Ndonëse pas debateve të fundit, në mediat pranë qeverisë kishin filluar të ngrinin pikëpyetje lidhur me vendndodhjen e Kryeprokrurorit Llalla, duke hamëndesëuar deri në një “arratisje” në Gjermani, Adriatik Llalla u shfaq dje në Bruksel. Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla zhvilloi dje një vizitë zyrtare në “kryeqytetin” e BE-së, ku u takua me drejtorin e përgjithshëm të zyrës Anti-Mashtrim të Bashkimit Europian, Giovanni Kessler. Llalla-Kesssler biseduan për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit. Kreu i Prokurorisë Shqiptare informoi gjithashtu lidhur me përpjekjet e autoriteteve shqiptare në luftën kundër korrupsionit, si edhe me masat e reja legjislative për forcimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. “Për Prokurorin e Përgjithshëm, lufta kundër korrupsionit është një prej prioriteteve madhore të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian. Për këtë arsye përvoja e autoriteteve të Brukselit në këtë drejtim do të shërbejë për forcimin e mekanizmave hetimorë”, theksoi Llalla.
Dosjet
Në takimin me Drejtorin e Zyrës Anti-Mashtrim, mësohet se Kryeprokurori Llalla ka dorëzuar disa dosje që prekin çështje korruptive që lidhen me shpërdorimet e fondeve të Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Përqëndrimi tek kjo pikë vjen pasi, Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) është organi i vetëm i BE-së i mandatuar për të zbuluar, hetuar dhe ndaluar mashtrimin me fondet e Bashkimit Europian. Kjo zyrë ka një status të pavarur në funksionimin e saj dhe është pjesë e Komisionit Europian. Në këto kushte kreu i organit të akuzës ka folur personalisht me Drejtorin e zyrës për këto çështje sensitive duke përcjellë sipas burimeve edhe rastet që Prokuroria ka vërejtur në Shqipëri. Ende nuk bëhen të ditur emra, por mësohet se në këtë pikë janë të përfshirë një sërë zyrtarësh të lartë, të cilat shkojnë deri në rang ministri.
Ndërkohë në këtë çështje nuk dihet ende nëse është përfshirë nga zyra Anti-mashtrim në Bruksel i rastit të vilës 1.6 milionë euro që ambasadorja Romana Vlahutin bleu në emër të delegacionit të BE-së në një zonë të kamur të periferisë së Tiranës. Ndonëse diskutimi dhe debati për këtë çështje ka përfshirë krahas Shqipërisë edhe media të njohura të Evropës, siç ishte së fundmi “New Europe”, ende nuk saktësohet nëse kjo çështje ka qenë temë e diskutimeve në takimin e djeshëm apo nëse Drejtori i Zyrës Kessler ka nisur hetimet lidhur me të . Ndërkohë po dje “IBNA” shkruante se bashkëshorti i Vlahutin, Vlado Azinoviç është i përfshirë në dy projekte të mëdha në Shqipëri. Nga njëra anë linja hekurudhore Shqipëri-Mal i Zi dhe nga ana tjetër sistemet e sigurisë të shtetit shqiptar. “Natyrisht, duke i ofruar Shqipërisë premtime të rreme për anëtarësimin në BE, në këmbim të përfitimit financiar përmes projekteve të mëdha, disa njerëz po përpiqen të “shkatërrojnë” marrëdhëniet e mira të ndërtuara mes Greqisë dhe Shqipërisë së fundmi. Aktualisht, ka një hetim dhe jo vetëm nga mediat për rolin e Romana Vlahutin dhe burrit të saj në Shqipëri’, thuhej në artikull.
Këmbanat e prangave
Po ashtu mësohet se në takimin e djeshëm Llalla-Kessler krahas hetimeve për fondet e BE të vjedhura në Shqipëri me anë të zyrtarëve të Brukselit dhe atyre që rrinë në Tiranë, janë diskutuar edhe rastet e korrupsionit në rangjet e larta. Takimi i Llallës me Kessler vjen kur kohët e fundit në Tiranë kanë qarkulluar shpesh informacione të besueshme pranë Prokurorisë se organi akuzës ka thuajse në mbyllje disa dosje të fuqishme, mes tyre edhe për një ministër të qeverisë “Rama”. Flitet se zyrtarë të lartë si edhe “ministri x” janë përfshirë në raste të ripsëritura korrupsioni, gjë e cila është evidentuar në dosjet hetimore që Prokuroria i ka në përfundim. Ditët e javët në vijim pritet të jenë të “nxehta”, pavartësisht se dimri ende nuk e ka thënë fjalën e fundit.