Që tingujt, aromat dhe gjërat që ndodhin përreth nesh mund të hyjnë në ëndrra, për këtë dyshohej. Një darkë me ushqime pikante, për shembull, mund t’i trazojë, ashtu sikurse marrja e disa llojeve të ilaçeve. Por ka të paktën 6 gjëra të tjerë që mund të modifikojnë thelbin, cilësinë dhe madje edhe përmbajtjen e ëndrrave tona.
- Pozicioni
Sipas një studimi të udhëhequr nga Calvin Kai-Ching, i Universitetit Shue Yan në Hong Kong, kush fle me barkun poshtë sheh më shumë ëndrra erotike. Ka prirjen të ketë frymëmarrje më të shkurtër gjatë natës. Dhe kjo interpretohet nga truri si një ftesë për të parë ëndrra me përmbajtje seksuale. Pjesa më e madhe e 670 personave që u intervistuan prej studiuesve në Hong Kong, kanë pranuar gjithashtu se ëndrrat e tyre erotike shpesh herë përfshinin një personazh të famshëm.
2. Gjenet
Binjakët identikë shpesh herë kanë interesa dhe zakone të përbashkëta. Por edhe ëndrrat e tyre ngjajnë. Në një studim që ka përfshirë pothuaj 2700 binjakë identikë dhe 4200 binjakë jo identikë, disa shkencëtarë finlandezë kanë zbuluar se binjakët identikë kishin dyfishin e probabilitetit që të ndanin ëndrra të këqia më të shpeshta, krahasuar me të tjerët,shkruan standard.al. Ekipi i studimit, pranë Universitetit të Helsinkit, ka zbuluar që, nëse një prej dy vëllezërve përmendte ëndrra të këqia të shpeshta – domethënë dy apo më shumë në javë – kishte 45% mundësi që kjo i ndodhte edhe binjakut tjetër, ndërkohë që me binjakët joidentikë, probabiliteti ulej në 20%. Jo vetëm kaq: Markku Partinen, një tjetër pjesëtar i ekipit, ka vërejtur se personat me depresion dhe skizofreni kishin më shumë makthe, krahasuar me personat e shëndetshëm mendërisht, dhe kjo e ka bërë të mendojë se ëndrrat e këqia ndodhnin prej një aktiviteti jonormal në sistemin limbik – pjesa e trurit që ka të bëjë me emocionet.
3. Televizioni
Nëse shohim shumë televizor në bardhë e zi, ka gjasa që edhe ëndrrat t’i shohim pa ngjyra. Një studim i vitit 2008 i Eva Murzyn në Universitetin e Dundee (mbi 60 persona) ka vënë në dukje se lloji i televizionit që shohin fëmijët, ka një efekt të thellë mbi ngjyrat e ëndrrave, shkruan standard.al. Të intervistuarit në moshë të madhe kanë deklaruar se kanë parë shpesh ëndrra pa ngjyra, gjë që e ka shtyrë studiuesen të besojë se fëmijët që janë ekspozuar ndaj televizorëve bardhë e zi janë më të prirur të ëndërrojnë pa ngjyra për gjithë jetën. Studimet mbi ëndrrat të realizuara nga 1915 deri në 1950 sugjeronin në realitet se shumica e ëndrrave janë bardhë e zi. Por që nga vitet 60, rritja progresive e televizorëve me ngjyra, ka ndryshuar gjërat dhe dy studime të ndryshme, në 1962 dhe në 1970, kanë zbuluar se më shumë se 80% e ëndrrave janë me ngjyra.
4. Magnetizmi i Tokës
Darren Lipnicki, psikolog i Qendrës së Mjekësisë Hapësinore në Berlin, ka regjistruar ëndrrat e tij për tetë vite, duke i konfrontuar më pas me regjistrat e veprimtarisë gjeomagnetike të vendit ku jetonte, dhe ka gjetur një korrelacion: pas dy apo më shumë ditësh me aktivitet magnetik të rrallë, ëndrrat e tij ishin më të gjalla e të cuditshme. Studimi i tij të con edhe në një tjetër të mëparshëm të Finnmark University College, sipas të cilit ndryshimet në aktivitetin gjeomagnetik ndikojnë në sekretimin e melatoninës, një hormon që rregullon ritmet kardiake të organizmit.
5. Videolojërat
Sa më shumë luajmë me videolojëra, aq më shumë do të kemi kontroll dhe vetëdijësim mbi ëndrrat tona. Këtë zbulim ka bërë Jaune Gackenbah, psikologe e Grant McEvan University në Kanada. Sipas saj, videolojërat bëjnë të praktikosh shumë lëvizjet në mjedise virtuale dhe kjo ndikon edhe tek ëndrrat.
6. Djathi
E cuditshme, por e vërtetë: një studim i British Cheese Board miratuar nga Universiteti i Surreyt, mbi 200 vullnetarë, ka zbuluar se lloje të ndryshme djathi mund të ndikojnë ëndrrat në mënyra të ndryshme,shkruan standard.al. Të gjithë djathërat përmbajnë një aminoacid që quhet triptofan, funksioni i të cilit është që të normalizojë gjumin dhe reduktojë nivelin e stresit. Dhe dozat që përmbajnë lloje të ndryshme djathërash bëjnë dallimin. Sipas anglezëve, kush ka zakonin të hajë djath cheddar ëndërron më shumë personazhe të famshëm, kush ha blu stilton sheh ëndrra më të cuditshme. Ndërkohë që kush ha Red Lancashire sheh ëndrra nostalgjike, të lidhura me familjen dhe fëmijërinë./standard.al