Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pritet që ditën e enjte të dalë sërish para gjykatës së Colmar-it. Avokati mbrojtës i Haradinajt, Arianit Koci shprehet shumë optimist, ndërsa pohon se klienti i tij do të kthehet shumë shpejt në Kosovë. Me anë të një mesazhi në rrjetin social ‘Facebook’ Koci pohon se kërkesa e autoriteteve serbe për ekstradim të Haradinajt në Serbi është politike.
Ndër të tjera avokati shton se pushtetarët serb nuk do t’ia falin kurrë Haradinajt angazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës dhe luftën kundër gonocidit të Millosheviçit.
“Pasnesër prej orës 14.00 në Colmar, do të shqyrtohet kërkesa e Serbisë, për ekstradimin e z. Haradinaj. Dua të theksoj që është evidente që kërkesa e Serbisë është politike. Pse duhet Ministrja e Drejtësisë, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, në kontinuitet të deklarohen në media, për këtë çështje? Mos të harrojmë se Aleksandar Vuçiç ka qenë Ministër për Informacion në kohën e Millosheviçit dhe Ivica Daçiç ka qenë zëdhënës i partisë SPS. Pushtetarët serb nuk do t’ia falin kurrë z. Haradinaj, anagazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës dhe luftimin e politikës gjenocidale të pushtetit të Millosheviçit. Sidoqoftë, kërkesa për ekstradim është e pabazuar, madje, edhe është një keqpërdorim i rëndë i të drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë. Z. Haradinaj është liruar nga ana e Tribunalit të Hagës, dhe të gjitha pretendimet e Serbisë janë reciklim i atyre akuzave. Ramush Haradinaj do të kthehet. Asgjë s’e ndalë!”, shkruan në mesazhin e tij Koçi.
Ndalimi i Haradinajt kohë më parë nga autoritetet franceze në aeroportin e Bernës ngjalli reagimin e krerëve të institucioneve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në mbarë trojet shqiptare. Kundër ndalimit të Haradinajt janë organizuar një varg protestash nëpër të gjitha qytetet shqiptare, në qytetet më të mëdha të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.