pasi mbaron duke kënduar, emocionet e skenës e shumë të tjera që nuk përshkruhen të gjitha me fjalë.
Si është një ditë e juaja?
Këto kohë edhe për shkak të angazhimeve që kam gjatë ditës më duhet ta nis ditën me heret se zakonisht. Një ditë e imja e zakonshme fillon herë në studio e herë në zyrë, dhe përfundon darkave me muzikën live që luaj nëpër Clube.
Mund të na zbuloni ndonjë projekt që vjen së shpejti nga ju?
Po, së shpejti do vij me një klip të ri, sapo kam përfunduar xhirimet dhe së shpejti do vijë për gjithë publikun.