Deputeti socialist Alfred Peza, i cili po hetohet pas dyshimeve për fshehje pasurie dhe pastrim parash, nuk iu përgjigj fletëthirrjes së Prokurorisë së Përgjithshme, për të dhënë shpjegime lidhur me çështjen.
Burime zyrtare pranë organit qendror të akuzës, thanë për News 24 dhe BalkanWeb se deputeti Peza, ishte thirrur të paraqitej këtë të martë në orën 12:00, ku do të jepte deklarimet e tij, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.
Për arsye të panjohura, Peza nuk mbërriti në prokurori dhe nuk dihet ende nëse ai ka marrë ose jo dijeni për fletë-thirrjen e organit të akuzës.
Prokuroria nisi hetimet ndaj Pezës për evazion fiskal, deklarim i rremë i pasurisë dhe falsifikim dokumentesh menjëherë pas zbulimit të një kontrate, sipas së cilës bashkëshortja e deputetit kishte investuar shumën 1 milion dollarë për të blerë aksione në një bankë të nivelit të dytë, shkruan bw.
Në prokurori është paraqitur më herët edhe dhe ish-bashkëshortja e Alfred Pezës, Adelina Toli e cila ka pranuar që të bashkëpunojë me organin e akuzës për gjithçka di mbi pasirinë e deputetit.
Vetë Peza u tregua i gatshëm për kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ mbi pasurinë e familjes së tij, pasi ‘aksionet i kemi blerë nga kursimet e shumë viteve punë’, tha ai.